Para disa kohësh doli nga shtypi libri “Mali i dritës” – “Brdo svjetlosti” nga Isnam Taljic. Është fjala për një roman që flet për sirën e Pejgamberit të fundit Muhammedit (s). Njëri nga rrëfimet më të mira mbi Pejgamberin (s) në gjuhën boshnjake. Libri është i shkruar me një gjuhë të thjeshtë, e kuptueshme për çdokënd dhe e liruar nga shumë detaje të panevojshme që gjenden me bollëk në sirët tjera, gjë që e lehtëson vëmendjen dhe përqendrimin e lexuesit.
Isnami në një mënyrë të thjeshtë dhe të përshtatshme përshkruan jetën dhe misionin profetik të Muhammedit (s) nga fillimi deri në fund. Në vazhdim do të sjellim në vëmendjen tuaj një përshkrim prekës dhe emocional të një ngjarje nga ditët e fundit të jetës së Pejgamberit (s) që ndodhi në xhaminë tij në Medine.
Sikur All-llahu të mos betohej në kohën dhe sikur kjo të mos ndodhte në Xhaminë e Pejgamberit të Zotit në Medine, do të ishte sikur ajo është jashtë kohës dhe hapësirës. Dhe çdo gjë ndërpritet nga dora e ngritur e Pejgamberit të Zotit.
As qeni në rrugët e shkreta, as era nuk frynë, as re në qiell. Askush dhe asgjë. Vetëm Bilali, i vetëm, nën qiellin me ngjyra të ndezura dhe në një qetësi të madhe, ec qytetit të shkret dhe nga kraharori i tij buçet ezani. Në vend se prej xhamisë, ai duke ecur Medinës, fton për në xhami. Asnjëherë nuk ka qenë ajo që është tani: Medineja ishte shtangur dhe shndërruar në heshtje të pritjes. Duke u kthyer nga Mekkeja, nga haxhi, Pejgamberi i All-llahut (s) ishte ftohur, e kishin kapur ethet dhe kishte rënë në shtrat. Jeta u ndal në Arabi. Dielli po qëndronte midis qiellit dhe po përvëlonte. Po të kishte qenë më keq do të përhapej shpejtë. E çfarë do të thotë kjo për Bilalin? Duhet të jetë gjallë…. A do të prijë përsëri Muhammedi në namaz dhe a do të flas?
Është i gjallë! Sigurisht se ai është gjallë. Ai nuk mund të vdesë… La ilahe il’lall-llah! – përfundon Bilali. Ezani tingëllon në heshtjen mortore të Medinës, e populli grumbullohet dhe në qetësi pa psherëtimë e ushtimë, shkon pas muezinit. Si të ishte një lum që del në heshtje nga rëra dhe rrjedh nëpër qytetin shkretinor, duke marr me vete çdo gjë që kishte mbetur nëpër shtëpi dhe tani të gjithë derdhen në Xhami dhe para Xhamisë
Në mihrab është Pejgamberi i All-llahut Muhammedi (s). Me një zë të molisur, e udhëheq namazin. Pastaj ngjitet në mimber. Deri te shkalla e tretë. Prej aty dalin fjalët e tij: – Çdo gjë ndodh me vullnetin e Krijuesit të Lartësuar dhe e ka përfundimin e vet. Vetëm All-llahu është i përjetshëm. Juve ju porosis bërjen e veprave të mira.
Shprehni ajetët: – Vel Asri! Innel-insane lefi husr… Ua përkujton betimin e All-llahut në kohën – që nuk janë në humbje vetëm ata të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira dhe të cilët e këshillojnë njëri tjetrin për të vërtetën dhe durimin. Zëri është i dobët. Askush nuk merr frymë. Të gjithë ishin shndërruar në vesh. – Kaloi koha ime midis jush. Asnjëherë ndaj askujt nuk kam dashur të shpreh as urrejtje as hakmarrje. Mos lejoni të shkoj me borxh ndaj dikujt. Nëse dikujt i ka mbetur borxh në para, tani do ti kthehen. Nëse dikë e kam goditur, le t’ ma ktheje atë…
I kishte mësuar ata që është mirë të derdhet loti edhe për shkak të brengës, pikëllimit dhe gëzimit, që nuk është njeri ai që nuk e bën këtë, dhe se ai është ibadet. Mirëpo, sado që përpiqeshin të respektonin porosinë e tij që të mos e shprehin me zë të lartë brengën, pikëllimin dhe hidhërimin e tyre, tani atyre u shqyhet gjoksi nga dhimbja dhe në Xhami shpërthejnë psherëtimat. Dhe pikërisht në fund u vërtetohet kënd e kanë pasur. Duke mos dashur të ballafaqohen me fundin e pashmangshëm, nuk iu shkon as ndërmend ta humbasin. Ai i fton: – Le ta kërkojë secili të drejtën e tij!
