lajmetefundit.com-ekuiliber.com-...-...-6-1300x731

ITIKAFI[1]

URTËSIA E QËNDRIMIT NË ITIKAF

Pejgamberi ﷺ qëndroi në itikaf në dhjetëshin e fundit të Ramazanit. Gjatë kësaj kohe e adhuronte Allahun dhe e kërkonte Natën e Kadrit.

Nëse myslimani dëshiron të kalojë një natë në itikaf, duhet të hyjë para se të perëndojë dielli (para namazit të akshamit) dhe të dalë pas sabahut.

SHËMBËLLTYRA MË E MIRË

Pejgamberi ﷺ kur vinte dhjetëshi i fundit i Ramazanit:

“e shtrëngonte izarin (rripin) e tij”; (për qëllim është e shtonte adhurimin dhe) nuk u afrohej grave të veta.

“e zgjonte familjen”; për namaz. Nuk e linte pa e zgjuar asnjërin që kishte mundësi të falej natën.

“e ngjallte natën”; me namaz, dhikër dhe lexim të Kuranit.

“dhe përpiqej në maksimum”[2]; në adhurim, pra e shtonte më tepër se që e kishte zakon dhe mundohej ato net më shumë se që mundohej herëve të tjera.

Itikafin e bënte në xhami, gjatë gjithë kohës bënte adhurim, e hapte zemrën për meditim dhe përsiatje.

KOHËZGJATJA E ITIKAFIT

Itikaf nënkupton të qëndrosh dhe të vetmohesh në xhami me nijet adhurimi dhe afrimi për tek Allahu. Itikafi është traditë profetike me vlerë.

Sa lejohet më së paku të qëndrohet në itikaf? Te shumica e dijetarëve nuk ka kufij të caktuar, mund të qëndrohet një ditë, një natë, mund të qëndrohet në xhami dy apo tri namaze, apo prej nga namazit të sabahut e deri në lindjen e diellit etj.

Ibn Bazi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Itikaf nënkupton të qëndrosh në xhami për ta adhuruar Allahun, pavarësisht koha e qëndrimit a është shumë apo pak, sepse nuk di që ka ndonjë argument i cili e përcakton kohëzgjatjen e qëndrimit në itikaf, një apo dy ditë, apo më tepër se kaq. Itikafi, në esencë, është sunet, por, kur ndonjëri zotohet të qëndrojë në itikaf, në këtë rast atij i obligohet qëndrimi në itikaf për shkak të zotimit. Itikafi, po ashtu, lejohet për gratë ashtu si lejohet për burrat.”[3]

KOHA KUR FILLON ITIKAFI

Itikafi fillon në dhjetëshin e fundit, saktësisht me perëndimin e diellit të ditës së njëzet dhe me hyrjen e natës njëzet e një të Ramazanit. Ai që dëshiron të qëndrojë gjatë dhjetëshit të fundit apo në ditët e para, duhet të hyjë në xhami para perëndimit të diellit (para namazit të akshamit).

REALITETI I ITIKAFIT

Realiteti i itikafit dhe synimi i tij është që zemra të këmbëngulë drejt Allahut dhe të vetmohet me Atë. Ai që dëshiron të qëndrojë në itikaf duhet t’i ndërpresë lidhjet dhe angazhimet me krijesat, të angazhohet me adhurimin e Allahut dhe me përmirësimin e lidhjes me Atë, krejt preokupimi i tij të jetë me dhe për Allahun, mendja e tij të mos mendojë në diçka tjetër, përveçse në arritjen e kënaqësisë së Tij dhe veprave që e afrojnë deri tek Ai.[4]

PËR ATË QË QËNDRON NË ITIKAF

Synimi i qëndrimit në itikaf është adhurimi dhe të vetmuarit e zemrës me Allahun, duke shpresuar në arritjen e vlerës së Natës së Kadrit. Për këtë shkak gjatë qëndrimit në itikaf pëlqehet:

Të zgjidhet xhamia e përshtatshme ku aty e gjen qetësinë për zemrën, edhe nëse nuk është në Qabe apo në xhaminë e Pejgamberit ﷺ në Medine.

