Kazakistani do të vazhdojë të eksportojë grurë dhe miell në Afganistan

Ministri i Bujqësisë së Kazakistanit, Yerbol Karashukeyev deklaroi se eksporti i grurit dhe miellit kazak në tregjet tradicionale si Azia Qendrore, Irani dhe Afganistani do të vazhdojnë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij në mbledhjen javore të Këshillit të Ministrave sot, Karashukeyev tha se 23 milionë hektarë tokë u mbollën në të gjithë vendin këtë vit dhe 16 milionë hektarë nga kjo ishin prodhime drithi.

Ai theksoi se 95 për qind e punimeve të korrjes janë përfunduar në të gjithë vendin dhe se planifikojnë të korrin 16 milionë tonë grurë këtë vit.

Karashukeyev shtoi se Kazakistani do të vazhdojë të eksportojë miell në Afganistan. “Në periudhën e re, gruri dhe mielli kazak do të dërgohet kryesisht në tregjet tradicionale si Azia Qendrore, Irani dhe Afganistani. Gjithashtu, ne mund të rrisim eksportet në Kinë këtë vit për shkak të cilësisë së lartë të grurit”, tha ai.

Gjithashtu dihet se dy të tretat e miellit të eksportuar nga Kazakistani dërgohen drejtpërdrejt në Afganistan.

Kryeministri kazak Askar Mamin tha se thatësira në vend këtë vit kishte ndikim negativ në produktet e drithërave. “Përkundër kësaj, kërkesa e brendshme për grurë në vend do të përmbushet plotësisht. Ne po planifikojmë të eksportojmë afërsisht 6.5 milionë tonë grurë jashtë vendit”, tha ai.