Rtv Pendimi
Good life Restaurant
auto lider
Konvertime

Islami m’i ofroi të gjitha përgjigjet

Muslim Shop

Intervistë ekskluzive me personin e dytë nga Dominika që e pranoi Islamin

A mund të prezantoheni, ju lutem?

Quhem Sulejman Shillingford. Jam 63 vjeç. Jam i martuar dhe kam tetë fëmijë, elhamdulilah. Kam lindur në një ishull të vogël të Karaibeve, afër Amerikës Qendrore, të quajtur Dominika. Islamin e kam përqafuar në vitin 1975, në moshën 24 vjeçare, kur isha duke i mbaruar studimet në universitet. Jam i dyti nga Dominika që e ka pranuar Islamin.

Na njoftoni me vendin tuaj.

Dominika është një ishull i vogël në Karaibe, rreth 4 orë udhëtim me aeroplan nga Majami, Florida. Është një vend i krishterë, me 99.9% të tillë. Shumica e tyre janë katolikë, të cilët udhëheqës të tyre e konsiderojnë papën që është në Romë. Shumica e popullit ka prejardhje afrikane. Ata kanë qenë skllevër afrikanë, të cilët në këtë vend u sollën nga skllavopronarët evropianë, afërsisht 500 vjet më parë. Traditat tona janë të ngjashme me ato të afrikano-amerikanëve në SHBA.

Ekonomia e Dominikës është e bazuar në turizëm dhe bujqësi, ngase toka është jashtëzakonisht e pëlleshme. Ndërkaq, turistët vijnë për ta shijuar bregdetin dhe motin tropikal të shoqëruar me reshje shiu. Moti është i nxehtë, me lagështirë gjatë verës e i butë në dimër. Temperaturat mesatare gjatë gjithë vitit sillen rreth 20–35 shkallë celsius.

Po fëmijëria juaj? Na flisni diçka për të.

Jam rritur si i krishterë, në një familje të pasur. Familja ime ishte fisi më i madh në ishull. Kam mësuar në një shkollë të krishterë, mësuesit e së cilës ishin të krishterë nga Amerika dhe Kanadaja. Gjyshi im ishte pronar i madh tokash, prandaj pjesën më të madhe të fëmijërisë sime e kam kaluar në fermë me babanë, duke e punuar tokën. E mbillnim dhe kultivonim panxharsheqerin, limonin e athët, bananen, portokallin, portokallin e hidhur, dhe pemë të tjera për t’i eksportuar në Britaninë e Madhe. Në atë kohë, Dominika ende ishte koloni angleze, andaj prodhimet tona i dërgonim në Britaninë e Madhe.

Kam pasur shumë shokë dhe, natyrisht, sikur çdo fëmijë, kemi luajtur, jemi argëtuar, e nganjëherë kemi bërë edhe sherre të vogla!

Cili ishte shkaku kryesor që ju shtyri ta përqafonit Islamin?

Unë, siç ju tregova pak më parë, jam bërë musliman më 15 janar 1975. Në atë kohë isha duke e mbaruar fakultetin ekonomik. Isha thellësisht i zhgënjyer me krishterimin, përkatësisht besimin e trinisë dhe me çoroditjen shoqërore, respektivisht imoralitetin. Po ashtu shfrytëzimi i të varfërve përbënte një shqetësim për mua. Në Islam i gjeta përgjigjet e këtyre çështjeve, të cilat e luhatën besimin tim të mëparshëm. Në Islam, njëshmëria e Allahut, vlerat etike dhe morale ishin të shtjelluara shumë qartë. Isha duke hulumtuar, e Islami m’i ofroi të gjitha përgjigjet e pyetjeve që kisha.

Si u prit kjo nga të afërmit dhe shoqëria juaj?

Nëna dhe babai ishin disi të lumtur kur e kuptuan se unë e kisha ndërruar fenë. Ata vërejtën një ndryshim tek unë. Islami është fe e natyrshmërisë, andaj, nëse e zbatoni atë me sinqeritet, njerëzit do ta kuptojnë se ju jeni serioz në këtë punë dhe do ta vërejnë ndryshimin.

Shokët e mi nuk u besonin syve. Unë u largova nga gjërat e këqija që i bëja dhe nga shoqëria që kisha, mirëpo i gjeta shokët e rinj në vëllazërinë e Islamit.

A e kanë pranuar Islamin anëtarët e tjerë të familjes?

Babai im e ka shqiptuar shehadetin para se të vdiste. Bashkëshortja dhe fëmijët e mi janë muslimanë, elhamdulilah, por pjesa tjetër e familjes sime ende janë të krishterë.

Nëna më thoshte se besonte që Kurani ishte shpallje nga Zoti dhe se Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ishte i dërguar i Tij, por ajo kurrë nuk e përqafoi Islamin. Ajo ishte si Ebu Talibi, xhaxhai i të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue sel-lem: ajo nuk e mohonte Islamin, madje i ndihmonte muslimanët. Nganjëherë gatuante për ne dhe na e lironte shtëpinë për ta falur namazin e xhumasë, në kohën kur nuk kishim xhami në vendin tonë.

Sa është numri i muslimanëve në Dominikë? A mendoni të ktheheni atje dhe përse keni vendosur të vini në Arabinë Saudite?

Tani në Dominikë janë reth 200 muslimanë në një popullatë prej rreth 70,000 banorësh. Ka dy xhami të vogla, por asnjë në kryeqytet. Unë tashmë jetoj në Britaninë e Madhe, prej nga jam shpërngulur në Arabinë Saudite. Shkaku i ardhjes sime në Arabinë Saudite është që fëmijët e mi ta mësojnë, insha-Allah, arabishten dhe Kuranin mu në vendburimin e Islamit. Shpresoj se një ditë do të kthehem në Dominikë, që ta thërras popullin tim në Islam.

Për fund, me se do t’i këshillonit lexuesit e revistës sonë?

Këshilla ime për lexuesit e revistës suaj është që të kapen pas Kuranit dhe Sunetit të të Dërguarit tonë të dashur, Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të. Këtu qëndron suksesi. Mbajini zemrat të lidhura me ahiretin. Mundohuni ta praktikoni Islamin gjithmonë, pavarësisht sfidave të jetës. Sigurisht që ju e dini më mirë gjendjen në Kosovë dhe si duhet të veproni. Islami na i zgjidh të gjitha problemet, prandaj kërkojeni diturinë e fesë dhe kujtojeni ditën kur do të dalim të vetmuar para Allahut.

E lusim Allahun të na i japë librat e veprave tona në dorën e djathtë! Amin!

 

Intervistoi: Revista Shembulli
Burimi: Shembulli.com

Të ngjajshme

Letër nga Meka – Mallkollm X

Kushtrim Guraj

Sinead O’Connor bëhet muslimane: një udhëtim teologjik më çoi në Islam

Kushtrim Guraj

Tregimi i pranimit të Islamit nga një vajzë çifute

Kushtrim Guraj

Djali i distributorit të filmit “Fitna” bëhet musliman

Kushtrim Guraj

Akademikja maqedonase pranon Islamin

Kushtrim Guraj

E papritur në politikën gjermane: një ndër krerët e AfD-së anti-Islame bëhet musliman

Kushtrim Guraj

Brenda një viti pranojnë Islamin me dhjetra izraelitë

Kushtrim Guraj

Julien Faubert: Ja pse pranova islamin

Kushtrim Guraj

Familja ortodokse serbe nga Beogradi pranon fenë islame (Foto)

Kushtrim Guraj