
JA KUSH ISHA MË PARË
Shumica e njerëzve kujdesen t’i përmbledhin memoaret, rrëfimet dhe përvojat e jetës së tyre. Sa më përket mua, rrëfimi im ka tjetër domethënie. Vlera e tij nuk mbështetet në emrin e autorit, as në oratorinë e gjuhës, as në bukurshkrimin e tij e as që dallohet si rrëfim i rrallë e i veçantë. Atë e dallon realiteti. Aty shfaqet rrëfimi i jetës… aty shfaqet rrëfimi i udhëzimit… pikësynimi më i lartë i ekzistimit.
Nuk e kam të domosdoshme të kujdesem për mendimet dhe bindjet e të tjerëve e as t’i detyroj ata të pajtohen me mendimet dhe përvojat e mia personale, por besoj se e kam të drejtën t’ua tregoj mendimin tim, e pastaj e drejta e tyre është të nxjerrin ndonjë konkluzion.
Sikur plot të tjerë, edhe unë e ndieja se qëllimi dhe vlera e jetës ka të bëjë vetëm me kënaqësitë e përkohshme që njeriu i realizon, prandaj fillova të flijoj çdo gjë, të shtrenjtë e të lirë, që të përmbushja dëshirat dhe kënaqësitë e mia.
Ëndrra ime kufizohej tek arritja e dëshirave shpirtërore, të cilat ishin më të shtrenjtat që unë dhe moshataret e mia donim t’i arrinim. E harxhonim kohën dhe pasurinë, e shfrytëzonim autoritetin, madje, më e keqja, e sakrifikonim më të shtrenjtën që ka femra, turpin dhe virtytshmërinë, që të arrinim plotësimin e dëshirave të shpirtit.
Bisedat telefonike, fjalë simpatie dhe dashurie, shkëmbimi i mesazheve dashurie me djem, madje edhe takime në katër sy llogariteshin sukses dhe arritje. Me besnikëri nënkuptonim të bashkëpunoje me shoqen në shkëmbimin e numrave të celularit dhe kontakteve, lavdërimin e saj para djemve dhe sugjerimin e saj që të bëhej e dashura e ndonjërit prej tyre.
Argëtimi për mua ishte shumëçka, madje ishte gjëja më e mirë që e kaloja kohën dhe i harxhoja ditët e jetës sime. Dhoma ime ishte përplot revista dhe gazeta të grumbulluara. Jo pse kisha dëshirë të merrja dije dhe kulturë, por më duhej të isha në hap me kohën dhe të shkoja rrugës që ato vizatonin.
Me ora të tëra qëndroja para televizorit. Më robëronte pamja dhe më tërhiqnin ndodhitë e ndonjë filmi ose serie. Mahnitesha me trimërinë e bukurinë e aktorit ose më tërhiqte vëmendjen ndonjë fustan, fjali dashurie e pasioni.
Bëja pjesë në radhët e atyre që rregullat dhe përgjegjësitë e fesë i shihnin si pranga dhe robërim që i cenojnë të drejtat, i kufizojnë liritë dhe ndërhyjnë në realizimin e dëshirave. Mu për këtë, ata shtiren si budallenj, kinse nuk i njohin mirë, por ka raste kur marrin guximin të kundërshtojnë haptazi, të pretendojnë se feja ua ngushton jetën dhe shprehin pakënaqësi me rregullat e fesë.
Të gjitha sulmet dhe talljet me mbulesën e femrës myslimane që sot disa gra i shprehin haptazi, janë manifestim i këtyre pikëpamjeve dhe bindjeve që i kanë për fenë.
Kur i shihja fetarët e përkushtuar, meshkuj e femra, qeshja me ironi dhe thosha me vete: “Sa të mjerë që janë! Sa pikëpamje të keqe e të zezë që kanë për jetën! Si jetojnë me këtë bindje dhe jepen pas këtyre iluzioneve? Bukuria, kënaqësia dhe shoqërimi janë fjalë që nuk ekzistojnë në fjalorin e jetës së tyre, madje ndoshta nuk e dinë as botëkuptimin e tyre.”
Po ashtu thosha me vete: “Si e përballojnë këtë mënyrë jetese? Duket sikur e jetojnë me zor!” Madje, nganjëherë, kur nuk gjeja përgjigje për këtë enigmë të ngatërruar, më sillej në mend se këta njerëz vuajnë prej problemeve shpirtërore dhe gjendja e tyre dallon nga njerëzit normalë.
Zemra ime nuk kishte hapësirë për këta njerëz. Ajo ishte e hapur krejtësisht vetëm për yjet e artit, yjet e kinematografisë dhe yjet e sportit. Tek unë dhe shoqet e mia kriteri i parë dhe i fundit për të ndjekur dikë ishte fama e tij. Ai që kishte famë, për ne ishte yll. As e merrnim parasysh racën, gjininë, vlerat e tij ose diç tjetër.
E tillë ishte jeta ime. Ky ishte jetëshkrimi im, derisa Allahu deshi të më udhëzojë me mirësinë dhe bujarinë e Tij. M’u shfaq flakadani i udhëzimit, i cili ma ndriçoi rrugën përpara. Për mua filloi jeta e re, ndërsa pas vetes e lashë rrugën e argëtimit dhe dëfrimit të kotë.
Dr. Muhamed ed Duvejshi
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
(Pjesë nga libri: “E TILLË ISHTE JETA IME (Memoaret e një vajze)” – i përkthyer në gjuhën shqipe)