Kam probleme me bashkëshortin, s’di ç’të bëj?

 

Pyetje: Kam probleme me bashkëshortin, ka devijuar nga rruga e Zotit, me mua sillet shumë keq si dhe me krejt familjen. Më sugjeroni diçka, s’di çka të bëj?!

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…

Nuk ka çift bashkëshortor thuajse që nuk ka kaluar ndonjë periudhë krizash, ku sjellja e keqe, keqkuptimi, ftohja, nervoza dhe fjalët e rënda nuk kanë qenë përditshmëri, mirëpo me kalimin e kohës dhe duke e kuptuar që kompromisi (lëshimi pe) në jetë fillon dhe kultivohet në familje fillimisht, arrijnë në një formë jetese për të cilën të dytë pajtohen. Për të arritur këtu duhet gjithsesi t’i zotërojmë dy elementet “magjike” që i krijoi Allahut mes burrit dhe gruas: dashurinë dhe mëshirën, Ai tha: “Ai është i cili krijoi nga vetja juaj çiftin dhe mes jush bëri dashuri dhe mëshirë”. Këto dy elemente janë ilaç për tejkalimin e problemeve të përditshme, ndonjëherë falim për shkak të dashurisë, ndonjëherë i mbyllim sytë për shkak të mëshirës dhe në këtë mënyrë shpëtojmë nga keqkuptimi, përçarja dhe ndarja. E nëse brenda një çifti nuk gjendet dashuria e as mëshira, atëherë nuk kanë pse të rrinë së bashku. Kështu pra, tejkalohen problemet e rëndomta dhe të përditshme që mund të ndodhin në jetën bashkëshortore.

Kurse sa i përket devijimit të njërit nga bashkëshortët, në këtë rast burrit, fillimisht le ta dimë se i devijuar për në vendet tona quhet ai i cili nënçmon fenë, pengon gruan apo fëmijët nga namazi apo mbulesa, tallet me fenë, asnjëherë nuk falë namaz dhe të ngjashme. Po them për vendet tona, duke pasur parasysh diturinë e njerëzve për çështjet e fesë, ku shumica e tyre nuk kanë njohuri për shumë gjëra dhe gabojnë nga mosdija, ndërsa në anën tjetër thonë se janë muslimanë.

Nëse bashkëshorti juaj ka devijuar skajshmërisht siç e shpjeguam më lart, ti ke të drejtë të kërkosh divorcin nga ai, por nëse me fjalën devijim ti ke për qëllim sjelljen e keqe që ai ka ndaj teje, ose vërtet është i devijuar nga rruga e Zotit mirëpo këtë e bën nga mosdija, atëherë përpiqu me dije dhe urtësi t’i shpjegosh ngadalë rrugën e Zotit ashtu siç e ke kuptuar ti, Allahu ka thënë: “Thirr në rrugën e Zotit tënde me urtësi dhe këshillim të bukur”, Pejgamberi ka thënë: “Në gjithçka ku është butësia ajo bëhet e bukur e në gjithçka ku është ashpërsia ajo bëhet e shëmtuar”. Pra, në rrugë të Allahut thërrasim të tjerët me urtësi, këshilla të bukura dhe butësi, ndërsa këto më së shumti i meritojnë njerëzit me të cilët jetojmë, në rastin tënd burri jot. Lexoja atij ndonjë ajet mbresëlënës, dhuroja ndonjë libër, ndonjë CD, dërgoja ndonjë e-mail me këshilla të arta, kërkoji që bashkërisht të shkoni në ndonjë ligjëratë, në ndonjë xhami e kështu me radhë.

Pasi të bësh një përpjekje të sinqertë brenda një kohe normale besoj fuqishëm se do t’i vëresh rezultatet pozitive në jetën tuaj, por nëse ndodhë që asgjë nuk ndryshon atëherë i ke këto zgjedhje:

–       Të durosh sjelljen e tij të keqe dhe të jetosh me të,

–       Të kërkosh divorcin, nëse nuk të divorcon atëherë të lejohet ta kryesh divorcin edhe me gjyq,

–       Nëse është i devijuar nga rruga e Zotit dhe nuk përmirësohet gjendja e tij, nuk lejohet të qëndrosh me të, por duhet të kërkosh divorcin.

E lus Allahun që ty të jep sabër, urtësi dhe butësi ndërsa bashkëshortin tënd ta udhëzojë në rrugën e Tij, t’jua falë gjynahet dhe t’ju dhurojë një jetë të kënaqshme martesore. Suksesi është në Dorë të Allahut.