20210225-Multicraft-Heli-Exercise-521

KFOR jep detaje për stërvitjet me helikopterë që u realizuan në disa qytete të Kosovës

Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, gjatë të enjtes ka zhvilluar një trajnim duke fluturuar me gjashtë helikopterë nëpër disa qytete të Kosovës.

Përmes një komunikate për medie, KFOR ka njoftuar se ushtrimi u përqendrua në standardizimin e procedurave të planifikimit dhe ekzekutimit të misionit, në testimin e fluturimit dhe komunikimet.

Ushtrimi filloi nga Aeroporti Ushtarak në Sllatinë, duke vazhduar me kampin “Bondsteel”, Prizren, Pejë, Aeroportin e Sllatinës dhe Prishtinë, dhe përfundoi në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, në Kampin “Kosova Film”.

“Ushtrimi siguroi që KFOR të mbetet një forcë e fuqishme ushtarake, e gatshme për të vepruar si parandalues i besueshëm ndaj çdo kërcënimi dhe për të ruajtur kapacitetet e tij për të kryer fluturime të evakuimit urgjent mjekësor kurdo që nevojitet”, thuhet në komunikatë.

Misioni i KFOR it, i udhëhequr nga NATO-ja, është kontingjent shumëkombësh me 27 vende anëtare të NATO-s dhe shtetet partnere.

“Ky dimension ndërkombëtar ofron kapacitete dhe kompetenca të ngritura. Kërkohet trajnim dhe ushtrim i vazhdueshëm për t’u siguruar se të gjitha kontingjentet veprojnë në mënyrë të standardizuar, duke siguruar aftësinë e KFOR-it të reagojë në përputhje me rezolutën 1244 të OKB dhe në mënyrë të shpejtë dhe efikase nga ajri dhe nga toka ndaj çdo sfide për mjedisin e qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet tutje në komunikatën e KFOR-it./Telegrafi/