thumbs_b_c_eaa7156f2b5c34b6bf7ce308471ab04f

“KFOR-i po ofron mbështetje për sigurinë pas sulmit në tubacionin e ujit në Zubin Potok”

Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO ka dënuar ashpër sulmin që ndodhi në kanalin e ujit në “Ibër Lepenci”, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, nga i cili pati ndikim të rëndë në furnizimin me ujë dhe energji elektrike në veriun e Kosovës, transmeton Anadolu.

Nëpërmjet një njoftimi për media, KFOR-i, i cili aktualisht po ofron mbështetje për sigurinë pas këtij sulmi, ka thënë se tani është e rëndësishme që të vërtetohen faktet dhe që dorasit të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë.

KFOR-i njofton se pas sulmit ka siguruar kanalin e ujit dhe të zonave përreth, ndërsa ka ofruar edhe mbështetje inxhinierike për institucionet kosovare.

Sipas Prokurorisë Speciale, deri më tani dhjetë persona janë arrestuar për sulmin, të cilin institucionet kosovare e konsiderojnë si sulm terrorist, në kanalin e “Ibër-Lepencit”. Megjithëkëtë, vetëm një i dyshuar është në paraburgim prej 30 ditësh e një tjetër në mbajtje 48-orëshe, derisa të tjerët janë lënë të lirë.

Mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varagë të Zubin Potokut ndodhi një shpërthim i fuqishëm me dëme të shkaktuara në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, ku sipas institucioneve kosovare të sigurisë, shpërthimi i orkestruar nga Serbia pati qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës.

Në shumicën e zonave të prekura nga sulmi, në veriun e Kosovës është kthyer në normalitet furnizimi me ujë, sipas ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli.