ngjyra-866x428

KI KUJDES NGA PUBLIKIMI I GJYNAHEVE

Dihet që adhurimet dallohen në shkallë dhe pozitë, ndërsa faktori që e bën dallimin mes tyre është vetë vepra që punohet, vepruesi i saj, koha, veprimi i saj fshehurazi dhe në publik. E njëjta gjë vlen edhe te gjynahet; një gjynah dallon në faj dhe krim sipas vepruesit të tij, shenjtërisë së vendit dhe kohës, veprimit të tij publikisht apo fshehurazi.

Argumentet fetare tregojnë se gjynahu që bëhet fshehurazi është më i lehtë në faj në krahasim me gjynahun që publikohet.

Ebu Hurejra  përcjell që e ka dëgjuar Pejgamberin (alejhi selam) të ketë thënë: “I tërë umeti im është i falur përpos atyre që i publikojnë gjynahet. Nga publikimi i gjynahut është që njeriu të bëjë gjynah gjatë natës, ndërkohë Allahu ia mbulon gjynahun e tij, e ai gdhihet në mëngjes dhe shkon e shpalos gjynahun duke i treguar tjetrit: O ti filan, mbrëmë e bëra këtë dhe këtë gjynah! Allahu natën ia mbuloi gjynahun, kurse ai gdhihet e shpalos mbulesën dhe e publikon gjynahun.”[1]

Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, këtë hadith e vendosi te kaptina “Mospublikimi i gjynaheve personale” dhe, po ashtu, aty e vendosi hadithin e Ibn Omerit  ku tregohet për një njeri i cili e pyeti atë se çfarë e kishte dëgjuar Pejgamberin (alejhi selam) të ketë thënë për bisedën mes Allahut dhe robit të Tij, e ai i përcolli se Pejgamberi (alejhi selam) kishte thënë: “Allahu e afron kah vetja robin e Tij, e lëshon perden (të mos e shohin robin të tjerët) dhe i thotë: ‘E ke bërë këtë dhe këtë (gjynah).’ Robi thotë: ‘Po, o Zot! E kam bërë’ Allahu sërish i thotë: ‘E ke bërë këtë dhe këtë (gjynah).’ Robi thotë: ‘Po, o Zot! E kam bërë’ Pra, e pohon çdo gabim të tij. E më pas Allahu i thotë: ‘Unë të mbulova (nga gjynahet) në dynja, dhe sot do të të falë’.”[2]

Kur e sprovon Allahu dikë prej robërve të Tij dhe atë e mposht nefsi (që është shumë nxitës për të keqen), nis t’i shkojë mendja të bëjë gjynah dhe atë e vepron fshehurazi larg njerëzve, në këtë rast ai duhet ta fshehë gjynahun, siç ia mbuloi Allahu.

Besimtari që ia ka frikën dhe e madhëron Allahun, edhe kur vetja e tij e çon në gjynah, ai e urren gjynahun që e ka vepruar dhe nuk ia përmend as të afërmit e as të largëtit. E si ka mundësi t’u tregojë njerëzve që e ka bërë këtë dhe këtë gjynah?

Ekziston mundësia që te kuptimi i fjalëve ‘O ti filan, mbrëmë e bëra këtë dhe këtë gjynah!’ të përfshihet mënyra që e përdorin disa të rinj përgjatë takimit me shokët e tyre, ku bisedojnë dhe i tregojnë gjërat mes vete, jo në formë të krenarisë dhe dyluftimit me Allahun për bërjen e gjynahut, por krejt problemin me gjynahet e tyre e fusin nën mbulesën e ankimit dhe arsyetimit duke parashtruar pyetje për të gjetur zgjidhje dhe rrugëdalje nga problemi ku gjenden.

Kjo rrugë, përveç që bie në kundërshtim me etikën islame dhe publikohet gjynahu, njëkohësisht është shenjtërim i shëmbëlltyrës së keqe apo nënvlerësim i gjynahut para të tjerëve. E, kur të sprovohet po me të njëjtin problem apo me problem tjetër, personi që shoku i tij ankohej dhe e pyeste atë për problemin që e ka, e ngushëllon dhe e arsyeton veten për mangësinë e vet, duke e kujtuar që filani ka rënë po në të njëjtin gabim. Shumë prej të rinjve, nëse jo të gjithë, e shfaqin këtë dukuri nëpërmjet pyetjeve që i parashtrojnë apo nëpërmjet veprave që i veprojnë.

