KA INJORANTË OBORRI I ATIFETES, nuk është vetëm ATIFETJA

Autor
Salih Kabashi

Në urimin e Presidentes së Kosovës me rastin e festës së Kërshëndellave drejtuar Dodë Gjergjit të Ipeshkëvisë së Kosovës, kam vënë re padituri e mosnjohje ekstreme jo vetëm të festës katolike të quajtur Kërshëndella apo Krishtlindje, por edhe invaliditet grotesk në paaftësinë e formulimit edhe të një teksti fare të thjeshtë nga ana e kapaciteteve të një institucioni aq të lartë siç është ai i Presidentit të Republikës.

Ndoshta Atifete Jahjaga, zonja Presidente, ose zonja me rruza në fyt siç paraqitet në portalin e RTK-së edhe mund të amnistohet për gafet e pafalshme në formulimin e një urimi aq të shkurtër :

Ajo është zgjedhur aty « si me llutri », pra nuk është përzgjedhur nga 2 milonë kosovarët në zgjedhje të rregullta as të jashtëzakonshme. As nuk gjendet aty për farë meritash në luftë a në paqe. As as (sidomos) se mund t’i ketë ecë shkolla mirë. Apo se do të ketë mbaruar farë shkolle të madhe.

Qysh kur e ka hapur gojën së pari si presidente e hedhur nga katapulti i ambasadorit amerikan Christopher William Dell, është vënë re jo me pak habi se në Evropë u bëka që një shtet ta ketë presidentin jo veç politikisht toptan analfabet, por se një të tillë e paska pasë kismet pikërisht Kosova e shkretë.

Letra për të cilën po flitet, për të cilën shpreh bindjen time se nuk është e saja, si urim për një festë të madhe kristiane, për shumë kohë do të mbetet shembull i një shkrimi tërësisht të dështuar. Aty zhveshet urbi et orbi se autori i i saj brenda Presidencës nuk njeh formulat elementare e përkatëse se si duhet t’i drejtohet një prijësi fetar, në këtë rast katolik.

Kështu një urim që është e zakonshme t’u shkojë besimtarëve katolikë nga ana e Presidentës së Republikës së Kosovës, në tërësinë e tij është një diskurs karikatural, i cili e tall dhe e bën budallë uruesin dhe nuk i nderon aq as të uruarit. Le të shohim me radhë :

Letra nis me « I nderuar Ipeshkëv ».

Gabim, krejt gabim.

Janë rregulla strikte qindravjeçare se me cilën fjalë dhe me cilat shprehje duhet t’i drejtohemi një ipeshkëvi : Ato janë ose me IMZOT ose Monseigneur, në vazhdim me Shkëlqësia juaj…

S’ka çka lyp shprehja « të nderuar besimtarë », pasiqë Imzoti në postin e ipeshkëvit i përfaqëson ata si bari i tyre. Presidentja, pra, nuk ka punë me grigjen e priftit.

Në urim thuhet : « Këtë festë le ta kalojmë me gëzim e harmoni në familjet tona, me të mirat që na i ka dhuruar Zoti. »

E palejueshme.

Këto fjalë nuk janë nga terminologjia dhe diskursi republikan. « Zotin » në komunikim të përditshëm mund ta përdorin të gjithë, por presidentja nuk është një popadi dhe personalitet religjioz.

« Familjet tona ». Presidentja duhet të dijë se familjet kosovare me besime janë trefetare. Kërshëndellat ortodokse ose Bozhiqi serb ende nuk ka ardhë, prandaj nuk mund t’i përfshijmë ata në urim të parakohshëm. Muslimanët shqiptarë apo shqiptarët muslimanë, qysh të duash, nga ana e tyre nuk kanë as do të kenë ndonjëherë as bozhiq as kërshëndella, prandaj Presidentja krejt kot ua uron Krishtlindjet para bajramit.

Presidentja, në fakt ai skribomani nga Presidenca i ka vu asaj mbi nënshkrim një rrenë kapitale. Lexojeni e mbajeni të qeshurën :

« Krishtlindjet sot e gjejnë vendin tonë, Republikën e Kosovës, me një numër të madh arritjesh në të gjitha fushat… »

Letra e shkurtër është edhe me disa idiotësi të tjera të vogla e të mëdha. Një nga ato është edhe fryma tejet religjioze e asaj që do të duhej krahas urimit të ruante distancën dhe të mos intimizohej jashta kornizave kushtetuese me një kremte që në fund të fundit është vetëm festë fetare.

PS

1.
Presidentes së tashme apo Hashim Thaçit, kur të bëhet president, po ua jap një mësim të vogël : Nëse ndonjëherë Kosova do të ketë kardinal, sepse kardinali i katolikëve tanë tashpërtash ekziston në Beograd, aty ku edhe i ka të lidhura lëmezat hierarkike Ipeshkëvia e Kosovës, fakt të cilin Don Lush Gjergji përpiqet ta lërë në heshtje apo ta fusë nën plaf…, atëherë atij Kardinali mos të gabojnë e t’i drejtoheni jo të nderuar e me drugovi i drugarice, por me apelacionin adekuat – EMINENCË !

2. Ka qenë në fillim të viteve ’90 një Parlament i Republikës së Kosovës i tëri në ekzil. Përpiqeshin që të bënin diçka për Kosovën. Kishin shkruar dy letra për dy lordë që në kohë të ndryshme ishin në krye të detyrës për ta shpëtuar ose shkatërruar Jugosllavinë. Njërën letër, të parën, për Lordin Carrington nuk e kisha parë. Të dytën, deputetët, hartues të saj, para se ta nisnin ma dhanë për lexim e për ndonjë mendim… Kanë qenë shumë më sojnikë se këta të sotmit… Adresimi dhe vetë letra niste me fjalët Zotëri Lord Owen… Të tjerat argumentime ishin në rregull. Por zotëri Lord ? Ia nisa me qeshë. Pse po qesh më pyetën. Iu fola diçka për titujt aristokratikë dhe për shprehjet e kurtoasisë. Shikuan shoqi-shoqin. E fshinë fjalën Zotëri dhe e lanë vetëm fjalën Lord duke thënë se kështu i qemë drejtuar edhe Lordit Carrington…