EF49A836-3DAE-449D-9D23-BBA3E1F1A6AB

Istanbul, mbahet protestë për shkak të djegies së Kuranit në Suedi

Para Konsullatës së Përgjithshme të Suedisë në lagjen Beyoglu të Istanbulit u mbajt protestë për shkak të djegies së librit të shenjtë të Kuranit para ambasadës së Türkiye-s në Stockholm, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta u organizua nga Fondacioni Rinor Türkiye (TUGVA). Të tubuarit gjithashtu mbajtën një shëtitje proteste përgjatë rrugës së njohur Istiklal, duke thirrur parulla.

Eyup Kadir Inan nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) u tha gazetarëve se ata u mblodhën për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e muslimanëve.

Ai rikujtoi se Rasmus Paludan u lejua të digjte Kuranin para ambasadës së Türkiye-s në Stockholm.

“Ata vetë e dinë se të gjitha këto ngjarje nuk nënkuptojnë as liri të shprehjes, as liri të mendimit, as demokraci. Këto incidente janë padyshim krime urrejtjeje dhe racizëm”, tha ai.

Përfaqësuesi i AK Partisë, Ahmet Hamdi Camli, dënoi ashpër aktin e djegies së një kopjeje të Kuranit në Suedi. “Ata janë të shqetësuar sepse e dinë shumë mirë se Kurani është një recetë shpëtimi për mbarë njerëzimin”, shtoi ai.

Kryetari i TUGVA-s, Ibrahim Besinci tha se askush nuk ka të drejtë ta përdhos librin e shenjtë Kuranin. “Si përgjigje ndaj kësaj, ftojmë të gjithë njerëzit tanë që t’i bashkohen fushatës së leximit të Kuranit”, tha Besinci.

Rasmus Paludan, lideri i partisë daneze të ekstremit të djathtë “Stram Kurs”, dogji dje një kopje të librit të shenjtë të Kuranit përpara ambasadës turke në Stockholm.

Paludani u rrethua nga pjesëtarë të shumtë të policisë teksa po kryente aktin e djegies së Kuranit pranë ambasadës turke. Askush nuk u lejua t’i afrohet Paludanit.