kafeja-2yn1cs3dztogxees53shs0

KAFEJA E HIDHËT DHE FEJESA E VAJZËS

Ishte një vajzë shumë e bukur dhe e pamartuar, jo se nuk kishte oferta për martesë, ata që i propozonin martesë ishin të shumtë dhe shtoheshin për çdo ditë, mirëpo ajo refuzonte çdo ofertë.

Kur vinte ndonjë djalë me ofertë, prindi e ftonte t’u shërbejë kafe me qëllim që ta sheh atë që i propozon martesë, mirëpo çdo herë në fund e lajmëronte se nuk dëshiron të martohet me atë djalë.

Prindi filloi të zhgënjehet nga çështja e saj, mirëpo nga dashuria e madhe që e ndjente ndaj saj, nuk e mundonte me fjalë që mos t’ia lëndojë zemrën, edhe pse në vetvete e mundonin fort refuzimet e saj të çdo oferte që i vinte për çdo ditë.

Një ditë nga ditët, erdhi një djalë me një ofertë të re për martesë. Në pamje ishte një djalë i ri, i pashëm dhe i edukuar. Vajza pasi që e shërbeu me kafe, doli ta lajmërojë prindin e saj, se ky është ai të cilin e do për burrë dhe me të është e kënaqur ta shoqërojë.

Këtë herë prindi i saj nuk mundi ta fsheh gëzimin e tij, dhe i tha: Bija ime, më njofto se çka vërejte te ky djalë, kurse te tjerët nuk e vërejte?! Ty të erdhën oferta nga më të pasur dhe më me pozitë se ky, dhe të gjitha i refuzove!!

Vajza, të cilës Allahu i kishte pas dhënë bukuri dhe mençuri, iu përgjigj: O prindi im, kur kërkoje nga unë që të shërbej kafe me qëllim që të më sheh djali që ka ardhur të ma kërkojë dorën, unë i shërbeja kafe të hidhët, pa sheqer. Ai në ato momente i mbante sytë tek unë, i mahnitur nga bukuria ime, por kur e shijonte kafen e hidhët, largonte shikimin nga unë, harronte prezencën time dhe nuk më shikonte më. Kur e fillonte bisedën, fliste për pasurinë dhe për pozitën e tij në mesin e njerëzve. Kurse ky djalë kur e piu kafen, edhe pse ishte e hidhët, vazhdoi të më shikojë, buzëqeshi me mua dhe e piu deri në fund.

Ndjeva se e kuptoi domethënien e kafes së hidhët dhe se e kuptoi se unë, dua që ndokush t’i ndajë me mua vështirësitë para gëzimit dhe pikëllimin tim para lumturisë.

Ndjeva se ai e kuptoi se mëshira dhe dashuria mes dy vetave rriten kur jeta është e hidhët, para se të jetë e ëmbël, dhe se ato nuk zbehen nëse i dalin përpara pengesa në rrugë.

E pranoi bukurinë time dhe seriozitetin tim dhe e piri kafen time të ithët. Pranoi të jemi së bashku në të ëmblën dhe në të hidhurën, kurse këtë nuk e kuptuan të tjerët.

Prindi i saj foli dhe i tha: Bija ime, Allahu të bekoftë dhe diturinë dhe dritën ta shtoftë.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU