artriti-urik-695x310

Këshillat e mjekut: Çka është artriti urik dhe si trajtohet?

Artriti urik i njohur si pezmatimi i nyjave shkaktohet nga çrregullimi i metabolizmit të acidit urik në organizmin e njeriut që si pasojë ka shfaqjen e inflamacionit në nyje.

Artriti urik akut karakterizohet me fillim të shpejtë , me dhimbje  shumë te forta dhe te padurueshme . Këto dhimbje janë shumë të forta më së shpeshti gjatë natës, sa që as batanija mbi nyjën e ataluar nuk mund të durohet për shkak të dhimbjeve aq të forta, për pak orë deri në 24 orët e para.

Po ashtu pacientët kanë temperaturë, djersitje, takikardi, mundim. Artriti urik akut zgjat disa ditë deri në një jave, por më së shpeshti 4-14 ditë. Ai atakon fillimisht një nyje, por në episode tjera mund të shfaqet artriti akut poliartikular.

Nyjet më të atakuara nga kjo sëmundje padyshim se janë: nyja metatarsofalangeale e gishtit të parë të këmbës (Podagra), por gjithashtu mund të preken edhe artikulacionet e gjunjëve (Gonagra), si dhe artikulatcionet e shuplakës (Chiragra). Marrë në përgjithësi diku 10 herë më shumë atakohen ekstremitete e poshtme se sa ato të sipërme.

Shpesh herë ekziston ndonjë faktor nxitës si p.sh., ushqimet yndyrore, alkooli, aktiviteti i shtuar fizik, infeksionet, stresi, operacionet, terapia hiperurikemike, infarkti akut i miokardit etj.

Pas shumë sulmeve mono-poliartrikulare, tek disa pacient mund të paraqiten sinovite kronike josimetrike, të cilat shpesh herë mund të ngatërrohen me ndryshime të cilat i përngjajnë artritit reumatoid.

Dr. Afrim Gashi, reumatolog – Foto: KALLXO.com

Te këta pacientë te të dhënat laboratorike diagnostike vërehet rritje e numrit të leukociteve, rritje e sedimentit të eritrociteve, rritje e vlerave ta acidit urik (por mund te jenë normale ose te ulura në rastin e krizave akute për shkak se në fazën akute ndodh aktivizim i shtuar i citokinave inflamatore të cilat kanë efekt urikozurik dhe në këtë mënyrë ndihmojnë në eliminimin eshtuar të acidit urik përmes urinës). Pra, në shumicën e rasteve nivelet e acidit urik në gjak janë të rritura

Por për diagnostikim duhet bërë matjen e acidit urik edhe në urinën 24 orëshe për arsye se duhet shikuar se a  kemi mbiprodhim apo ekskretim nën normë të acidit urik. Nëse në urinën 24 orëshe vërehet se kemi >800 mg acid urik duhet hulumtuar për shkaktarët të cilët kanë quar deri tek mbiprodhimi i acidit urik.Po ashtu duhet bërë ekzaminimi i urinë, niveli i kreatininës në serum, nivelet e lipideve, funksioni hepatik.

Për ta mjekuar këtë sëmundje fillimisht duhet të bëjmë qetësimin e sulmit sa më shpejtë që mundemi duke parandaluar kështu komplikime të tjera të mundshme, por gjithashtu edhe mjekimin e gjendjes në të cilën ndodhet pacienti.

Trajtimi i artrititi urik në fazën akute bëhet përmes ordinimit të medikamenteve antiinflamatore josteroide (BAJS), medikamenteve antiinflamatore steroide (glukokortikoide) dhe kolkicina. Ju mund të parandaloni sulme të reja të artritit urik duke ndjekur këto këshilla:

– Mos përdorni alkool (me theks birrë).

– Ulni peshën trupore! Është e rëndësishme që indeksi i masës trupore (BMI) të jetë më pak se 25.

– Doza maksimale e purinave në ditë duhet të jetë jo më shumë se 300 mg në ditë.

– Ju ndalohet përdorimi i ushqimeve të pasura me purina si p.sh., mëlçia, veshka, zemra,vaj peshku, sardele.

– Ju lejohet me shumë kujdes ngrënia  peshk dhe mish një herë në ditë një porcion prej 125 g.

– Ju lejohet përdorimi i qumështit dhe produkteve të tij me yndyrë të ulur.

– Ju lejohet përdorimi i pemëve dhe perimeve ( me theks banana, luleshtrydhe, qarshia, limoni, traguj, speci, karrota, patatja etj).

– Merrni shumë lëngje: Pini shumë, të paktën dy litra në ditë, mundësisht në formë të ujit mineral, çajit bimor dhe / ose çajit të frutave.

– Konsultohu me mjekun tuaj në mënyrë se ndoshta jeni duke përdorur barna të cilat e rrisin nivelin e acidit urik në gjak dhe se përdorimin e tyre duhet ndërprerë.

– Nëse ndiqni një dietë të ulët me purine, kjo ndihmon në uljen ose stabilizimin e nivelit të acidit urik.

 

Dr. Afrim Gashi është Reumatolog