ISIS-I… organizatë, shtet apo fatkeqësi?

avd-falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve; lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin më të nderuar, profetin Muhamed, si dhe mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Nga rregullat e pranuara për analizë të dukurive politike është vështrimi i dukurisë nga kënde të ndryshme historike, shoqërore, ekonomike, politike, fetare etj. Sa më të shumta të jenë këndvështrimet aq më shumë edhe vlerësimi përfundimtar do jetë i saktë dhe më afër të vërtetës.

Dukuria e “Organizatës së shtetit islamik” me shumë të drejtë numërohet si shembull për dukuri komplekse, rreth të cilës ndryshojnë qartësisht mendimet dhe analizat, mu për shkak të përmasave dhe kompleksitetit të faktorëve që ndikuan tek ajo; shtoja kësaj edhe historinë e mjegullt dhe të dyshimtë që ka.

Pasi këtë dukuri e rrethuan konflikte dhe debate të vjetra, të reja si dhe të ripërtërira, është normale vështirësia e shpëtimit nga ndikimi i animit paraprak kur merr ta komentosh dhe analizosh atë. Ashtu ndodhë edhe kur dëshiron të përkufizosh qëndrimin praktik ndaj saj.

Disa e vështrojnë këtë dukuri nga pikënisja e bindjeve paraprake lidhur me dhunën dhe pasojat e saja negative, së këndejmi, ata nuk shohin asnjë gjë pozitive.

Disa e vështrojnë duke pasur ndërmend rrezikun e tekfirit dhe lejimin e gjakrave, së këndejmi do t’i shprehin refuzim dhe armiqësim.

Të tjerë e vështrojnë, por tek ISIS-i nuk shohin tjetër përveç sakrificës, xhihadit dhe rënies dëshmorë, sytë e tyre shohin vetëm pamje që ledhatojnë ëndrrat dhe dëshirat për një gjykim islam, pamje që i japin jetë gjërave që i kanë të vendosura në kokë lidhur me shtetin islam.

Të katërtit, qëndrimin e tyre rreth ISIS-it, e ndërtojnë duke vërejtur konfliktin që këta të fundit kanë me botën perëndimore; andaj, nëse sheh një turr apo aleancë amerikane-evropiane për tu ballafaquar dhe luftuar me ta – menjëherë shpallë kushtrimin, shpejton të shpreh përkrahjen dhe ndihmën pavarësisht pasojave dhe rezultateve.

Në realitet, vështrimi i pjesshëm është e keqja më e madhe, prej të cilës ankon të menduarit islamik, sidomos kur merr të flet për të këtilla konflikte të ndërlikuara.

Nëse do ta merrnim parasysh se çdo dukuri ka një shtrirje historike, ndikim aktual dhe hartë ardhmërie, atëherë realiteti i sotëm ndoshta është elementi më pak i rëndësishëm për të caktuar qëndrimin ndaj dukurisë ISIS, edhe pse krejt vëmendja sot është te ky element.

Meditimi në historinë e lëvizjeve xhihadiste që nga themelimi modern në vitet e shtatëdhjeta nga shekulli i kaluar, na sjellë në rezultate që nuk mund t’i ikin syrit. Me theks të veçantë:

  1. numri i këtyre lëvizjeve ishte me dhjetëra, e ndoshta edhe me qindra.
  2. një pjesë e madhe e këtyre lëvizjeve u shpërbë dhe u zhduk dhe si rezultatpërqindja e “lindjeve” nuk ishte sikur më parë.
  3. asnjë grup xhihadist nuk arriti t’i realizojë synimet e tij madhore apo përfundimtare, madje as t’i afrohet nivelit të ambicieve që kishin. Nejse, përveç në raste të rralla gjatë ballafaqimit me okupimin sovjetik apo amerikan. Të gjitha ato qenë suksese të pjesshme ose të përkohshme.
  4. ekzistimi  dhe veprimi i këtyre lëvizjeve nxori numër të hatashëm të krizave dhe problemeve, u bënë shkak për disfata të shumta që nuk mund të kufizohen vetëm te veprimtaria islame me të gjitha format e saj. Është habi, se për shumë nga ato lëvizje nuk mund të caktohen synimet e tyre, kur t’i shohësh se çfarë aktivitete bëjnë.
  5. disa prej këtyre lëvizjeve u shndërruan – direkt apo indirekt – në mjet, që i përdorë Lindja dhe Perëndimi për të nxitur dhe arsyetuar politika të caktuara, të cilat nuk do mundnin t’i jetësojnë pa këtë mjet.

 

“Situata xhihadiste” së fundmi rezultoi në tri rryma kryesore:

Rryma e parë: Përfaqësohet nga organizata “Al-Kaida” dhe degët e saj, pavarësisht a i nënshtrohen asaj realisht apo vetëm identifikohen me atë emër.

Rryma e dytë: Përfaqësohet nga organizata “ISIS” dhe aleatët e saj, të cilët publikisht i dhanë besën udhëheqësit të asaj organizate, nën emërtimin “kalifat”.

Rryma e tretë: Rrymë e pavarur, që nuk i dha besën e as nuk u bë e varur ndaj dy rrymave të para. Kjo përfaqësohet nga një numër më i vogël i atyre lëvizjeve.

