Rtv Pendimi

JAM I KËNAQUR ME MUHAMEDIN SI I DËRGUAR

Të jesh i kënaqur me Muhamedin sal-lallahu alejhi ue selem si i dërguar është nga kërkesat e saktësimit të besimit. Kështu saktësohet besimi i robit, i cili patjetër duhet të dorëzohet dhe të pranojë se Muhamedi i biri i Abdullahut, i biri i Abdulmutalibit, i biri i Hashimit nga fisi Kurejsh është i dërguar nga Allahu me shpallje tek njerëzit dhe xhinët, të jetë i kënaqur dhe të mjaftohet me këtë, të ndihet i qetë e të tregojë nderim për të, të mos tregojë pakënaqësi, keqardhje apo zemërim për këtë.

Ky është kuptimi i kënaqësisë, kuptimi i profetësisë. Pra, të jesh i kënaqur me Muhamedin si i dërguar. Ibën Rexhebi Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Të jesh i kënaqur me Muhamedin si i dërguar, kërkon të jesh i kënaqur me të gjithë atë që ai ka ardhur, të dorëzohesh ndaj saj dhe ta pranosh me kënaqësi. “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”.[1] [2]

Ibën Kajimi ka thënë: “Si mund të realizohet kënaqësia me Muhamedin si i dërguar, nëse nuk merret si gjykues për të brendshmen dhe të jashtmen, t’i marrë bazat dhe degët e fesë vetëm nga kandili i tij. Si mund ta realizojë të kënaqurit me Muhamedin si i dërguar ai që lë atë me të cilën ai ka ardhur për fjalët e dikujt tjetër dhe që nuk i lë fjalët e të tjerëve për shkak të fjalëve të tij; që nuk argumentohet me fjalët e tij përveçse atëherë kur përshtatet me medhhebin e tij, e nëse e kundërshton atë nuk ia hedh sytë fjalës së tij. Qëllimi i kësaj është, se është nga e drejta e Allahut ndaj robërve të Tij, që të kënaqen me Të si Zot, me Islamin si fe dhe Muhamedin si të dërguar”.[3]

Nga sa thamë kuptojmë rëndësinë e madhështinë e Sunetit të Profetit, të cilën e kanë lënë pas dore shumë nga muslimanët e ditëve të sotme, ose duke gjetur interpretime për ta shmangur atë, ose duke e lënë, ose si shkak i parapritjes së mendimeve dhe dobive imagjinare, aq sa mund të cilësohen ata që kapen pas Sunetit si njerëz ekstremë, të ngurtë e të ngjashme si këto.

Ne jetojmë në një kohë ku kemi nevojë më tepër se kurrë të thërrasim në të (Sunetin e profetit), ta përcjellim dhe të vëmë theksin kohë pas kohe rreth madhërimit të tij dhe librit të Allahut. Kjo për shkak të guximit që kanë treguar njerëzit ndaj tyre në këtë kohë. Guximi ndaj këtyre të dyjave është guxim ndaj fesë. Ju keni vënë re sesi gazetarë të ndryshëm e të ngjashëm me ta nëpër media sillen me Sunetin në atë mënyrë e cila cenon madhërimin e tij. Nëse ata do ta madhëronin thënësin e tyre, nëse do të sillnin nëpër mend se ato kanë dalë prej gojës së tij sal-lallahu alejhi ue selem, do të tregoheshin të kujdesshëm para se ta kundërshtonin e nëse do ta madhëronin thënien e tij nuk do të merrnin guximin e të talleshin, ta anulonin me interpretime të kota e boshe, duke e cilësuar thënësin e tyre –folësin më të mirë të arabishtes-, se është i paqartë apo se nuk din të formulojë fjalitë.

Ai që vë re në guximin e lapsave të tyre kundrejt haditheve të sakta do të sikletoset dhe zemra e tij do të ngushtohet nga dhimbja. Tashmë çështja e tyre ka evoluar nga lënia dhe braktisja e këtyre haditheve, në shpifje tërthorazi të tyre, madje shpesh herë edhe të qarta. Imam Dhehebiu ka përcjellë nga Ebu Kilabete, se ka thënë: “Nëse i tregon dikujt një hadith dhe ai të thotë: lëre këtë por na sill ndonjë ajet kuranor, dije se ai është i humbur.”

Më pas Imam Dhehebiu shton: Nëse dëgjon mutekeliminët (apologjetët) të thonë: lëre Kuranin dhe hadithet ahad[4], por përdor logjikën, dije se ai është Ebu Xhehël. Nëse sheh se të pyet ndonjë Sufi e të thotë: Lëri argumentet dhe logjikën, porse përdor shijen dhe dëshirën[5], atëherë dije se ai është Iblisi, i cili të është shfaqur me pamje njeriu, ose është futur në të. Nëse ke frikë prej tij atëherë vrapo e ik, ose në të kundërtën luftoje, vendosja gjunjët në gjoks dhe këndoi ajetin kursi derisa ta mbysësh”.[6]

Profeti sal-lallahu alejhi ue selem ka porositur të kujdesemi për Sunetin e tij dhe të punojmë me të. Ai ka thënë në hadithin që na e përcjell Irbad ibën Sarije: “Kapuni pas Sunetit tim dhe Sunetit të prijësve të drejtë pas meje, shtrëngojuni fort pas saj me dhëmballë dhe kini kujdes nga sajesat në fe, sepse çdo sajesë është humbje”.[7]

Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë, që kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur”.[8]

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun”.[9]

“Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë, ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm”.[10]

“Vallë, a nuk e dinë ata, se për atë që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij është përgatitur zjarri i Xhehenemit, në të cilin do të qëndrojë përherë?”[11]