Heshtja e xhamisë u ndal: – O Pejgamberi i Zotit, mua m’i ke borxh tre dërhemë! Isha me ty kur kaloi një i varfër. I more hua prej meje dhe ia dhe atij. Muhammedi (a.s.) buzëqeshi dhe urdhëroi që t’i sjellin tre dërhem nga shtëpia e tij. Pastaj, fjalët që e ngrinë ajrin shumë të nxehtë: – O Pejgamberi i Zotit unë jam Ukkashe. Ishte kjo në Taif. Më goditi kamxhiku që e ngrite ti derisa unë po kaloja. Kërkoj hakmarrje!
Ajri shumë i nxehtë filloi të pëlcas para rrëmbimit (shpërthimit) të urrejtjes. Ushtoi Xhamia. Të gjithë do ta kapnin dhe do ta copëtonin faqeziun. I ndalë dora e pejgamberit të All-llahut (s): – O Bilal, mos të të shohë Fatimja, ma sill kamxhikun tim. Murmurimën e urrejtjes e ndal Aliu: – O Ukkash, për atë goditje, ma kthe mua njëqind herë! Ukkashe refuzon. Kërcen Omeri dhe hera e parë që nuk kërkon lejen e Pejgamberit të Zotit: – Do të copëtoj o tash o kur ta ngresh dorën me kamxhikun!? – O Omer, largohu! – I thotë Muhammedi (s)
Omeri, një njeri gjigant, largohet si një fëmijë, e nga kraharori (gjoksi) i shpërthen gjëmimi. Përzihet Osmani: – O Ukash, më lejo që ta paguaj me njëqind deve atë goditje. Ukashe refuzon pasurinë kolosale. Bilali ia sjell kamxhikun Pejgamberit të All-llahut (s). Pejgamberi (s) i thotë Ukkashit që të afrohet. Ia jep kamxhikun. Pëlcet, shpërthen ajri (atmosfera) tashmë e ndezur flakë në Xhami. Zjarrin e fik zëri i njeriut me kamxhik në dorë. Ukkashe: – O pejgamberi i All-llahut, kur më ka gërvishtur kamxhiku yt, gjoksi im ka qenë i zbuluar. Më ke goditur në trup të zhveshur, po… a kaq larg?
Dhe jo ndaj kujtdo qoftë, e madje edhe në xhami, në këtë xhami, dhe atë ndaj atij që është i sëmur për vdekje, a kështu vallë ndaj Pejgamberit të All-llahut? Muhammedi kurrë nuk e ngriti veten, kurrë nuk e shfrytëzoi atë që nuk e kishin të tjerët… Kurrë nuk ka pas, as nuk do të ketë njeri si ai. E tani, kur është… Vallë a atij t’i bëhet kjo gjë.? Nuk do të mundet… Jeta e Ukkashit ka marr fund. Atë mund të vazhdojë vetëm dora e ngritur e Pejgamberit të Zotit. Ai e ngre. Populli pajtohet (qetësohet). Me dorën tjetër e zbërthen xhyben. Ukkashe u hodh me kamxhik. Ukkashe e ngrit kamxhikun. E ngrit edhe dorën tjetër. Me të dy duart i afrohet Muhammedit (s), e përqafon me butësi dhe ia puth gjoksin e tij.
I ra kamxhiku Ukkashës pas shpinës së Pejgamberit të Zotit (s). Ukkashe qanë me zë më dhimbshëm se i biri Hatabit, se Omeri, e nga gjoksi i tij shkëputën copat e fjalëve: – O Pejgamberi i All-llahut, për shpëtimin e jetës tënde e ofroj jetën time dhe jetën e prindërve dhe fëmijëve të mijë! Këtë e bëj, sepse më lejove që fytyrën time ta bashkoj me gjoksin tënd dhe ta puth vendin ku rreh zemra jote e pastër…
Nga fjalët e Ukashës kuptohet kërkimi që ta falë Pejgamberi i All-llahut (s). Po të mos betohej All-llahu (xh. sh.) në kohën dhe sikur të mos ndodh kjo në xhaminë e Pejgamberit të Zotit në Medine, do të ishte sikur është jashtë kohës dhe hapësirës. Xhamia qanë. Nuk mund ta ndal vajin nga gëzimi. Dhe të gjitha këto i ndërpret dora e djathtë e pejgamberit të All-llahut (s). U ngrit pak, aq sa pati mundësi. Në fytyrë i shkëlqeu buzëqeshja. E lëshon dorën në kokën e Ukkashës. E shpreh lutjen: – E lus All-llahun e dashur që ty dhe të gjithë ata që besojnë t’i shpëtojë nga zjarri i xhehenemit!
Marrë nga: www.sadrvan.com
Përktheu: Mr. Muhidin Ahmeti