Rtv Pendimi

Ixhma-ja apo konsensusi i dijetarëve (HUTBE)

Pasi i kemi përmendur burimet e argumenteve islame; Kuranin dhe Hadithin, radhën e ka ixhmaja apo konsensusi i dijetarëve.

Ixhmaja do të thotë: kur dijetarët e botës islame, që jetojnë në një kohë të caktuar, pas vdekjes së Pejgamberit ﷺ  e japin një mendim të caktuar. P.sh. se kjo gjë është haram, se kjo gjë është hallall, se këtë vepër duhet bërë, se këtë vepre duhet lënë…

Normalisht se dijetarët nuk e japin këtë mendim, sipas mendjes së tyre apo egos së tyre, porse e japin duke u mbështetur në ndonjë argument prej Kurani apo prej hadithi, i cili flet indirekt për atë çështje. Pra e japin mendimin në bazë të rregullave të përgjithshme të cilat janë nxjerrë prej Kuranit apo hadithit.

Shikoni vëllezër, Allahu i Madhëruar na thotë:

﴿وَمَن يُشَاقِقِ ٱلرَّسُولَ مِنۢ بَعۡدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُ ٱلۡهُدَىٰ وَيَتَّبِعۡ غَيۡرَ سَبِيلِ ٱلۡمُؤۡمِنِينَ نُوَلِّهِۦ مَا تَوَلَّىٰ وَنُصۡلِهِۦ جَهَنَّمَۖ وَسَآءَتۡ مَصِيرًا١١٥﴾

“Kush i kundërvihet të dërguarit, pasi që i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ka zgjedhur (në dynja) dhe e fusim në Xhehenem. Sa përfundim i keq është ai.”(Nisa, 115)

Pra lënia e rrugës së besimtarëve është e ndaluar. Largimi prej rrugës së besimtarëve të shpie në xhehenem. Kurse ndjekja e rrugës së besimtarëve është siguri dhe është rrugë që shpie tek Allahu.

Ajo që dihet është se në krye të rrugës së besimtarëve gjithmonë janë dijetarët. Që i bie se rruga e dijetarëve është rruga e besimtarëve dhe rruga e besimtarëve duhet ndjekur.

Pastaj kanë ardhur disa transmetime nga i Dërguari i Allahut ﷺ  të ketë thënë: “Allahu nuk e bashkon umetin tim në humbje (dalalet)…”[1]

Pra umeti sa herë që bashkohet, bashkohet në gjërat e sakta e të mira, e që në krye të tyre janë prapë dijetarët, sepse ata janë meritorët.

Mund të gaboj një person, një xhemat, një familje, por umeti i tëri nuk gabon, e as tërë dijetarët nuk gabojnë. Kjo është e garantuar. Dhe kjo i bie se kur dijetarët janë të një mendimi rreth një çështjeje, do të thotë se Allahu është i kënaqur me këtë, apo kështu e kërkon Allahu.

Prej këtu del në pah edhe vlera e dijetarëve në Islam.

Pejgamberi ﷺ  ka treguar se: “Dijetarët janë trashëguesit e Pejgamberëve.”[2]

Një shembull i bukur që e tregon shumë mirë pozitën e dijetarëve, thotë:

Dijetarët janë sikurse yjet; ndërkaq yjet shërbejnë për:

Zbukurim të qiellit.

Gjuajtje të shejtanëve.

Për orientim apo udhëzim, e sidomos në të kaluarën, ku njerëzit janë orientuar përmes yjeve, në udhëtime të gjata.

Po ashtu edhe dijetarët janë zbukurim i umetit. Një vend i cili nuk ka dijetar, nuk ka hijeshi. Një vend ku s’ka dijetarë është vend i shkretë, vend në gjendje ‘intensive’, gati me dhënë shpirt.

Dijetarët me argumente i gjuajnë shejtanët nga lloji njerëzor. Ata u bëjnë replika dyshimeve të armiqve të Islamit.

Dijetarët janë orientues të umetit. Ata na tregojnë se kjo gjë është e mirë apo është e keqe. Ndoshta një gjë na u duket se është ëmbëlsirë, porse ata na tregojnë se pas saj fshihet helm. Pra janë largpamës, i shohin gjërat më larg se ne, i shohin gjërat edhe brenda ambalazhit.

Me e dhënë një mendim apo fetva e cila është në kundërshtim me mendimin e shumicës absolute të dijetarëve është gjë shumë e rrezikshme.

Pra me një anë kemi grumbullin e madh të dijetarëve, kurse në anën tjetër kemi një person, i cili veçohet me ndonjë mendim të caktuar.

Kujdes! Mos jep mendim, pa pasur imam para teje. Kështu na kanë mësuar dijetarët e parë. Të mos japim mendim, i cili nuk ka mbështetje në mendimin e dijetarëve të hershëm. Pra mos dil i pari me ndonjë mendim të veçantë, sepse kjo është e dëmshme.

Ne sot dëgjojmë, jo për mohim të Kuranit, sepse kjo shumë lehtë bie në sy, porse dëgjojmë për shtrembërim të kuptimeve të sakta të Tij.

P.sh. Nuk mund të thotë se kjo gjë është gabim në Kuran. Jo nuk thotë kështu, por thotë: fjala ‘shejtan’ në Kuran, nuk është për qëllim krijesë e keqe, porse ka për qëllim: mendim të keq, sepse ‘shejtani’ nuk ekziston! Sipas tij.

Jo, jo. Nuk është ashtu. Së pari kush të ka thënë kështu. Dijetarët islam, të gjithë thonë se ‘shejtani’ është krijesë e Allahut. Allahu na e ka treguar dialogun mes Tij dhe shejtanit, na e tregoi si e krijoi; na i tregoi fjalët e tij, objektivat apo qëllimet e tij. Tani ai vjen pas 15 shekujsh dhe e mohon?!

