Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), ka kryer patrullime në pjesën veriore të territorit të Kosovës, transmeton Anadolu.
KFOR-i nëpërmjet një njoftimi për media bëri të ditur se patrullimi është kryer përgjatë vijës kufitare administrative të Kosovës me Serbinë nga ushtarët e Komisionit të Përbashkët Zbatues të Komandës Rajonale në Lindje në kuadër të KFOR-it.
“Këto patrulla promovojnë dhe sigurojnë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes”, thuhet në njoftim.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë.