Për bërjen e petëve në shtëpi duhet të keni durim dhe energji pozitive
Në një enë të thellë plastike qitni 300 gr miell, një lugë të vogël kripë dhe përzieni, transmeton Telegrafi.
Pastaj merrni përafërsisht 100 mililitra ujë dhe ngadalë qiteni në miell (kur të gatuani piten e këtillë, patjetër duhet ta ngjishni brumin!) me dorë përzieni derisa të bëhet një kulaç i vogël i cili nuk është i ngjitshëm, por jo tepër i thatë.
Qiteni në tavolinën e punës apo në tabaka në të cilën keni qitur 2 – 3 pika vaj dhe përhapeni mirë brumin në atë vaj derisa të bëhet i lëmuar.
Është me rëndësi që të mos ngjitet për duar dhe nëse e shihni të nevojshme shtoni edhe pak vaj që të hiqni brumin nga duart.
Ky proces do të zgjasë, sepse sa më gjatë e “përpunoni” brumin ai do të jetë më elastik.
Brumin vendoseni në një enë (mund të jetë sërish plastike) dhe futeni në frigorifer rreth një orë.
Merrni një leckë të madhe pambuku dhe vendosni në tavolinën e trapezarisë, qitni miellin në të dhe nxirrni brumin nga frigoriferi dhe vendoseni në leckë.
Qiteni miellin dhe përhapeni me kujdes me duar, pastaj merrni okllainë dhe përhapeni brumin derisa të mundeni.
Kur okllaia më nuk mund t’ju ndihmojë, me maja gishtash lehtë shtrini skajet e brumit. Mos u ngutni. Ngadalë, pa nervozë përhapeni petën në rreth.
Nëse brumi çahet, mosu brengosni, mund ta përdorni për të bërë piten. Brumin e përhapur (e bërë petë) në mes dhe qitni 3 – 4 lugë vaj nëpër sipërfaqe të brumit të përhapur.
Pastaj qitni fillin, i cili përbëhet nga: 200 g djathë të freskët, 2 lugë ajkë, pak kripë dhe dy vezë (të gjitha këto përzieni para se t’i bëni gati për fill).
Kur t’ia keni qitur fillin, merrni skajet e leckës së madhe (sofrabezit) dhe ngadalë mbështilleni petën në formë të rrumbullakët. Nëse ky veprim ju duket i komplikuar, me maja të gishtave bëni rrotullimin e petës.
Në tepsi të rrumbullakët radhisni petët në formë rrethi.
Piqni gjysmë ore në 200 gradë celsius.
Kur ta nxirrni nga furra mbulojeni piten me leckë pambuku dhe lëreni të ftohet.
Kur të ftohet, shërbejeni dhe pitja ekskluzivisht hahet me duar. Kjo pite thjesht nuk i duron thikën dhe pirunin. Kënaquni! /Telegrafi/