Po ashtu e mohon ‘xhenetin’!

Në realitet të gjithë sakrificën, lodhjen që e bëjmë ne e bëjmë për të hyrë në xhenet,      që të qetësohemi atje. Në Kuran e në hadithe është përmendur me dhjetëra e me qindra herë. Të gjithë dijetarët e pranojnë ashtu siç na lajmëroi Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ .

Madje, disa e lejojnë edhe pirjen e alkoolit. E sidomos tek disa fraksione të sufive, të cilët e lejojnë pirjen e alkoolit. Në të vërtetë alkooli është i ndaluar me Kuran, me hadith dhe me ixhma apo konsensus të dijetarëve. Pastaj del dikush dhe tërë këto o mohon!

Po ashtu ka persona, që e quajnë veten ‘hoxhallarë’, madje të gjithë këta shembuj që i përmenda ose i kam dëgjuar vet, ose jam informuar për to. Pra ka prej tyre që thotë: Zekati nuk është obligim, nëse e paguan tatimin e shtetit. Pra sipas tij, mjafton që po e paguan tatimin, kështu që zekati nuk ka nevojë të jepet!

Shtyllën e tretë të Islamit e mohon! Çfarë ke ti me shtet, neve nuk na intereson, ne themi se zekatin e ke obligim ndaj Allahut dhe hak ndaj fukarasë. Por të thuash se mjafton që po e jep tatimin! Kështu asnjë dijetar i njohur me dije e me devotshmëri nuk e ka thënë, e ti po del e po e thua këtë?!

Dikush tjetër, del edhe e lejon vjedhjen e jomuslimanëve! E lejon vjedhjen e energjisë elektrike!

O vëllezër, kurrë në Islam s’ka qenë e lejuar vjedhja, nuk ka asnjë argument dhe asnjë dijetar që e lejon vjedhjen.

Problemi më i madh në këta shembuj është, jo veç bërja e haramit, por lejimi i haramit. Pra me e bë haramin, hallall. Kjo është edhe më e rëndë sesa vet vjedhja, vet pirja e alkoolit etj.

 

Hutbeja e dytë:

Duke e parë rrezikun e dhënies fetva, rrezikun e veçimit me ndonjë mendim të caktuar, dijetarë dhe studiues të fesë, janë mbledhur dhe kanë formuar komisione të ndryshme për fetva, unione dhe akademi të ndryshme të dijetarëve e të ngjashme.

Në këto unione apo komisione zakonisht marrin pjesë dijetarë të shteteve të ndryshme. Secili prej tyre e sjellë punimin e vet, që pastaj të dalin me rezultat sa më të pjekur e sa më të mirë rreth ndonjë meseleje bashkëkohore.

Kështu vepronte edhe Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të‎‎). Ai e kishte zakon të konsultohej me sahabët e tjerë, e sidomos me pjesëmarrësit e Bedrit, pastaj me sahabët e vjetër e kështu me radhë. Është i njohur rasti kur ishte rrugës për në Sham dhe e informuan për përhapjen e sëmundjes së murtajës. Me atë rast e kërkoi mendimin e tyre; a ta vazhdojnë rrugën për në Sham apo të kthehen në Medinë?

Abdurrahman ibn Ebu Lejla ka thënë: I kam takuar njëqind e njëzet sahabe, ndodhte që ndonjëri prej tyre të pyetej për ndonjë çështje fetare, porse secili prej tyre kishte dëshirë që vëllai i vet, ta merrte përsipër përgjigjen. Filani ia linte filanit, por edhe filani ia linte tjetrit, derisa kthehej pyetja tek personi i parë.

Po kështu ishin sahabet. Kurse ne si jemi?!

Te ne është çudi se për çështjet e vogla nuk flasin, ngase nuk i dinë mirë. Për abdes, për meste, për çështje të martesës e të ngjashme, porse flasin dhe japin fetva për çështje të mëdha: Kush të hyjë në Islam e kush po del prej tij? Kush është në rrugën e drejtë e kush jo? Kush është për në xhenet e kush për në xhehenem?

Këtu i kemi së paku dy gabime:

Gabimi i parë: Guxim i pa përgjegjshëm. Guxim po, por jashtë kufijve. Porse kështu nuk janë dijetarët e mëdhenj të botës islame. Kështu nuk nguten siç nguten këta, kështu nuk gjykojnë siç gjykojnë këta. Madje ata e tërheqin vërejtjen që të ruhemi prej këtyre gjërave.

Gabimi i dytë: Këta persona që merren me këto çështje të rënda, nuk kanë më tepër se dy-tre mësues ‘online’, nuk kanë pas vetes dhjetëra dijetar që i kanë këto mendime apo që i mbrojnë këto mendime. Sipas tyre ‘haku’ apo e vërteta është te pak persona: Një në filan vendi, e një tjetër në filan vendi, e diku larg edhe një i treti.

Këta nuk e kanë kuptuar atë që e thashë më herët “umeti nuk bashkohet në gabim”, nuk e kanë kuptuar se nuk ka mundësi që dijetarët e umetit, të gjithë të jenë në gabim apo të gjithë ta fshehin hakun, dhe haku të mbetet tek disa të rinj, të numëruar në gishta.

[1] Tirmidhiu nr.2167, Hakimi nr.395. Ky hadith është transmetuar përmes shumë rrugëve dhe nga shumë sahabe. Për këtë arsye edhe dijetarët sikurse Ibn Haxheri, Albani, Shuajbi etj., këtë hadith e pranuan si të saktë.

[2] Ebu Davudi  nr.3641, Tirmidhiu nr.2682 dhe e saktësoi Albani.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH