Lëkura e thatë është dukuri e shpeshtë. Ka shumë arsye për shkak të të cilave mund ta keni lëkurën të thatë. Po ashtu ka shumë arsye për shkak të të cilave dëshironi që ajo të mos jetë më shumë e thatë. Ndoshta e shihni si problem estetik, por ndoshta ju mundon e kruara, e cila shfaqet shpesh tek lëkura e thatë.
Tek shumica e njerëzve lëkura e thatë nuk është shenjë e sëmundjes ose e gjendjes, por e vetë përdorimit të sapunit intensiv, xhelit për dush, rrobave të vrazhda, losionit të papërshtatshëm dhe dusheve të gjata e të nxehta. Megjithatë, shumë ilaçe që i merrni ose sëmundjet nga të cilat jeni të sëmurë, siç janë diabeti ose psoriaza, shkaktojnë lëkurë të thatë.
Lëkura normale dhe e shëndetshme përmban vajra, të cilat e hidratojnë, e bëjnë më të butë. Me siguri lëkurës suaj në mënyrë të pavetëdijshme ia largoni atë shtresë yndyrore, duke e lënë të pambrojtur dhe të ashpër në prekje, transmeton Koha.net. Lëkura e thatë mund të jetë në tërë trupin, por më së shumti në duar, pëllëmbë, këmbë dhe bark. Lëkura e thatë kryesisht nuk vihet re në shikim, por në prekje. Nëse nuk trajtohet, lëkura e thatë mund të shkaktojë shumë probleme serioze, siç është dermatiti.
Losioni i gabuar
Nëse përballeni me lëkurën e thatë, me siguri tashmë keni provuar losione të ndryshme. Losionet janë pjesë e rëndësishme e kujdesit ndaj lëkurës së thatë, por shumica e njerëzve i aplikon në mënyrë të gabuar.
Gabimi më i madh të cilin e bëjnë shumica e njerëzve është që losionin e aplikojnë në lëkurë të thatë. Losionin gjithmonë duhet ta aplikoni në lëkurë të lagët. Pastaj, duke fërkuar lehtësisht lëkurën shtrijeni losionin deri në fund, që sa më shumë materie ushqyese të mbesin në lëkurë.
Gabimi tjetër që e bëjnë shumë njerëz është përdorimi i losionit, i cili nuk i përgjigjet lëkurës suaj. Ekspertët rekomandojnë që personat me lëkurë të thatë të përdorin losion të lehtë, pa alkool dhe pa aromë. Losionet për lëkurë të thatë duhen të jenë pak më të dendur. Vendosni pak losion në pëllëmbë, pëllëmbën kthejeni nga toka dhe nëse losioni fillon të pikojë nga pëllëmba, do të thotë që nuk është mjaft i dendur për lëkurën tuaj.
Ajri i thatë
Ajri i thatë është me siguri shkaku më i shpeshtë i lëkurës së thatë, veçanërisht gjatë dimrit. Ajri i thatë largon vajrat nga lëkura. Lëkura e thatë dimrit ka edhe emrin e vet – kruarja dimërore.
Ajri i ftohtë dhe i thatë dimëror do të thajnë lëkurën. Por edhe ajri në shtëpinë tuaj po ashtu mund të jetë i thatë dhe të thajë lëkurën. Verës është po ashtu ajri i thatë, ndërsa nëse në shtëpinë tuaj keni pajisje klimatike, e gjithë kjo do të jetë edhe më keq. Zgjidhja më e mirë është që hapësirën ta ajrosni rregullisht, pavarësisht se sa është jashtë ftohtë apo ngrohtë.
Po ashtu mos e nxehni apo ftohni shumë hapësirën në të cilën flini. Përveç që as gjumin nuk do ta keni mjaft të rehatshëm, lëkurën do ta keni edhe më të thatë.
Dushet e gjata dhe të nxehta
Ekspozimi i tepërt në ujë, veçanërisht në ujë të nxehtë, mund të shpëlajë të gjitha vajrat natyrale që mbrojnë lëkurën. Nëse pas dushit ndiheni se si ju shtrëngon lëkura, do të thotë që e keni thatë, respektivisht i keni shpëlarë të gjitha vajrat natyrale.
Dushi është gjithsesi forma më e mirë e larjes te personat që kanë lëkurë të thatë, por kjo nuk është e tëra. Nëse çdo dush zgjat shumë dhe atë me ujë të nxehtë, gjithsesi zvogëlojeni, sepse nuk i bëni mirë lëkurës suaj. Në fund të fundit, 5 minuta dush është e mjaftueshme për mbajtjen e higjienës trupore.
Uji nuk duhet të jetë i ftohtë, por njëlloj nuk duhet të jetë as i nxehtë. Gjeni një mes të artë, shkurtoni kohën e dushit dhe aplikojeni losionin përgjegjës dhe shumë shpejt do ta zgjidhni problemin e lëkurës së thatë.
Sapuni i gabuar
Ata paraqesin të paktën 50 për qind të problemit. Sapunët, xhelat për dush dhe banjat e ndryshme shumë shpejt largojnë vajrat natyrale nga lëkura juaj, ndërsa njerëzit dinë edhe ta teprojnë me ta.
Shpesh dëgjojmë se si duart duhen të lahen sa më shpesh, ndërsa kjo po ashtu mund të shkaktojë problem. Është ironike që i lajmë duar për t’i pastruar nga bakteret, por shpesh e teprojmë me këtë dhe vjen deri te rreziku i shtuar nga formimi i infeksioneve.
Po ashtu mund të harroni në objektet e ashpra për pastrim në dush siç janë dorezat ose sfungjerët. Kjo është më e keqja që mund t’i bëni ndjeshmërisë suaj dhe lëkurës së thatë, transmeton Koha.net. Në këtë mënyrë do të largoni të gjitha vajrat natyrale nga lëkura dhe do ta lini lëkurën të pambrojtur dhe të irrituar.
Rrobat e ashpra
Disa njerëz ndiejnë që rrobat i kanë shumë të ashpra për lëkurë dhe që i irritojnë, por edhe më tutje i veshin. Pavarësisht asaj se sa ju pëlqen ajo veshje, harrojeni nëse lëkura ju kruhet ose shfaqet e skuqura.
Lëkura e thatë është në veçanti e ndjeshme, prandaj ekspozimi konstant ndaj stimujve, siç është rroba e ashpër, mund ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen. Rrobat e tilla mos i blini.
Vendosni për veshje nga materialet e lehta, siç është pambuku. Po ashtu, kini kujdes që rrobat tuaja të mos jenë shumë të ngushta, sepse kjo mund të shkaktojë tharje shtesë të lëkurës. Nëse lëkura pavarësisht gjithçkaje është e irrituar, ndoshta duheni ta ndërroni detergjentin për larjen e rrobave./koha.net