Rtv Pendimi

Këshilli i Sigurimit i OKB-së takohet nesër për ofensivën e Izraelit në Gaza

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) nesër do të mblidhet për herë të katërt për të diskutuar ofensivën e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Misioni i Norvegjisë në OKB në rrjetet sociale njoftoi se takimi i nesërm vjen me kërkesë të Norvegjisë, Kinës dhe Tunizisë, pasi “situata në terren vazhdon të përkeqësohet dhe civilë të pafajshëm vazhdojnë të vriten dhe të plagosen”.

“Ne përsërisim, ndaloni zjarrin, përfundoni luftimet tani”, theksoi misioni.

Përpjekjet e mëparshme për të lëshuar një deklaratë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të kërkuar një armëpushim të menjëhershëm janë bllokuar të gjitha nga SHBA-ja.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës që nga java e kaluar, të paktën 212 palestinezë janë vrarë, përfshirë 61 fëmijë dhe 35 gra. Mbi 1.300 persona po ashtu janë plagosur dhe dhjetëra ndërtesa janë shkatërruar ose janë dëmtuar në sulmet izraelite.

Dhjetë izraelitë po ashtu janë vrarë nga raketat palestineze të lëshuara nga Rripi i Gazës në Izrael.

Tensionet e fundit që filluan gjatë muajit të Ramazanit në Kudsin Lindor u përhapën në Gaza si rezultat i sulmeve izraelite ndaj besimtarëve muslimanë në xhaminë Al-Aksa dhe lagjen Sheikh Jarrah.

OKB-ja vlerëson se rreth 38 mijë palestinezë kanë kërkuar strehim në dhjetëra shkolla të OKB-së përtej Rripit të Gazës pasi janë zhvendosur nga sulmet e vazhdueshme të Izraelit.

Sipas OKB-së, mbi 2.500 palestinezë janë kthyer në të pastrehë pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan nga sulmet izraelite.

TË NGJAJSHME