Katari të enjten do të shpërndajë ndihmë financiare për 100.000 familje palestineze në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Një shumë prej 100 dollarësh do të shpërndahet për çdo familje në nevojë”, tha në një deklaratë Mohamed al-Emadi, kreu i Komitetit të Katarit për Rindërtimin e Gazës.
Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, të dielën premtoi ndihmë prej 360 milionë dollarësh për territorin palestinez.
Agjencia zyrtare e lajmeve QNA tha se granti do të përdoret “për të paguar pagat e punonjësve, për të siguruar ndihmë financiare për familjet në nevojë dhe për të operuar stacionet elektrike me qëllim që të kufizohet përkeqësimi i situatës humanitare dhe kushtet e vështira të jetesës”.
Komiteti i Katarit për Rindërtimin e Gazës, i lidhur me Ministrinë e Punëve të Jashtme, zbaton dhjetëra projekte jetësore në Gaza përveç shpërndarjes së rregullt të pagave mujore për familjet e varfra.
Rreth dy milionë palestinezë jetojnë në Gaza dhe ai rajon ka qenë nën një bllokadë të plotë tokësore, ajrore dhe detare nga Izraeli që nga viti 2006.