KESHILLO

KËSHILLA E PAPJEKUR

U nisa për udhëtim. Para se të hipja në aeroplan, më telefonoi një vajzë. Pyetja e saj ishte rreth një personi të sëmurë psiqikisht, i cili po kurohej me ilaçe për sëmundjen e tij dhe ky person nëse shkon ta kërkojë ndonjë vajzë për fejesë, a do të duhej ta lajmëronte familjen e vajzës për gjendjen e tij shëndetësore, duke marrë parasysh faktin se sëmundja e tij llogaritet e metë.

Përgjigjja ime ishte: Po, detyrohet ta lajmërojë familjen nëse ata nuk janë të njoftuar paraprakisht me gjendjen e tij.

Vajza më tha: “Unë jam e martuar me një person të sprovuar me sëmundje psikike. Ai, para se të vinte ta kërkonte dorën time për fejesë, është konsultuar me ty se a duhej t’i tregonte familjes së vajzës për gjendjen e tij! Ti i ke thënë se nuk e ka të patjetërsueshme ta lajmërojë familjen time.”

Fjalët e saj më ranë si rrufe mbi kokë, u shtanga dhe u trondita, nuk dija si t’i përgjigjesha dhe çfarë t’i thosha. Isha nisur për në udhëtim dhe nuk kisha as kohë t’i mendoja mirë fjalët e saj, ndërkohë i thashë: Nuk më kujtohet që kjo ka ndodhur, sepse qëndrimi im për raste të tilla është i njohur dhe i qartë. Unë njeriun me sëmundje psikike e llogaris me të meta, kështu që shumë njerëz nëse e dinë se ka probleme të tilla, nuk ia japin vajzën e tyre për grua.

M’i tha një sërë fjalësh qortimi, e la të gjithë fajin mbi mua për atë që i ndodhi dhe papritur ma mbylli telefonatën.

Dynjaja mu soll rreth e rrotull, ndjeva dhembje të madhe dhe u ngushtova. Si mundem që unë të jem shkak për vuajtjen e kësaj vajze?! U mundova ta kujtoja rastin se me të vërtetë a kishte ndodhur kjo prej meje. Nuk më kujtohej gjë. Ajo që e di për veten është se harroj shumë, megjithatë, prapëseprapë, nëse mua nuk më kujtohet rasti, kjo s’do të thotë se patjetër rasti nuk ka ndodhur.

Ky lloj i gabimit është prej atij lloji që nuk mund të përmirësohet, ndërsa kërkimfalja në këtë rast nuk ka ndonjë vlerë, ngase kërkimfalja nuk i lehtëson gjurmët e problemit, bile mund t’i shtojë në shpirtin e njeriut.

Kjo ngjarje ma kujtoi rastin e një të riu i cili nuk e përmbante veten dhe nuk i kontrollonte dot lëvizjet e tij. Rasti pati ndodhur në një dasmë në prezencën time. Atë natë vëllai i të porsamartuarit kishte veshur veshje që i përshtatej rastit, ndërkohë ky i riu i cili nuk rrinte rehat, u përplas me personin që i bartte gotat e çajit dhe të gjitha ato ranë mbi vëllanë e të porsamartuarit. Për t’u befasuar ishte qëndrimi i të riut, veç u kthye kah i vëllai i të porsamartuarit dhe me shumë ftohësi i tha: “Kërkoj falje”, dhe pastaj iku.

Vëllai i të sapomartuarit u ndal dhe me gjithë habi tha: “Çfarë është kjo? A kështu me shumë thjeshtësi më thotë ‘më fal’ dhe pastaj ik?!”

Llogaris që rasti im me vajzën nuk ishte më pak i keq se rasti i këtij të riu, bile rasti im ishte më i rëndë, sepse kulmi i dëmit të tij ishte që vëllai i të sapomartuarit t’i ndërronte rrobat që ishin përlyer me çaj, ndërsa unë me këshillën dhe mendimin tim, ndoshta, kam qenë shkaktar ta shkatërroj një familje dhe ta shkatërroj jetën e një vajze e cila u martua me një të sëmurë psikik. Po supozojmë që pas martesës së saj ka arritur të ndahet prej tij, megjithatë mundësitë e saj për martesë me dikë tjetër do të ishin më të vogla.

Koha po ecte në aeroplan, a unë i përjetoja dhembjet e problemit dhe po mundohesha t’i rezistoja mërzisë. Pasi zbrita nga aeroplani, ia dërgova vajzës një mesazh, i kërkova falje dhe i tregova se kërkimfalja ime për rastin e saj nuk mjaftonte. Edhe një herë ia vërtetova fjalët se nuk më kujtohej që ndokujt i kisha thënë ashtu, megjithatë nëse kishte dalë diçka e tillë prej meje, nuk mund të ketë qenë më shumë se një këndvështrim dhe interpretim imi. Mesazhin që ia dërgova, nuk ma ktheu.

– Nga natyra jam i tillë që kur konsultohem për raste të ndjeshme, nuk anoj të marr vendime të guximshme, sikur t’i them dikujt ta divorcojë gruan e tij, apo ta drejtojë gruan që të kërkojë divorc nga burri i saj, përveç në raste të rralla kur e shoh domosdoshmëri si në rastet e tradhtisë dhe të ngjashmeve me të. Në shumicën e rasteve kujdesem të mos e jap mendimin e prerë. Për atë që kërkon nga unë ta këshilloj, kjo nuk është nga soji i tradhtisë, mirëpo mendimi i rreptë i ka pasojat e veta. Kur e këshillon gruan të bëjë durim me burrin e saj apo e këshillon burrin të bëjë durim me gruan e tij, edhe nëse këshilla është e gabuar në këtë rast, prapëseprapë pasojat i ka më të lehta se ta këshillosh të divorcohen.

E njëjta gjë është kur një person konsultohet me ty për ta braktisur punën e tij apo për marrjen e një hapi të ri në jetën e tij, ti duhet të matesh mirë para se të japësh mendim të guximshëm, sepse ka mundësi të ndikojë për të keq në jetën dhe të ardhmen e tij.

Më mërziti shumë rasti i asaj vajze. Mendja më rrinte aty dhe nuk po gjeja qetësi. Derisa një ditë më telefonoi të më kërkonte falje dhe më tha: “E zbulova se nuk kishte qenë ashtu si mendoja, burri e pranoi dhe ma vërtetoi se gjatë konsultimit me ty i ke thënë se patjetër duhet ta lajmërosh familjen e vajzës për gjendjen tënde shëndetësore, megjithatë ai nuk ka punuar sipas këshillës sate.”

Fjalët e saj ma larguan brengën derisa mora frymë lirshëm dhe thashë: Elhamdulilah (Falënderimi i takon Allahut)! Unë këtë e di për veten dhe për këtë çështje kështu mendoj. Vajzën nuk e fajësova fare për asnjë fjalë që ma drejtoi, sepse, në të vërtetë, po të ishte kjo gjë ashtu si ajo mendonte, do t’i kisha merituar më shumë se ato fjalë që m’i tha.

Këtu në këtë rast unë nuk pata asnjë faj, mirëpo si ndodhi më tronditi shumë, derisa më futi në një pozitë të mendoja që kam rënë në gabim të rëndë që nganjëherë bien disa. Bëhet fjalë për çështjen e konsultimit që disa nuk e marrin me seriozitet; për personin që kërkon këshillë prej atij që di, ndërsa ky e dëgjon këshillën në gjendje të papërshtatshme dhe më pas ngutet në dhënien e mendimit të tij. E jep mendimin e tij duke ecur rrugës, duke blerë, duke shfletuar libër, apo duke folur me shokët e tij, kështu që nuk i mendon mirë pasojat e mendimit që e jep dhe gjurmët e tij se si ndikojnë tek të tjerët.

Ai që e merr këshillën, ka besim të madh te fjala e atij që e jep këshillën, derisa e pranon pa e menduar apo pa e diskutuar atë në shenjë respekti dhe besimi të plotë për mendimin e këshilluesit dhe përvojën së tij të gjatë.

Ky fakt e ngarkon këshilluesin me përgjegjësi të madhe, në veçanti, kur janë në pyetje mendimet e rrepta dhe situatat e ndjeshme. Këshilluesi duhet të jetë i guximshëm që të kërkojë kohë për të menduar më mirë (rreth konsultës që ia bëri personi) apo edhe të kërkojë falje e mos të japë mendim fare.

– Prej këtij rasti mësova se duhet ta dëgjoj mirë atë që kërkon të konsultohet, të ndalem gjatë para se të jap çfarëdolloj mendimi, t’i marr parasysh detajet që ndikojnë në dhënien e mendimit dhe të pyes për to para se t’ia paraqes mendimin tim atij që kërkon konsultë.

– Dhe mësova ta ngarkoj me përgjegjësi atë që kërkon këshillë duke i thënë: Ky është mendimi im sipas informacioneve që ti m’i ke dhënë. Mendimi im mbetet i varur nga personaliteti, nga mënyra e të menduarit tim dhe nga madhësia e informacioneve që i mora rreth temës. Që nënkupton se kjo të ngarkon më tepër me përgjegjësi për marrjen e vendimit.

– Po ashtu mësova se atij që më konsulton, t’ia prezantoj më shumë se një zgjidhje, sidomos kur situata është e tillë që përshtatet të jepen disa zgjidhje, të jetë i mundshëm zbatimi dhe krahasimi në të mes tyre. Pastaj ia qartësoj rrjedhojat për çdo zgjidhje. Nga këndvështrimi im kjo është shumë me rëndësi, sepse personit ia ngarkon pasojat e vendimmarrjes së tij. Po ashtu kjo ndihmon në zhvillimin e të menduarit te njerëzit dhe i rrit aftësitë e tyre të kenë vetëbesim në vendimmarrje.

Dr. Muhamed Duvejsh

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë nga libri: “Gabimet më mësuan”