Rtv Pendimi

KATËR POROSI BASHKËSHORTORE

Gabon ai që mendon se rruga drejt arritjes dhe plotësimit të lumturisë bashkëshortore është e shtruar me lule. Gënjen edhe ai që pretendon realizimin e kësaj harmonie familjare pa paguar çmimin e duhur, madje arritja e kësaj lumturie është e bazuar fillimisht në perspektivën e bashkëshortëve dhe në gatishmërinë e tyre të përhershme për bashkëpunim të ndërsjellë në korrjen e lumturisë bashkëshortore.

Meqë secili nga bashkëshortët ka natyrë të ndryshme, nga secili prej tyre kërkohet që ta kuptojë mentalitetin e tjetrit në mënyrë që të mos nxihet dhe shkatërrohet bashkëjetesa. Duke u nisur nga kjo ekzistojnë rregulla dhe zgjidhje të posaçme të problemeve derisa të kthehet përsëri qetësia, mirëkuptimi dhe harmonia mes tyre.

Shumë edukatorë janë përpjekur të nxjerrin mësime të dobishme nga përvojat e përditshme, duke mos u mbështetur vetëm në tezat teorike, për të vendosur parimet e përvojës dhe eksperiencës së tyre në mënyrë që t’i garantojnë familjes një jetë të sigurt. Në vijim do të përmendim disa nga këto mësime të rëndësishme, të cilat ndikojnë pozitivisht në vazhdimin e lumturisë bashkëshortore.

1.     Zgjidhja e problemeve të jetë specifike mes dy çifteve

Nuk i rrënon lidhjet bashkëshortore asgjë më shpejt sesa ndërhyrja e faktorëve të jashtëm, sidomos familja e tyre.

Inkuadrimi direkt dhe i vazhdueshëm i familjes në zgjidhjen e problemeve mes çifteve nuk sjell rezultate të kënaqshme, por vetëm sa e shton edhe më tej mosmarrëveshjen dhe keqkuptimin, si rrjedhojë e mbizotërimit të injorancës tek shumica e njerëzve. Kështu, në shumicën e rasteve familja e bashkëshortes anon në favor të vajzës së vet, e përkrahin atë edhe nëse ajo është në gabim. Edhe familja e djalit asnjëherë nuk e ndihmon vajzën, edhe nëse dëmi që i shkaktohet asaj është mjaft i qartë.

Nuk tolerohet ndërhyrja në çështjet bashkëshortore, me përjashtim të rastit kur bëhet fjalë për gjykim mes tyre, ashtu siç ka urdhëruar Allahu i Lartësuar: “Nëse i druheni ndarjes midis burrit e gruas, atëherë caktoni një ndërmjetës nga ana e burrit dhe një nga ana e gruas. Në qoftë se ata dëshirojnë paqësim, Allahu sjell marrëveshje midis tyre. Allahu, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i di të gjitha qëllimet.” Nisa 

Nëse bashkëshortët mundohen t’i zgjidhin problemet pa ndërhyrjen e jashtme, në këtë rast rezultatet do të ishin shumë më të mira dhe shumë shpejt në jetën e tyre do të kthehej lumturia sepse dashuria, afërsia dhe pjekuria e tyre shpirtërore u mundëson t’i tejkalojnë me lehtësi sfidat dhe problemet mes tyre, madje ndikon edhe në harrimin e dëmit të shkaktuar ndaj njëri-tjetrit. Familjet e tyre nuk mund t’i përjetojnë ndjenjat e bashkëshortëve ndaj njëri-tjetrit dhe nuk mund t’i harrojnë problemet mes çifteve. Në brendinë e tyre, ata nuk i harrojnë dot dhembjet e shkaktuara nga burri i vajzës së tyre apo nga gruaja e djalit të tyre dhe ua rikujtojnë ato probleme bashkëshortëve herë pas here. Nëse ndodh edhe më e vogla mosmarrëveshje mes bashkëshortëve, familjarët i ndërlidhin me ngatërresat e mëhershme, të cilat janë të ndjeshme dhe me pasoja për bashkëshortët, kështu që nga një mosmarrëveshje e vogël, nën ndikimin e familjes, jeta e dy bashkëshortëve mund të bëhet e mjerë e ndoshta edhe të shkatërrohet në tërësi.

2.   Respekti i ndërsjellë

Disa njerëz, gabimisht, të prirë nga ndikimi i mediave, mendojnë se themeli kryesor mbi të cilin ndërtohet familja është vetëm dashuria e asgjë tjetër dhe se në mungesë të saj nuk mund të krijohet asnjë lidhje martesore.

