Kërcënimi i shumëfishtë: Ndryshimet klimatike dhe migracioni

Karim Elgendy

Autori i shkrimit është bashkëpunëtor në Chatham House

Migrimi ndërkombëtar është një tipar në rritje i botës moderne. Në vitin 2020, numri i njerëzve që jetojnë në vende të ndryshme nga vendi ku kanë lindur arriti në 281 milionë. Pjesa e tyre në popullsinë globale gjithashtu arriti nivelin më të lartë ndonjëherë në 3.6 për qind. Në fund të vitit 2021, 89.3 milionë njerëz në mbarë botën u zhvendosën me forcë nga shtëpitë e tyre, shumica e të cilëve ishin të zhvendosur brenda shtetit të tyre.

Megjithatë, më shumë se 36 milionë njerëz në mbarë botën janë refugjatë dhe azilkërkues ndërkombëtarë. Dy të tretat e të gjithë njerëzve të zhvendosur janë me origjinë nga Siria, Venezuela, Afganistani, Sudani i Jugut dhe Mianmari. Türkiye aktualisht strehon numrin më të madh të refugjatëve, me 3.8 milionë, e ndjekur nga Kolumbia, Uganda, Pakistani dhe Gjermania. Zhvendosja e tyre shpesh shkaktohet nga konflikti, persekutimi, dhuna dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Por, tani shihet edhe një tjetër shkak i migrimit në rritje: ndryshimet klimatike.

Refugjatët klimatikë

Ndryshimet klimatike pritet të përshpejtojnë zhvendosjen e popullsisë si në mënyrë direkte ashtu edhe indirekte. Ngjarjet e papritura klimatike si përmbytjet dhe stuhitë shpesh i detyrojnë njerëzit të zhvendosen përgjithmonë në vendet e afërta. Ndikimet e ngadalta të ndryshimeve klimatike si rritja e nivelit të detit, kripëzimi i tokës bujqësore, thatësirat, problemet e sigurisë ushqimore dhe mungesa e ujit mund të çojnë gjithashtu në migrim. Ndërsa temperaturat globale rriten, brezi i zonës së banueshme në hemisferën veriore pritet të zhvendoset drejt veriut.

Zonat ekuatoriale të cilat përshkruhen si të vështira për të jetuar mund të rriten nga 1 për qind e tokës në pothuajse një të pestën deri në vitin 2070, duke mbuluar zona të gjera në Afrikë, Azinë Jugore, Amerikën Latine dhe Australi. Kjo mund të shoqërohet me një zhvendosje kah veriu, drejt tokave të punueshme të përshtatshme për rritjen e kulturave kryesore si gruri. Rritja e nivelit të detit paraqet gjithashtu një kërcënim në rritje për komunitetet bregdetare. Gjatë 30 viteve të fundit, popullsia bregdetare në zonat me rrezik të lartë të rritjes së nivelit të detit u rrit nga 160 milionë në 260 milionë, 90 për qind e të cilëve janë në vendet me të ardhura të ulëta dhe në shtetet e vogla ishullore.

Në mënyrë më pak të dukshme, këto procese të ngadalta mund të shkaktojnë migrimin për shkak të ndikimeve të tyre afatgjata, të tilla si reduktimi i të ardhurave, përkeqësimi i kushteve ekonomike si dhe konfliktet e shkaktuara nga ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe konkurrenca për burimet natyrore gjithnjë e më të vogla. Këto ndikime kaskadë u panë kohët e fundit në Siri, ku thatësira më e keqe në 800 vjet çoi në shkretëtimin e tokës bujqësore që dikur ishte pjellore. Si rezultat i kësaj ranë rendimentet e të korrave, 800 mijë njerëz humbën të ardhurat e tyre dhe 85 për qind e bagëtive në pronësi private ngordhën, diku 1.5 milionë punëtorë ruralë u zhvendosën në periferi të qyteteve siriane për të gjetur punë ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën. Duke pasur parasysh pasiguritë e rëndësishme në lidhje me skenarët e ndryshimeve klimatike, zbatimi i masave të përshtatjes dhe faktorë të tjerë socio-ekonomikë, politikë dhe demografikë, vlerësimet për migrantët klimatikë variojnë në masë të madhe nga 25 milionë në 1 miliard migrantë deri në vitin 2050, ku më së shumti flitet për 200 milionë.

Ndryshimet klimatike si kërcënim i shumëfishtë

Përveç ndikimeve të saj afatgjata, ndryshimet klimatike mund të veprojë si një kërcënim i shumëfishtë, duke përkeqësuar kushtet ekonomike dhe tensionet politike dhe duke shtuar ndikimet e konflikteve ekzistuese mbi zhvendosjet. Ndërsa mbetet e vështirë që t’i atribuohet ndonjë konflikt i armatosur apo dhunë ndryshimeve klimatike, ekziston një korrelacion i rëndësishëm midis cenueshmërisë klimatike nga njëra anë dhe dhunës dhe konfliktit nga ana tjetër. Vlerësohet se 95 për qind e të gjitha zhvendosjeve nga konfliktet në vitin 2020 kanë ndodhur në vende të cenueshme ose shumë të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike.

Ndryshimet klimatike mund të çojë në cikle vicioze. Kur shpërthejnë konfliktet, ato tentojnë të garantojë burimet natyrore dhe infrastrukturën, duke reduktuar elasticitetin ndaj ndikimeve klimatike. Për shembull, 95 për qind e furnizimit me ujë në Rripin e Gazës është i ndotur nga ujërat e zeza dhe infiltrimi i ujit të detit. Në Siri, konflikti dëmtoi gjysmën e infrastrukturës së tubacionit të ujit të vendit, duke ulur normat e furnizimit me ujë nga 5 deri në 30 për qind të niveleve të paraluftës.

Sistemi aktual global është i papërgatitur që të merret me ndikimet ekonomike të ndryshimeve klimatike dhe konfliktet e lidhura me klimën. Gjithashtu i mungon mekanizmi që të përballojë zhvendosjet në shkallë të gjerë që do ta shoqërojë. Njohja e kohëve të fundit e nevojës për kompensimin e humbjeve dhe dëmeve për vendet e prekura më keq nga ndryshimet klimatike tregon një njohje në rritje të sfidës. Megjithatë, zgjidhja më e mirë dhe më pak e kushtueshme për krizën e ardhshme të migracionit klimatik është kufizimi i rritjes së temperaturave globale duke reduktuar emetimet e karbonit. Ndryshimet klimatike janë kriza më e madhe mjedisore me të cilën jemi përballur, por nuk duhet të jetë gjithashtu edhe një krizë humanitare.

 

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency