Kanada, iftare mobile nën masat anti-COVID-19

Kanada, iftare mobile nën masat anti-COVID-19

Në qytetin Hamilton të Kanadasë, pandemia e koronavirusit (COVID-19) ka shkaktuar që të organizohen aktivitete alternative për muajin e Ramazanit në xhamitë të cilat janë mbyllur si pjesë e masave parandaluese, raporton Anadolu Agency (AA).

Për shkak të faktit se vaktet e iftarit dhe syfyrit, të cilat ofrohen në xhamitë në gjithë vendin gjatë Ramazanit, nuk mund të bëheshin këtë vit për shkak të masave anti-COVID-19, në shumë xhami dhe mesxhide tani po ofrohen “iftare mobile”.

Në disa xhami, leximet dhe predikimet e hoxhallarëve transmetohen drejtpërdrejt në llogaritë e mediave sociale gjatë muajit të Ramazanit, ndërsa disa hoxhallarë u mësojnë fëmijëve njohuri fetare nëpërmjet lojërave online për fëmijë.

Organizata rinore muslimane Seeds of Leadership ofroi gjithashtu për herë të dytë iftare mobile, praktikë kjo e cila filloi të premten e parë të muajit Ramazan dhe do të përsëritet çdo të premte gjatë Ramazanit.

Kreu i organizatës, Chihab Kaab, deklaroi për AA se ata po përpiqen të përgatisin rininë muslimane si udhëheqës të së ardhmes.

“Edhe përpjekja në këtë organizatë u përket atyre”, tha Kaab.

Koordinatorja e Organizatës, Yasmen Zaghloul, tha se do të shpërndajnë një total prej 2.000 vaktesh iftari, 500 në çdo të premte gjatë Ramazanit.

“Ne i shërbejmë vaktet tona të iftarit për të gjithë, qofshin muslimanë apo jomuslimanë. Qëllimi ynë është të ndajmë bukuritë tona me komunitetin kanadez si muslimanë në këtë muaj të bekuar”, tha Zaghloul.

Nga ana tjetër, Abdullah Abdi, Nënkryetar i Xhamisë Qendrore në Hamilton, ku u mbajt ngjarja, tha:

“Për vite me radhë, ne kishim iftare dhe madje edhe syfyre në xhamitë tona çdo Ramazan. Të gjitha qendrat e lutjeve u mbyllën për shkak të COVID-19. Kjo është arsyeja pse ne po e përjetojmë me pikëllim këtë muaj të Ramazanit. Në këtë xhami çdo vit gjatë muajit të Ramazanit, ofronim iftar për 400 deri në 500 persona dhe syfyr për të paktën 50 persona”.

“Xhamitë janë gjithçka për ne, por ne duhet të organizonim ngjarje alternative kur ato u mbyllën për shkak të COVID-19”, shtoi Abdi.