Delegacioni Përfaqësues i Türkiyes që shërben në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), ka rinovuar lavanderitë dhe ka furnizuar me makineri objektin të cilin e përdorin qendrat e mjekësive familjare në qytetin e Prizrenit, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e hapjes së objektit të pajisur me makineri të reja, morën pjesë Konsulli i Përgjithshëm i Türkiyes në Prizren, Celal Doğan, kryetari i delegacionit turk, kolonel Zafer Sağlam, përfaqësuesi i Fondacionit Turk Maarif (TMV) në Kosovë, Mehmet Nedim Aslan, zëvendëskryetari i Këshillit Komunal të Prizrenit, Levent Buş, si dhe përfaqësues të komunës dhe punonjës të kujdesit shëndetësor.
Në fjalën e tij në ceremoni, konsulli i përgjithshëm Doğan tha se objekti do të japë një kontribut të madh për popullatën prizrenase.
Doğan tha se ushtria turke ndërmerr projekte të përgjegjësisë sociale në gjeografi të ndryshme të botës.
“Ushtria turke bën përpjekje të mëdha jo vetëm për të mbrojtur Kosovën, por edhe për të ngritur standardet e jetesës së vëllezërve dhe motrave tona kosovare dhe për t’u siguruar atyre një jetë më të mirë në çdo aspekt”, tha ai.
Koloneli Sağlam deklaroi se do të vazhdojnë me projekte në fushën e sigurisë, arsimit, shëndetësisë dhe kulturës në Kosovën miqësore dhe vëllazërore.
“Si Delegacion Përfaqësues i Türkiyes, me direktivat e Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler, ne do të vazhdojmë ta mbështesim popullin e Kosovës në fushën e shëndetësisë, si dhe në çdo fushë”, tha ai.
Përfaqësuesit e komunës që folën në ceremoni falënderuan ushtrinë, shtetin dhe popullin turk për mbështetjen e dhënë.
Pas fjalimeve, të ftuarit prenë shiritin me rastin e hapjes dhe panë nga afër risitë në objekt.
Në kuadër të projektit, objekti që shërben për 15 qendra të mjekësisë familjare dhe 27 qendra shëndetësore familjare në Prizren, është pajisur me makineri industriale dhe ka përfunduar mobilimi i tij.