Dijetarët që i bazojnë hulumtimet e tyre në të kuptuarit e dispozitave kur’anore, kanë arritur në përfundimin se lidhjet e mirëfillta familjare ndërtohen vetëm atëherë kur mes bashkëshortëve ka dashuri dhe mëshirë. Kjo është shtylla kryesore mbi të cilën zbukurohet e gjithë jeta martesore, respekti i ndërsjellë mes dy çifteve të reja, ngase çdo njeri, i vogël apo i moshuar, dëshiron të respektohet dhe nderohet. Këtu nuk bëhet dallim mes burrit dhe gruas sepse secili gëzon të drejtën e vet dhe është i barabartë në plotësimin e të drejtave dhe obligimeve; ashtu si bashkëshorti dëshiron të jetë i respektuar dhe i nderuar në shtëpinë e tij nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij, ashtu edhe bashkëshortja e kërkon një gjë të tillë nga bashkëshorti dhe fëmijët e saj.

Respektimi i ndërsjellë mes bashkëshortëve është vlera kryesore ndaj së cilës duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos e injorojmë asnjëherë, edhe nëse dashuria dhe kushtet materiale nuk janë në nivelin e dëshiruar.

Ekziston mundësia që të humbasë apo të zbehet dashuria dhe ndikimi i saj te të dy bashkëshortët për shkak të ballafaqimit me problemet që përjeton secili, por megjithatë jeta martesore mund të vazhdojë edhe më tej. Mirëpo nëse cenohet respekti dhe ka plasaritje në bazat e tij, atëherë jeta familjare nuk posedon asnjë vlerë.

3.     Inkuadrimi në personalitetin e tjetrit

Për një periudhë të gjatë apo të shkurtër pas martesës jetën bashkëshortore mund ta kaplojë monotonia, ditët kalojnë me të njëjtin ritëm dhe rutinë, ndërsa secili prej bashkëshortëve jeton i izoluar dhe kundërshton fuqishëm ndërhyrjen e tjetrit sepse në këtë gjendje të vetmuar mendon se ka gjetur qetësinë dhe lumturinë shpirtërore. Nga këtu kuptohet nevoja për rifreskimin e jetës bashkëshortore, për krijimin e një klime të re aktive, e cila pastaj do të rikthejë lidhjen e bashkëshortëve, do të përmirësojë raportet mes tyre si dhe do të ndihmojë në integrimin e tyre intelektual dhe emocional. Lumturia do të ringjallet dhe do të përfshijë gjithë familjen.

Kështu, ne kemi gjetur zgjidhjen e problemeve duke u mbështetur në inkuadrimin e bashkëshortëve në personalitetin e njëri-tjetrit, pavarësisht nëse ky bashkëpunim është nga të dyja palët apo nëse njëri prej tyre orvatet të pranojë idetë e tjetrit dhe të hyjë në botën e tij intime me kujdes e dashuri.

A nuk ekziston mundësia që bashkëshortja të merret me një sport, të inkuadrohet në tregun e aksioneve (në bursë), në internet, në politikë etj., gjithnjë nëse nuk bie ndesh me ndonjë dispozitë fetare, sidomos kur aktivitete të tilla do ta afrojnë tek burri i saj në aspektin intelektual, duke ndërtuar urë lidhëse mes diskutimeve konstruktive të tyre dhe duke eliminuar njëherë e përgjithmonë memecërinë bashkëshortore, nga e cila vuajnë shumica e çifteve? Nga burri kërkohet që ta mirëpresë këtë iniciativë të gruas së tij me zemërgjerësi dhe asnjëherë mos ta konsiderojë atë si thyerje të intimitetit të tij dhe ndërhyrje në çështjet e tij personale, por ta kuptojë drejt dëshirën dhe qëllimin e saj dhe madje ta mbështesë sipas mundësive të tij.

Jo vetëm kaq, por nga bashkëshorti kërkohet që ta shoqërojë gruan e tij në shqetësimet e saj dhe të mundohet ta zvogëlojë hendekun midis tyre. Sa mirë do të ishte sikur të dyja palët të inkuadrohen në aktivitete të përbashkëta, të cilat vetëm se do ta shtonin afërsinë mes tyre, si për shembull vizitat e përbashkëta nëpër jetimore, shoqata bamirëse, shtëpitë e të moshuarve etj., apo të shoqërohen në diçka që u bën dobi në dunja dhe ahiret, që Allahu i Lartësuar të jetë i kënaqur ndaj tyre, bie fjala programi për mësimin e Kur’anit Famëlartë, rifreskimi i njohurive të tyre fetare, gjuhësore e teknike. Në këtë mënyrë kanë mundësi çdo herë që të hapin diskutime të përbashkëta, nga të cilat do të shtohet afërsia mes tyre dhe do të largohet mërzia martesore që buron si rezultat i mospranimit të ideve të njëri-tjetrit dhe i mosbraktisjes së pozicioneve larg njëri- tjetrit.

