Rtv Pendimi

Isisllëqe që duhen çuar në gjyq

Prej tre ditësh, realiteti, jeta publike dhe atmosfera mediatike në Kosovë, janë përfshirë nga një gjendje sureale për shkak të informacioneve se ca kokëshkretë, të dyshuar si ithtarë të ISIS-it gjëmëmadh, na paskan dashur të hedhin helm në një liqen prej nga furnizohet me ujë Prishtina.

Tollovia e krijuar nuk le vend për mendje të kthjellëta, të cilët të mund të shërbejnë si referencë për miletin e tromaksur, që mos vijojë më tepër të zhytet në përjetime pa sens të një marrie kolektive, edhe nga fakti se kësaj situate i ndih fort vetë shteti, strukturat e rendit, që më s`paku e kanë për detyrë mos bëjnë terror me informacione që duket sikur janë marrë nga ndonjë skenar filmi fiction.

T`u thuash njerëzve se dikush ka dashur apo do të të helmojë, është një isisllëk që vetëm në regjime diktatoriale dhe absurde ndodh, ku pushteti ia sajon popullit një armik virtual me çdo mënyrë, edhe sikur realisht të ekzistonte.

Lë pastaj kur helmi rezulton të jetë pluhur llokumi!

Them pluhur llokumi, pasi një terroristi jo me patjetër mund t`i gjindet pluhur helmues ndër xhepa, apo sende që e klasikfikojnë pa një pa dy dhe aty për aty si të tillë.

Mundet që një terrorist të jetë fare pa mjekër, qose siç i thonë, të mbahet për bukuri, të jetë i veshur me Armani, mos mbajë asnjë lloj arme me vete, flamur jo e jo, e në automjet të ketë në mos pluhur llokumi, ndonjë pako biskotë të blerë në rrethana të caktuar, ose dy kokra mollë dhuratë nga ndokush.

Se sa për kujtesë, një debat i madh në post-11 Shtator ishte dhe ai se si mundej që në mbeturinat e avionëve të shkrumbuar, ku dhe hekuri ishte shkrirë, të gjendeshin në gjendje të identifikueshme pasaportat e terroristëve(!); ose ose, kujtojmë dhe rastin e freskët të Sharl Hebdo-së, ku ndër sendet e harruara në makinë prej vrasësve, ishin pikërisht dokumentet e identifikimit të tyre. Ishte e habitshme që askush prej tyre nuk kishte harruar, fjala vjen, një palë çelësa shtëpie.

Edhe në rastin e incidenteve më të fundit në Lazarat, ndër më të habitshmet gjëra ishte fakti se në automjetin e të arrestuarit fillestar, që më pas do zbërthehej në hetuesi duke rrëfyer gjithçka, u gjendën si armë e si drogë. Çudi që ligjet e propabilitetit nuk funksionuan dhe për versione të tjera: të kishte armë por jo drogë, të kishte drogë por jo armë, ose mos kishte asgjë në makinë, por që vetë poseduesi të provohej me të tjera fakte që ishte një atentator ndaj shtetit, e sigurisht vrasës.

Shoqëritë tona nuk janë në kushte lufte, dhe jo domosdo një vrasës, kriminel a terrorist, e ka të shkruar në ballë me prova në makinë që është i tillë.

Ne e dijmë që kjo botë është e mbushur me delikuentë, që vrasin me plumba e me fjalë; që “vrasin” duke vjedhur e vjedhin duke “vrarë”; që hiqen si engjëj por që janë djaj me brirë; e që padyshim mund dhe i kemi edhe mes nesh.
Por mënyra se si ato “ambalazhohen” nga struktura shteti dhe media dhe si i serviren publikut, përbën një delikuencë më vete.

Mos harrojmë se sot e gjithë ditën, një luzmë figurash fetare në Kosovë mbajnë etiketime shtetërore të paprovuara, gjë që i ka demonizuar në një pjesë të popullsisë, pikërisht tek ajo që një segment i medias e trajton si hijenë që duhet me patjetër t`i hedhësh kërmën për ta patur “pronë të paluajtshme” në industrinë e manipulimit, ose siç quhet ndryshe, të hedhjes së truve të gomarit.

Kjo do vazhdojë derisa ndër ata që bëhen mish për top, të dalë ndokush e t`i çojë në gjygj të gjithë ato struktura shtetërore e mediatike, që ua shkruajnë në ballë atë që nuk e kanë, që më pas nuk gjendet solucion që ta fshijë, aq më pak prej shkruesve, të cilët as që mendohet ta kenë atë moral (po ta kishin, as ky shkrim nuk do ishte i nevojshëm).

Ermir Hoxha

Puna ka shkruar gjer në atë pikë sa ballafaqimet gjyqësore, e jo iftare të tipit gala me mbi 300 të ftuar të veshur chic, do ua çonin njëherë e mirë dinjitetin në vend. /tesheshi.com/

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH