Rtv Pendimi

Kamomili, bima që bën çudira

Të gjithë kemi dëgjuar për vetitë e shkëlqyera të kamomilit kundër stresit, pagjumësisë, dhembjeve të barkut apo sëmundjeve të lëkurës. Me sa duket, gjyshet tona nuk e kanë pasur gabim që na e rekomandonin si ilaç kundër shumë sëmundjeve. Këtë e konfirmon së fundmi një studim i publikuar në prestigjiozen “Journal of Clinical Psychopharmacology”.
Sipas tij, vërtetohen plotësisht vetitë e kamomilit kundër stresit, ilaçi që edhe gjyshet tona e përdornin pa u bazuar në asnjë fakt shkencor. Kërkuesit kanadezë të “Faculty of 1000 Biology” kanë zhvilluar një analizë për të zbuluar se çfarë qëndronte vërtet pas “popullaritetit” të kamomilit. 
Në këtë mënyrë, ata analizuan të dhënat e një studimi për vetitë e kamomilit kundër shqetësimeve të lehta dhe të mesme me ankthin. Në studim u përfshinë personat që vuanin nga këto çrregullime, të cilët u ndanë në dy grupe. Grupit të parë iu dha kamomil, ndërsa të dytit qetësues të tjerë bimorë, por jo ilaçe. Në fund, nga rezultatet e studimit u pa se pacientët e trajtuar me kamomil treguan ndryshim domethënës sa i përket rëndësisë së shqetësimeve, në krahasim me pacientët që nuk morën kamomil.
Mjekët Michael van Ameringen dhe Beth Pattersonm, të cilët bënë këtë analizë, komentuan rezultatet, duke thënë se “kamomili mund të ketë një aktivitet modest kundër panikut në pacientët që vuajnë nga ankthi dhe mund të përdoret pa asnjë problem nga ata që janë kundër farmakoterapisë tradicionale”. Në këtë mënyrë, ekspertët vlerësojnë se kamomili mund të përdoret si ilaç qetësues i padëmshëm dhe se ai arrin të kontrollojë çdo ashpërsi të çrregullimeve mendore.

                                    Vetitë

            Zakonisht përdoren lulet e thara të kamomilit, që pasi ziejnë në ujë të ngrohtë, konsumohen në formën e çajit. Kamomili ka veti qetësuese. Ja përse këshillohet të pihet para se të flenë nga të gjithë ata që vuajnë nga pagjumësia ose nuk bëjnë gjumë të qetë. Ai ndihmon në tretjen dhe problemet me zorrët, qetëson dhembjet e barkut, është anti-inflamator, lehtëson dhembjet menstruale dhe problemet me dhembjet e kokës.
Një tjetër funksion ka të bëjë me eliminim e gazrave të tepërt nga zorrët dhe shpesh u shtohet shampove dhe balsameve për shkak të vetive ushqyese te flokët. Por efektet pozitive janë ndier edhe te spazmat muskulore dhe problemet reumatizmale. Stabilizon zorrët në rast diarreje dhe përdoret në rast të irritimeve apo infeksioneve në rrugët urinare, për të mos folur për qetësimin e sistemit nervor.
Për përdorim të jashtëm ai rekomandohet kundër problemeve me lëkurën, sidomos ekzemat dhe largimin e skuqjes së syve. Me sa kemi parë dhe dëgjuar, është një bimë që me vetitë e saj vetëm na shëron.

TË NGJAJSHME