Takimi do të ndërmjetësohet nga kryediplomati Josep Borrell dhe i ngarkuari i BE në dialog, Miroslav Lajçak.
E deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar për ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të jenë të barabarta në tavolinën e bisedimeve.
Kryeministri Kurti po ashtu tha se “duhet një përmbledhje dhjetëvjeçare e gabimeve të opozitës në dialog, për të mos i përsëritur ato”.
Ai, për takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, tha se nuk do të jetë “takim i ri i dialogut të vjetër”, por “takim për dialogun e ardhshëm”.
“Palët e përfshira në bisedime duhet të përfshijnë kornizat makro mbi elementet përbërëse të marrëveshjes. Për shembull njohjen reciproke, njohjen nga pesë shtetet e BE-së, anëtarësimin në OKB, mbrojtja reciproke e komuniteteve respektive, mekanizma monitorues, afatet kohore dhe të ngjashme. Palët në tavolinë duhet të ndihen të barabarta në secilën fazë të bisedimeve”, tha Kurti.
*
Hoxhaj kritikon Kurtin
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj kritikoi kryeministrin Kurti për “qasje joserioze” ndaj dialogut.
Ai gjatë seancës se Kuvendit, tha se dialogu i ri i kryeministrit Kurti është një fotografi me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç.
“Sot kur dëgjova kryeministrin, qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që dialogu nuk është i përgatitur në rrafshin diplomatik. Ky do të duhej të na tregonte sa letra i ka dërguar në cilat kryeqendra para se të shkojë në Bruksel, këtë punë e kemi bërë çdo herë”, tha Hoxhaj.
*
Abdixhiku thotë se Kurti është i papërgatitur për dialog
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë ne Kuvend, se Kurti ka ndryshuar radikalisht në secilën kauzë deri më tani.
Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti po shkon në dialog pa u përgatitur.
“Kryeministri Kurti, do të duhej sot para qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre të raportojë mbi rundin e ri dialogues. Për atë se çfarë ka ndodhur deri më tash, e dimë, por ky çfarë do të bëjë. Nuk je më opozitar zotëri Kurti të kundërshtosh. Je njeriu që i ke të gjitha, trego çfarë do të bësh”, i tha Abdixhiku kryeministrit Kurti.
*
Kosova shënoi 22-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s
Dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor, 1999, pasoi fushatën e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që zgjati 78 ditë.
Kjo ditë, shënohet edhe si Dita e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës.
Sulmet ajrore, filluan më 24 mars, 1999, pas dështimit të bisedimeve në Rambuje të Francës. Marrëveshjen e kompromisit e kishte pranuar pala nga Kosova, por jo edhe delegacioni nga Serbia, çka edhe solli më pas vendimin e shteteve perëndimore dhe NATO-s, për nisjen e sulmeve ajrore. Këto sulme, u ndërmorën për të ndalë krimet dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe nën komandën e Sllobodan Millosheviqit.
Pas 78 ditësh, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sipas Rezolutës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën tranzitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.
Një ditë më herët, ishte nënshkruar edhe Marrëveshja e Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.
Të gjitha këto, kishin mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50.000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.
Sot, 22 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it (NATO-s) numërojnë gjithsej 3.600 trupa.
*
Presidentja Osmani tha se NATO së bashku me UÇK sollën çlirimin
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu tha se hyrja e forcave të NATO-s së bashku me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i sollën vendit, pas një sakrifice mbinjerëzore lirinë, çlirimin dhe paqen.
“Kjo pllakë përkujtimore shënon historinë e re te Kosovës dhe bashkëpunimin tonë të fuqishëm me aleatët perëndimorë”, tha Osmani.
*
Kurti: Pavarësinë ta shpiem me zhvillim, drejtësi e demokraci
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në qershorin e vitit 1999 këmbësoria e NATO-s iu bashkua ndërhyrjes ajrore “kundër Jugosllavisë së Millosheviqit për ta ndaluar, gjenocidin kundër popullit shqiptar”
“Më 12 qershor kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë dhe ia përkujtojmë vetes për çdo dite sepse të gjithë ato gra e burra që u sakrifikuan dhe dhanë jetën, ndodhen në themelet e institucioneve tona, të shtetit tonë, pavarësisë sonë, të cilën duhet ta shpiejmë më tej me zhvillim, drejtësi dhe demokraci”, tha Kurti.
*
Konjufca: Ta mbrojmë lirinë me çdo kusht
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se liria ishte pasojë e kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve, por po ashtu edhe i “bashkimit të kontributit të përpjekjes tonë çlirimtare me faktorët ndërkombëtar”.
“Me vete faktin që Aleanca me e madhe ushtarake i doli në ndihmë popullit të Kosovës dhe u mobilizua struktura me e madhe ushtarake demokratike në botë dhe e bombardoi Serbinë për shkak të gjenocidit që ajo ushtroi mbi popullin e Kosovës, kjo flet se kauza jone ishte e drejtë, që liria jone ishte shumë e shenjtë, prandaj duhet ta mbrojmë e ta ruajmë atë me çdo kusht”, tha Konjufca.
*
Kryeministri Kurti priti në takim myftiun Naim Tërnava
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiun Naim Tërnava.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, myftiu Tërnava e uroi kryeministrin Kurti për detyrën dhe shprehu bindjen se qeveria e re do të punojë për ndryshimet e nevojshme që presin qytetarët nga Qeveria Kurti.
Kryeministri Kurti e falënderoi myftiun Tërnava për bashkëpunimin dhe kontributin që ai dhe BIK-u kanë dhënë për respektimin e rregullave dhe masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
*
Vaksinohen presidentja Osmani dhe kreu i Kuvendit, Konjufca
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca janë vaksinuar kundër Covid-19, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, ministria ka thënë se imunizimi i dy zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës është bërë në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Sipas njoftimit, Osmani dhe Konjufca kanë parë nga afër “përgatitjet për vaksinimin në masë që do të fillojë nga kjo jave”.
“Presidentja Osmani, me këtë rast ka porositur të gjithë qytetarët që sapo të fillojë vaksinimi masiv, t’i përgjigjen ftesës për vaksinim të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në njoftim.
Edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ftuar qytetarët që ta marrin vaksinën.
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia ka njoftuar se afër 100 mijë qytetarë janë vaksinuar deri më tani me të paktën një dozë të vaksinës.
*
Javë me mot të qetë në Kosovë
Gjatë kësaj javë në Kosovë parashihet të mbajë mot relativisht i qetë, me përjashtim të ditës së hënë, ku parashihet që vende-vende të ketë riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 19-31 gradë Celsius. Indeksi UV parashihet të jetë mesatar deri i lartë. Kushtet biometeorologjike dhe agrometeorologjike do të jenë të mira, për shkak të reshjeve të fundit dhe prezencës së elementeve aktive meteorologjike.