IMG_8972

KFOR-i mirëpret vendimin e institucioneve në Kosovë për të reduktuar praninë policore në veri

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka mirëpritur vendimin e marrë në takimin teknik të mbajtur nga Policia e Kosovës, Misioni i Sundimit të Ligjit i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) dhe KFOR-i, për reduktimin e zyrtarëve policorë për edhe 25 për qind në dhe rreth ndërtesave komunale në komunat me shumicë serbe në veri, transmeton Anadolu.

Nëpërmjet një njoftimi për media, KFOR-i e ka konsideruar këtë veprim si “një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve dhe promovimit të dialogut”.

“Në këtë kuptim, KFOR pajtohet se ka një përmirësim të situatës së sigurisë në këtë zonë, por është me rëndësi që të qartësohet se pikëpamja jonë nuk është rezultat i një aktiviteti të përbashkët vlerësues”, thuhet në njoftim.

Tutje, KFOR-i i drejtuar nga NATO-ja bëri të ditur se mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe mbetet në kontakt dhe koordinim të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit vendorë dhe ndërkombëtarë.

Gjatë ditës në tre komunat veriore me shumicë serbe u bë reduktimi edhe për 25 për qind i numrit të zyrtarëve policorë në dhe rreth komunave, ndërsa 25 për qindshi i parë i numrit të zyrtarëve policorë ishte reduktuar më 10 korrik të këtij viti sipas pajtimit që ndodhi në Bratisllavë midis kryenegociatorit kosovar Besnik Bislimi me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për deeskalimin e situatës në veri.