Largimi nga ushqimi i tepërt, të folurit e tepërt pa nevojë dhe nga celulari. Kështu më mirë zbutet zemra dhe ruhet koha.

Itikafi është mundësi për lutje në kohën kur lutja pranohet dhe për t’u kujdesur për faljen e suneteve.

Pëlqehet që me vete të merret ndonjë libër i tefsirit dhe i këshillave për zbutjen e zemrës që të shtohen ambiciet.

PREJ MESELEVE TË ITIKAFIT

E pyeta mësuesin tonë, dijetarin Abdurrahman el-Berak, Allahu e ruajttë, se a lejohet për atë që qëndron në itikaf të bëjë porosi me celular për t’i sjellë ushqim nga restoranti, apo të bëjë tregti me aksione nëpërmjet kompjuterit bartës (laptop), por pa e ngritur zërin dhe pa zhurmë?

U përgjigj: “Nuk lejohet shitblerja në xhami, prandaj këto gjëra nuk lejohet të veprohen, sepse përfshihen në ndalesën e shitblerjes në xhami.”

Dijetari i nderuar e lejoi të dilet jashtë derës së xhamisë dhe të porositet ushqim e më pas nuk është problem nëse e pranon ushqimin brenda xhamisë dhe ia bën pagesën punëtorit që e sjell ushqimin, sepse në këtë rast nuk llogaritet shitblerje, por borxh që duhet ta lajë, ndërsa në sunet ka ardhur argument që lejohet larja e borxhit në xhami.

Lejohet për atë që qëndron në itikaf të dalë nga xhamia nëse e ka patjetër të dalë, si: për kryerjen e nevojës, të pastrohet nga xhunubllëku, të blejë ushqim nëse nuk ka kush ia sjell në xhami.

Nuk lejohet të dalë nga xhamia pa nevojë. Dalja nga xhamia për ta vizituar të sëmurin apo për ta përcjellë xhenazen, nuk lejohet, përveç nëse e ka bërë kusht[5] në fillim.

Itikafi nuk prishet nëse njeriu bëhet xhunub në gjumë.

MESELE QË KANË TË BËJNË ME PUNËTORIN I CILI E KA SHPREHUR DËSHIRËN TË QËNDROJË NË ITIKAF

Disa norma për punëtorin që synon të qëndrojë në itikaf:

Pëlqehet për punëtorin të marrë ndonjë ditë nga pushimi i tij e ta investojë në përmirësimin e zemrës së tij duke qëndruar në itikaf.

Mirë është ta bëjë kusht të dalë nga itikafi nëse kërkohet prej tij të kthehet në punë për ndonjë arsye të rëndësishme.

Nuk lejohet të hyjë në itikaf nëse rregullorja e vendit të punës nuk ia lejon atë apo nëse prania e tij në punë është më e dobishme se qëndrimi i tij në itikaf.

Punëtori e ka mundësinë të bëjë itikaf edhe vetëm një natë nëse dëshiron, duke filluar prej perëndimit të diellit e deri kur të hyjë sabahu. Ditët e vikendit në fundjavë janë mundësi e mirë për atë i cili dëshiron të qëndrojë një ditë të plotë.

SHEMBULLI I ATIJ QË QËNDRON NË ITIKAF

Ata el-Horasani, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Ai i cili qëndron në itikaf i ngjan shembullit të robit i cili e hedh veten para Allahut dhe thotë: ‘O Zot! Nuk largohem nga ky vend derisa të më falësh! O Zot! Nuk largohem nga ky vend derisa të më mëshirosh!”[6]

O Zot! Ky rob Ty po të drejtohet,

mbase ka bërë gjynah dhe ka bërë punë të keqe.

Sa shumë po turpërohet para Teje,

nga puna e keqe që më herët e veproi.

Gjynah pas gjynahu,

derisa ra në gjynahe të mëdha dhe e teproi.