4.     Aftësia e përdorimit të gjuhës së dhuratave

 Dhuratat zënë një vend të rëndësishëm dhe kanë ndikim të lartë në psikologjinë njerëzore. Përmes këmbimit të tyre shfaqet vlerësimi, respektimi, vëmendja dhe interesimi ndaj atij që i dedikohet dhurata. Dhuratat janë argument i dashurisë dhe përkujdesjes së ndërsjellë. I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem na porositi të shkëmbejmë dhurata sepse ato ndikojnë në lidhjen dhe afrimin e zemrave në përgjithësi, ashtu siç ndikojnë pozitivisht dhe lënë gjurmë të thella në forcimin e dashurisë reciproke mes dy bashkëshortëve. Në hadithin e shënuar nga Buhariu dhe të transmetuar nga Ebu Hurejra, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Këmbeni dhurata, do të duheni.” Po të vlerësohet ky hadith në aspektin gjuhësor, shihet se folja “do të duheni” ka ardhur në mënyrën kushtore dhe midis saj dhe foljes paraprake nuk ka ndonjë lidhëz. Në gjuhën arabe kjo argumenton edhe më shumë se dashuria është rezultat i pakontestueshëm i shkëmbimit të dhuratave.

Sa i përket shkëmbimit të dhuratave në jetën bashkëshortore, themi se ajo është një gjuhë e veçantë që nuk mund të shpjegohet me fjalë. Dhuratat zotërojnë ndikim magjik në dërgimin e mesazheve tek personi i dëshiruar, ato mbartin në vetvete kuptime të gjera dhe i dërgojnë ato në vendin dhe kohën e duhur; përmes tyre bashkëshortët shprehin mirënjohjen dhe falënderimin e ndërsjellë pas përfundimit të ndonjë pune të rëndësishme, shfaqin përmallimin pas ndonjë sëmundjeje, aksidenti, mungese të gjatë e të shkurtër etj.. Dhuratat shërbejnë edhe si kërkim faljeje për ndonjë gabim të ndodhur. Kjo është evidente te meshkujt më tepër se tek femrat ngase ata, për nga natyra e tyre, nuk mund t’u kërkojnë falje bashkëshorteve me fjalë apo me ndonjë metodë tjetër të drejtpërdrejtë, por e shfrytëzojnë dhuratën si mesazh arsyetimi ndaj partnerit të jetës. Shkëmbimi i dhuratave shpreh dashurinë e thellë dhe të vjetër mes tyre pas kalimit të shumë viteve martesë, lindjes dhe problemeve me fëmijët, e cila njihet si apati emocionale. Dhurata vjen si një surprizë për çiftin, simbolizon një shkreptimë që ndriçon zemrat e tyre dhe tregon kufirin e dashurisë që gëzon secili ndaj njëri-tjetrit.

Ndikimi i dhuratave është aq i madh, saqë zemrat më të urryera i shndërrojnë në zemrat më të dashura. Meqë dhuratat ndikojnë pozitivisht te burrat, atëherë duhet të bindemi se ndikimi i tyre tek femrat është edhe më i madh, pasi dihet që zemrat e tyre emocionalisht janë më të buta.

Përdorimin e dhuratave e praktikonte edhe Pejgamberi salallahu alejhi ue selem. Ai e shfrytëzonte atë si mjet për zbutjen e zemrave dhe ngjalljen e dashurisë, pasi e njihte mirë ndikimin e madh të tyre. Safuan ibën Ummeje, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon një ngjarje të shënuar nga Muslimi. Safuani ishte njeri që e urrente pa masë Pejgamberin salallahu alejhi ue selem. Njëherë Safuani tha: “Më dërgonte Pejgamberi salallahu alejhi ue selem dhurata herë pas here, edhe pse ishte personi më i urryer për mua. Pastaj vazhdoi të më dërgonte edhe më tej dhurata, derisa u bë personi më i dashur për mua.

Përktheu: Fazli Bunjaku

TË NGJAJSHME