JETA ME ALLAHUN KA SHIJE TJETËR!

1. Ec përpara dhe mos e rrit zërin, shiu është ai që i rrit lulet, jo bubullima!
2. Shpirtrat më të mirë janë ata që nuk i mohojnë të mirat edhe përskaj mospajtimeve!
3. Distanca nuk e afron dhe nuk e largon askënd, zemrat janë ato që e bëjnë atë!
4. Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: “Përgjatë qëndrimit tënd në namaz, ti troket në derën e Mbretit, ai që troket në derën e Mbretit, atij i hapet.”
5. Dynjaja është shumë e lirë! Atë mund ta posedojë çdokush nga ne, pasaniku dhe fukaraja, mbreti dhe ministri, mirëpo, Xheneti është i shtrenjtë, nëse nuk mund ta posedosh me veprat e tua të mira, nuk mund ta posedosh me pasurinë dhe arin tënd!
6. Çdo gjë që e njeh, nuk do të thotë se ta qetëson zemrën, disa gjëra janë më të bukura, nëse mbeten të panjohura!
7. Shpirtrat më të shtrenjtë janë ata, që e përjetuan dhembjen dhe mundohen, që të tjerët mos ta shijojnë shijen e saj!
8. Brengën e pastron loti, zemrën e ringjall një sexhde dhe ëndrrën e realizon lutja!
9. Kur bën padrejtësi, edhe mbi ty do të bëhet padrejtësi, kur gënjen, edhe mbi ty do të gënjehet, kur tradhton, do të tradhtohesh! Bëje tani atë, që nesër do të veprohet me ty! Ashtu si vepron, do të veprohet me ty!
10. Nëse do që t’i flasësh Allahut, fal namaz, nëse do që Allahu të të flasë ty, lexo Kuran!
11. Lidhja e vetme, ku e pamundur është të humbësh në të, është lidhja e jote me Allahun!
12. Me kalimin e viteve do të ndryshosh tepër! Do ta duash atë që e urreje, do ta urresh atë që e ke dashur dhe do ta harrosh atë që ke qenë i lidhur për të. Jeta do të kalojë, derisa nga ti të bëjë një person që asnjëherë nuk i ngjan atij që je tani!
13. Njerëzit zakonisht ndryshojnë për dy shkaqe: Ose pse kanë mësuar shumë ose pse kanë vuajtur shumë!
14. Leximi të lëviz, të shpërngul nga një vend në tjetrin, prej një bote në tjetrën, kurse ti je në vendin e njëjtë.
15. Në jetën e çdonjërit vjen një moment, ku jeta pas atij momenti nuk kthehet më si ka qenë më herët!
16. Në jetën e çdo njeriu ekziston një kaptinë, që nuk ia vlen për t’u lexuar!
17. Çudi me njerëzit, qajnë për atë që i ka vdekur trupi dhe nuk qajnë për atë që i ka vdekur zemra!
18. Nëse e lajmëron dikë me ndonjë fshehtësi, veçse ia ke dhuruar një shigjetë dhe me të njëjtën ka mundësi të të gjuajë një ditë nga ditët! Andaj shiko mirë se kujt po ia tregon fshehtësitë e tua!
19. Qëndrimi në këmbët e tua, të jep një hapësirë të vogël në këtë botë, kurse qëndrimi në parimet e tua, ta jep botën në tërësi!
20. Njeri madhështor është ai që buzëqesh, atëherë kur lotët vetëm sa nuk i bien nga sytë!
21. S’ka gjë më të shtrenjtë se shëndeti, prandaj thuaj: Elhamdulilah (Falënderimi i takon Allahut).
22. Shpresa në Allahun është një jetë tjetër, që nuk e njohin atë, përveç durimtarëve!
23. Pa namaz s’ke për ta gjetur rehatinë, pa Kuran s’ke për ta gjetur lumturinë!
24. Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, u pyet: “Cila vepër më së tepërmi e afron robin te Allahu?”
Imam Shafiu filloi të qante dhe tha: “Të shikojë Allahu në zemrën tënde dhe të shohë se nga dynjaja dhe ahireti ti nuk dëshiron asgjë, përveçse Allahun!”
25. Porosia më madhështore dhe më e shkurtër: “Ruaje Allahun, Allahu do të të ruajë ty!”
26. Dynjaja s’ka vlerë për atë zemër që nuk është e lidhur me Allahun, zemër e cila i mbështetet Allahut kur pikëllohet, e lavdëron Allahun kur gëzohet, kthehet kah Allahu kur mëkaton dhe është mirënjohëse ndaj Allahut në çdo gjendje!
27. Namazi, Kurani, lutja dhe lëmosha. Vëllai im, ndriçoje jetën tënde me to, ato janë kandila që bëjnë dritë në këtë botë të errët!
28. Kur namazit ia jep pozitën e parë në jetën tënde, çdo gjë tjetër vetvetiu e merr vendin e duhur!

Marrë nga libri:

NGA DHEMBJA DREJT LUMTURISË

(Thënie të mençura nga jeta dhe përvoja)

Përmblodhi dhe përktheu:

Irfan Jahiu