Po kërkon mbrojtje nëpërmjet faljes Sate,

mos ta prekë dënimi Yt.

O Zot! Fale dhe mëshiroje,

sepse veç Ti je i Denji për falje!

QËNDRIMI I GRAVE NË ITIKAF

Gruas myslimane i lejohet të qëndrojë itikaf me këto kushte:

Të marrë leje nga burri i saj apo përgjegjësi i saj (nëse nuk është e martuar).

Xhamia ku do të qëndrojë në itikaf të ketë siguri dhe të jetë e përshtatshme për gra.

Rruga ku është xhamia të ketë siguri e, në veçanti, gjatë natës.

Qëndrimi i saj në itikaf të mos jetë shkak për t’i hyrë në hak burrit apo fëmijëve të saj.

Nëse burri i saj i thotë të dalë nga itikafi, ajo duhet t’i bindet atij dhe të dalë.

Duhet të jetë e pastër nga menstruacionet dhe lehonia.

Të ketë kujdes nga kamerat e sigurisë dhe nga kamerat e celularëve.

Ta ruajë sinqeritetin dhe të ketë kujdes nga mburrja para grave të tjerave për qëndrimin e saj në itikaf.

 

Dr. Muhamed Ibn Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Pjesë nga libri: Zahireja e agjëruesit (i përkthyer në gjuhën shqipe)

 

 

[1] Itikaf nga aspekti gjuhësor nënkupton të jepesh shumë pas diçkaje, të jesh i pandarë, i pashkëputur nga diçka dhe të jesh i vazhdueshëm në të.

Itikaf nga aspekti terminologjik fetar nënkupton të qëndrosh dhe të vetmohesh në xhami me nijet adhurimi dhe afrimi për tek Allahu. Atij që qëndron në xhami dhe vetmohet në të për adhurim, i thuhet ‘akif ’ (i thuhet atij që është i dhënë pas diçkaje, ose ai që jeton i vetmuar.) dhe ‘muatekif’ (i thuhet atij që qëndron në një vend, ose nuk del nga vendi, ose i jepet tërësisht diçkaje) (sh.p.)

[2] Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Aishes i.

[3] Fetava Ibn Baz (15/441).

[4] Zadul Mead (2/82).

[5] Shumica e dijetarëve e lejojnë që njeriu ta kushtëzojë qëndrimin e tij në itikaf, me kusht që kushtëzimi të jetë në saje të së lejuarës dhe të mos jetë gjë që e mohon synimin dhe vlefshmërinë e itikafit, si: marrëdhëniet intime, dalja nga xhamia për shëtitje ose tregti etj.

Prandaj, lejohet që njeriu para se të hyjë në itikaf, të vendosë kusht që, nëse i ndodh diçka, të dalë nga itikafi, si: të dalë për të ngrënë ushqim në shtëpi, ta vizitojë të afërmin e sëmurë, të prezentojë në xhenazen e ndonjërit prej prindërve ose të afërmve, dhe të ngjashme me to.

Dobia nga vendosja e kushtit është se itikafi nuk prishet kur njeriu e vepron atë që e ka vendosur si kusht para se të hyjë në itikaf dhe ai vazhdon të llogaritet në itikaf. Nëse itikafi i tij është i obligueshëm për shkak të zotimit, edhe në këtë rast periudha ose koha që del nga xhamia nuk duhet të kompensohet.

Mosvendosja e kushtit është më e mirë, me këtë i ikën edhe mospajtimit të dijetarëve që e kanë në mes tyre për saktësinë e vendosjes së kushtit në itikaf dhe kjo është më e përafërt me synimin e itikafit, por, nëse i ndodh diçka që e ka të patjetërsueshme të dalë nga itikafi, del nga xhamia dhe më pas kthehet dhe e vazhdon itikafin e tij. (Burimi: Itikafi – rregulla dhe dobi – nga dijetari Muhamed el-Munexhid) (sh.p.)

 

[6] Shuab el-Iman (3/426).