Situata konfliktuoze mes rrymës së parë dhe të dytë nuk është e fshehtë, e cila ka mbërritur në derdhje të gjakut dhe përdhosje të shenjtërive. Këtë e kanë dëshmuar vetë ata, për njëri-tjetrin.

Pas atij këndvështrimi historik,  mund të parashtrojmë pyetjen në vijim:

 

ÇFARË TË REJE SOLLI ISIS-i?

Përgjigjja më e lehtë është: shpalli kalifatin për herë të parë nëpërmjet një lëvizje xhihadiste.

Përgjigjja më e vështirë, ndërlidhet me riformulimin e pyetjes, e që do të ishte: A vazhdon ISIS-i të jetë një organizatë, apo është shndërruar në shtet?

Të dhënat që na i ofron es-Sijase esh-Sher’ije (shkenca e politikës) mbi konceptin SHTET nuk i ndihmojnë fare pretendimeve të ISIS-it se ka themeluar shtet, aq më pak kalifat.

Nuk kanë as kushtetutë as ligje, sikundërse nuk kanë sistem qeverisës të qartë. Ndarjet administrative janë të mjegullta, buxhet real nuk kanë dhe as politika ekonomike apo shoqërore. Nuk kanë as kufi. Kapaciteti ushtarak është ekstremisht modest. Aktivitetet luftarake vazhdojnë të jenë një lëmsh i çuditshëm mes luftime bandash dhe luftime shtetesh.

Përshkrimi më i saktë për situatën e ISIS-it nga aspekti politik do të ishte: ISIS-i është një organizatë apo milici që sundon disa pjesë gjeografike dhe ka marrë përsipër menaxhimin e tyre.

Kush mediton situata tjera të ngjashme moderne ose  përgjatë historisë, do ta kuptojë mirë gënjeshtrën e pretendimeve të ngritjes së atij shteti, madje kalifati.

Kurdët e Irakut për shembull, edhe pse qe më shumë se dy dekada kanë qeverisje vetanake mbi vendet e tyre, edhe pse posedojnë pasuri, përkrahje popullore dhe sistem të fortë administrativ, ata deri sot nuk kanë shpallur shtet, pavarësisht se ajo është një ëndërr e tyre prej dekadash.

Në Sudan, edhe pse lëvizjet separatiste qe sa vjet sundojnë Jugun, madje kanë gjetur edhe mbështetje dhe përkrahje perëndimore, por shpallja e shtetit të tyre dhe ndarja e tyre harxhoi shumë vite.

Me të vërtetë pushtimi i një toke, nuk i jep të drejtë forcave pushtuese të shpallin shtet në atë vend. Çështja nuk është krejt e thjeshtë.

Zakonisht, kriteri më i rëndësishëm për t’ vlerësuar fitoret në situata të ashpra konfliktuoze është aftësia për t’i ruajtur fitoret dhe jo thjeshtë të realizohen, sepse dihet mirëfilli se konfliktet sjellin rebelime kundër pushtetit qendror, gjë e cila lehtëson edhe hyrjen e fuqive tjera në ato hapësira. Në aso raste, e gjithë vëmendja do të përqendrohet në ato hapësira dhe fillon ballafaqimi, atëherë vjen pyetja: Sa ka aftësi ISIS-i t’i ruajë ato toka? dhe jo: A mund të pushtojë të tjera?

Sukseset më të dalluara që i arritën Kombet e Bashkuara në luftërat e tyre në Afganistan apo Irak ishte rrëzimi i pushtetit të atjeshëm, por pastaj nuk ndodhte gjë përveç zinxhirë disfatash dhe dështimesh.

Në Afganistan, pushteti ishte islamik i udhëhequr nga talibanët. Më herët talibanët qenë një rrymë xhihadiste, e pas periudhës sa ishin shtet, u shndërruan përsëri në rrymë xhihadiste.

ISIS-i ishte organizatë, pastaj shpalli se u shndërrua në shtet; a pritet që në të ardhmen përsëri të kthehet në organizatë?

Në kontekst të të gjitha këtyre shndërrimeve: nga organizata në shtet e përsëri në organizatë, çka do jetë puna me këto humbje fatale të shumëfishta, kush i merr ato përsipër, kush do ta paguan çmimin e tyre?

ISIS-i për perëndimin është thjeshtë një mjet me të cilin duan ta rihartojnë rajonin, për grupet luftuese në Siri është një fatkeqësi që ndikoi negativisht ndaj xhihadit të tyre kundër sistemit të Beshar Asadit.

Për Iranin është një thesar strategjik që i hapë rrugë një fazeje të re të raporteve shembullore me Perëndimin. Për shiat e Irakut është fillim i ri i sezonit: therja e arabëve sunnij.

Porse për disa mendjelehtë islamistë, ISIS-i paraqet ëndërr si dhe një fillim drite dhe shprese, edhe pse aso drita patën dhezur lëvizje të ngjashme edhe më parë, edhe pse të njëjtat lëvizje i patën fikur ato drita me aktivitetet dhe punët e tyre.

Akoma ajo piskamë “Allahu Ekber, u çlirua Kabulli” na kujton një të kaluar, që disa prej nesh e harruan fatkeqësisht.

Nëse vërtetë historia e përsëritë vetveten – ndonjëherë – atëherë, po duket që gafleti – shkujdesi rimishërohet shpeshherë dhe shumëherë…

Allahu qoftë në ndihmë!


përktheu: Omer Berisha