Keqtrajtimi Ndaj Pensionistëve

Nga Arian Xhezairi

Në fund të fundit nuk na qenka edhe krejt fare e pabazë ajo thënja “as shkau nuk na ka bâ ma zi”. Natyrisht mund të vjen në shprehje në raste të izoluara por megjithatë evidente.

Për me t’kursyer prej gjykimit t’ngutshëm, ja një rast tipik i këtillë.

Përafërsisht shtatë vite e këndej të para luftës, e mbaj mend kur vinte Ali postieri tek dera e shtëpisë për të sjellë pensionin e gjyshit tim, tash 83 vjeç e atëherë në fillim të gjashtëdhjetave. Për ca kohë Aliu kishte sjellë edhe ‘shtesat e fëmijëve’ nëse mbaj mend mirë.

Sot shtesa të fëmijëve rrallë kush merr. Ndërkaq çfarë është pikëlluese është fakti se për të marr pensionin e tij, gjyshit tim të paaftë për të ecur dhe me epilepsi të pjesshme, diabetik dhe me prostat të dëmtuar, i kërkohet nga Banka të paraqitet fizikisht për të bërë këtë tërheqje, e cila në shumë nuk i ngjan as për afër asaj që merrte nën regjimin e shkaut.

Natyrisht, gjyshi im nuk është i vetmi që gjendet në këtë pozicion. Mbase ka edhe shumë raste më të rënda të pensionistëve të tjerë. Por ajo që më bën përshtypje është çasja kaq rigoroze në shpërndarjen e parasë së popullit, të marur nga vetë populli, nga individ që e vjedhin mu këtë popull dhe në sasi astronomikisht më të mëdha se që ia kthejnë po këtij populli.

Pangopshmëria e tyre, i ka bërë këta matrapazë të shpikin mekanizma parandaluese të vjedhjes apo keqpërdorimit të pensioneve, gjë që është padyshim shumë e mirëseardhur, sikur të niseshin edhe nga vetet e tyre. Por do mundohesha më kot t’i ftoja të dalin përtej interesit e ta fuqizojnë një praktik të njëjtë ndaj keqpërdorimit të parasë publike që i bëjnë vet këta me kolegë të tyre, sepse është pikërisht kjo para që ia u shuajti fukarallëkun e i transformojë në milionerë.

E prej saj vështirë se do t’mund të hiqnin dorë, ndonjëherë.