“O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni atij me zë të lartë, siç bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e ndier ju fare”.[12]

Ibën Kajimi në lidhje me këtë ajet ka thënë: “Allahu u ka tërhequr vërejtjen besimtarëve nga humbja e veprave si shkak i të folurit me Profetin sal-lallahu alejhi ue selem me zë të lartë, ashtu sikur flisnin me njëri-tjetrin. Kjo nuk është rride[13] përkundrazi është një gjynah, që të shkatërron punët pa e kuptuar, atëherë ç’mund të thuash për atë që paraprin ndaj fjalës së të Dërguarit sal-lallahu alejhi ue selem, udhëzimit dhe rrugës së tij, fjalën, udhëzimin dhe rrugën e dikujt tjetër?!…. A nuk është edhe ky një njeri që e ka shkatërruar veprën e tij pa e kuptuar?”[14]

Thuhet se Ebu Hanife i tha Ibën Ebi Dhibit –imamit të njohur-: “A punon me këtë hadith, o Ebu Harith?” “Kujt i vritet një i afërm ai ka të drejtë zgjedhje të një prej të dyjave; nëse do merr gjakun e nëse do merr shpagimin”. Ai më ra në gjoks, i dha një të bërtitur dhe më tha: “Unë të tregoj hadithin e Profetit ndërsa t’i më thua a punon me të apo jo?!.. Po, punoj me të dhe ajo është detyrë për mua dhe për atë që e dëgjon. Vërtet Allahu zgjodhi Muhamedin prej njerëzve dhe i udhëzoi ata me të dhe në duart e tij, dhe atyre u zgjodhi atë që zgjodhi dhe për të, kështu që krijesat duhet ta pasojnë atë të bindur dhe ata nuk kanë si të veprojnë ndryshe.” Dhe ai vazhdoi kështu derisa thashë: Ah sikur të heshte.

Humejdi ka thënë: Imam Shafiu një ditë na tregoi një hadith dhe unë i thashë: A punon me të? Ai më tha: “A mos po sheh vallë se kam dalë nga kisha apo i veshur si prift, që të them hadithin e Profetit e të mos punoj me të?!…”

Shafiu u pyet për një çështje dhe tha: Është përcjellë për këtë nga profeti ky dhe ky hadith. Pyetësi i tha: O Ebu Abdullah! A punon ti me këto hadithe?- Shafiu u nevrikos e kundërshtoi dhe më pas i tha: Cila është ajo tokë që më mban mua dhe cili është ai qiell që më mbulon, nëse përcjell prej Profetit ndonjë hadith me të cilin unë nuk punoj?

Imam Ahmed bin Hanbeli ka thënë: “Kush e refuzon hadithin e Profetit sal-lallahu alejhi ue selem, nuk ka dyshim se është në buzë të humnerës.”

Imam Berbehari në librin e tij të akides kur flet për Sunetin ka thënë: “Nëse shikon dikë, që të refuzojë hadithet, apo të flasë keq për to, akuzoje se Islami i tij nuk është i rregullt dhe nuk ka dyshim se ai është bidatçi, apo njeri që pason epshin.”

Ebu Kasim el Esbahani ka thënë: “Ehli suneti prej selefëve kanë thënë: Nëse dikush flet keq për hadithet atëherë akuzoje atë se Islami i tij nuk është i rregullt.”

Qëllimi nga e gjitha kjo është se nuk mund të vërtetohet të kënaqurit me Muhamedin sal-lallahu alejhi ue selem, si i dërguar nëse Suneti i tij refuzohet dhe nënçmohet. Të kënaqurit me Muhamedin si i dërguar arrihet me madhërimin e Sunetit të tij dhe duke ia njohur vlerën, sikurse e bëmë të qartë nga fjala e Ibën Kajimit më lart.

O ju, që Allahu ju ka nderuar me madhërimin e Sunetit, falënderojeni Allahun për suksesin që u ka dhuruar, sepse selefët duke filluar që nga sahabet falënderonin Allahun për suksesin që u kish dhuruar e që i kish bërë të ecnin nëpër atë me të cilën ishte i kënaqur Profeti sal-lallahu alejhi ue selem, sikurse në hadithin e Muadhit, të cilin e dërgoi në Jemen: “Nëse përballesh me një çështje, e cila nuk është në librin e Allahut dhe nuk ka gjykuar për të Profeti dhe nuk kanë gjykuar për të të mirët, çfarë do të bësh?– Tha: Do të bëj përpjekjet maksimale. Profeti tha: Falënderimi i takon Allahut, që e bëri të dërguarin e Profetit të Allahut, që të gjykojë me atë që e kënaq Profetin e Allahut”.[15]

Përshtati: Bledar Haxhiu


[1] Sure Nisa: 65.

[2] Xhamiul Ulumi uel Hikem.

[3] Shifau el Alil.

[4] Hadithe Ahad janë të gjitha ato hadithe të cilat janë përcjellë në mënyrë individuale apo nga një grup i vogël njerëzish, të cilët nuk i plotësojnë kriteret e hadithit Mutevatir (masiv).

[5] Këto janë mënyra dhe rrugë nëpërmjet të cilave sufitë përfitojnë fenë e tyre.

[6] Sijer Alam Nubela: 4/472.

[7] Ebu Daudi.

[8] Ahzab: 36.

[9] Ahzab: 21.

[10] Nur: 63.

[11] Teube: 63.

[12] Huxhurat: 2.

[13] Rride është dezertimi dhe braktisja e fesë.

[14] Uabilu Sejb: 24.

[15] Musanaf Ibën Ebi Shejbe: 7/239.

TË NGJAJSHME