Temim ibën Euv’s ed-Dari, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton që Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Feja është këshillë!” I thamë, për kë o i Dërguar i Allahut? Tha: “Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për prijësit e muslimanëve dhe muslimanët në përgjithësi.”
Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë se ky hadith radhitet në mesin e atyre haditheve që për to është thënë se janë një e katërta e fesë.
Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë se ky hadith çështjen e ka madhështore dhe rreth tij sillet islami, kurse ajo që është thënë nga një grup dijetarësh se ky hadith llogaritet një e katërta e fesë, e që do të thotë se bën pjesë në mesin e katër haditheve që feja sillet rreth tyre, nuk është ashtu, sepse feja e tëra sillet vetëm se rreth këtij hadithi… Allahu e di më së miri.
Këshilla për Allahun; nënkupton përshkrimin e Allahut me atë që e meriton të përshkruhet, nënshtrimi ndaj Tij me gjymtyrë dhe me brendësi, dëshira për ta shtuar dashurinë ndaj Tij me kryerjen e adhurimeve, braktisja e mëkatit nga frika e zemërimit të Tij dhe lufta për kthimin e mëkatarëve drejt Tij.
Këshilla për Librin e Tij; nënkupton mësimin e tij, mësimdhënien e tij, respektimi i rregullave gjatë leximit të tij, të shkruarit e drejtë të shkronjave të tij, kuptimi i qëllimeve të tij, ruajtja e kufijve të tij, të punuarit me të dhe mbrojtja e tij nga ndërhyrjet e keqinterpretuesve.
Këshilla për të Dërguarin e Tij; nënkupton respektimin e tij, përkrahjen e tij të gjallë si dhe pas vdekjes së tij, ringjallja e sunetit të tij duke e mësuar apo duke ia mësuar atë të tjerëve, pasimi i tij në thëniet dhe veprat e tij, të dashurit e tij dhe të dashurit e ithtarëve të tij.
Këshilla për prijësit e muslimanëve; nënkupton të ndihmuarit e tyre në atë që janë ngarkuar për ta realizuar, përkujtimin gjatë shkujdesjes, mbulimin e të metave gjatë gabimeve, mos rebelimi ndaj tyre, kthimin e atyre që janë larguar nga respektimi i tyre, dhe ajo më madhështorja nga të këshilluarit e tyre është largimi i tyre nga të bërit padrejtësi në mënyrë sa më të bukur.
Këshilla për muslimanët në përgjithësi; nënkupton udhëzimin e tyre në atë që është më e mirë për ahiretin dhe dynjanë e tyre, pengimin e të dëmtuarit e tyre, të mësuarit e tyre atë që nuk e dinë nga feja, përkrahja e tyre me vepra dhe thënie, mbulimi i të metave të tyre, fshehja e mangësive, largimin e asaj që ju bën keq, të përfituarit e asaj që ju bën mirë, thirrja e tyre në të mirë dhe ndalimi i tyre nga e keqja me butësi dhe sinqeritet, të mëshiruarit e tyre, respektimin e të moshuarve nga ta, të mëshiruarit e të vegjëlve nga ta, të këshilluarit në vetmi me këshillë të bukur, braktisja e tradhtisë dhe zilisë ndaj tyre, të duhet për ta ajo që duhet për veten nga mirësia, të urrehet për ta ajo që urrehet për veten, mbrojtja e pasurisë dhe e nderit të tyre dhe çdo tjetër nga gjendja e tyre me thënie apo vepra, nxitja e tyre me pajisjen e gjithë asaj që e cekëm më lartë nga këshillat, aktivizimin e ambicieve të tyre drejt adhurimit.
Nga arabishtja: Irfan JAHIU