“KFOR-i nuk do të lejojë barrikadimin e rrugëve”

Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Ferenc Kajari​​​​​​​, ka deklaruar se KFOR-i nuk do të lejojë barrikadimin e rrugëve që çojnë në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë në rast të ndonjë tentimi nga serbët që jetojnë në komunat veriore si reagim për vendimet e Qeverisë së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për televizionin publik në Kosovë, Kajari tha Rezoluta 1244 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) i jep dy detyra KFOR-it në Kosovë për “mbajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të rregullit në Kosovë, si dhe për ta ruajtur lirinë e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët”.

“Nëse krijohen barrikada kjo e pengon lëvizjen e lirë dhe nëse nuk arrihet marrëveshja, atëherë do të arrijmë në një moment ku KFOR-i do të duhet të veprojë për të mundësuar lirinë e lëvizjes”, ka theksuar Kajari.

Ai ka kërkuar nga të gjitha palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe për gjithçka të negociohet dhe të arrihet marrëveshje politike, pasi sipas tij “vendosja e barrikadave nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës”.

Duke folur për sigurinë në pjesën veriore të Kosovës, komandanti i KFOR-it ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në pjesën veriore është qetësuar pas ngjarjeve të fundit, teksa shtoi se pret që negociatat që janë në vazhdim të rezultojnë me një marrëveshje.

Ai ka pranuar se KFOR-i e ka rritur praninë e vet në veri të vendit.

“KFOR-i ka vendosur pikat e vrojtimit dhe pikat e kontrollit teknik në të gjithë hapësirën. Po ashtu kemi rritur edhe aktivitetin patrullues në gjithë rajonin. Këto masa janë marrë për të qenë në gjendje për çfarëdolloj incidenti dhe për një siguri më të madhe. Nëse ka tensione, ne do të veprojmë sipas mandatit tonë”, theksoi Kajari.

Më 31 korrik dhe më 1 gusht, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave ilegale që qarkullojnë në komunat me shumicë serbe në ato me “RKS”, si dhe pas vendimit për reciprocitet me dokumentet për hyrjet e daljet në Kosovë, serbët lokal reaguan duke vendosur bllokada me automjete të rënda në Jarinjë dhe Bërnjak.