Në këtë rast, publikimit të gjynahut dhe shëmbëlltyrës së keqe shtoja një fakt tjetër; kur bie po në të njëjtin gjynah personi që shoku i tij i ankohej për bërjen e gjynahut, fillon t’i këmbejë ankesat me shokun që deri dje kërkonte zgjidhje prej tij, saqë në fillim nisin ta shoqërojnë njëri-tjetrin në ankim dhe dhembje, e ndoshta më vonë çështja mund të ndryshojë deri në atë gradë saqë ata të dy të bashkëpunojnë për në gjynah dhe armiqësi.

Shumë herë ka qenë kjo rrugë shkak për devijimin e disa të rinjve pas udhëzimit të tyre.

Ekziston mundësia që te kuptimi i fjalëve ‘O ti filan, mbrëmë bëra këtë dhe këtë gjynah!’ të përfshihet i riu që i ankohet një më të moshuari dhe më të dijshmi se ai, të cilin e takon për çdo mëngjes dhe mbrëmje. Ky i ri ankohet dhe pyet për ta shëruar problemin, por realisht bie ndesh me etikën islame dhe me turpin, që prej tij vjen çdo e mirë.

Pa kaluar shumë kohë, vjen dita kur i largohet dëshira për ta bërë atë gjynah. Pasi ta braktisë gjynahun, ndien në vete që publikimi i gjynahut i është skalitur në kujtesë atij të cilit i ankohej dhe kërkonte zgjidhje prej tij,  ai nuk do ta harrojë dhe nuk do të fshihet nga mendja e tij me kalimin e ditëve.

Për këtë shkak erdhi udhëzimi profetik në hadithin që e tregon Ibn Omeri se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Largojuni ndalesave që Allahu ka ndaluar t’u afroheni, por, nëse ndonjëri nga ju bie në to, le ta mbulojë veten (mos të flasë apo t’i tregojë dikujt për gabimin e tij). Ai që e shpalos dhe na e tregon gjynahun që ka rënë në të, ne e gjykojmë me Librin e Allahut (Kuranin).”[3]

Ubade ibn Samiti  (kishte prezentuar në luftën e Bedrit dhe ishte një nga prijësit e delegacionit natën e Akabesë në Mina kur ia dhanë besatimin Pejgamberit (alejhi selam) për përkrahje) tregon se në prani të një delegacioni prej sahabëve, Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Ma jepni besën që nuk do ta adhuroni me Allahun dikë tjetër, nuk do të vidhni, nuk do të kryeni amoralitet, nuk do t’i mbytni fëmijët tuaj, nuk do të shpifni për mashtrim, nuk do të rebeloheni kur të urdhëroheni të punoni vepra të mira. Me të vërtetë, ai që e mban besën e dhënë, shpërblimin e ka tek Allahu. Ai që e thyen besatimin duke e vepruar ndonjërën prej tyre, do ta marrë dënimin në dynja dhe për të kjo do të jetë shpagim. Ndërsa, ai që vepron ndonjërën prej tyre dhe Allahu ia mbulon gjynahun, çështja e tij i mbetet Allahut, nëse do ia fal e nëse do e dënon.” Ubade  tregon se pas kësaj ia dhanë besën që do t’i respektonin këto urdhëresa.[4]

Ajo që përcillet për disa sahabë se i ishin ankuar Pejgamberit (alejhi selam) që kanë rënë nëpër gjynahe janë raste specifike. Rregulla që dihet në fe për këso raste është tjetër. Në bazë të studimit të disa prej rasteve të përmendura, më duket se personat e tillë nuk kanë pasur njohuri për rregullat e fesë, kanë menduar se për ta nuk ka pendim dhe atyre nuk u falet, apo kanë pyetur si ta shpaguajnë gabimin dhe çfarë obligohen të veprojnë. Ka pasur raste kur sahabët e kanë kundërshtuar personin që pyeste dhe e shpaloste gjynahun e tij, gjë që tregon se rregulla e vërtetuar te ta ishte që gjynahu të mbulohej dhe jo të shpalosej. Ndërsa, rastet që përcillen për persona të caktuar që ia kanë treguar Pejgamberit (alejhi selam) gjynahet e tyre, ato janë raste specifike dhe kjo nuk duhet marrë si rregull e përgjithshme.

Më e mira për një të ri kur të sprovohet me ndonjë gjynah është mos ta shpalosë atë dhe ta luftojë veten sa të mundet që ta braktisë gjynahun. E, atëherë kur çështja i rëndohet dhe ka nevojë për dikë që e ndihmon dhe ia ndriçon rrugën, mund ta pyesë gojarisht, me telefon, apo me shkrim dikë që nuk e njeh atë personalisht, apo ta pyesë dikë që e njeh personalisht, por pa e lidhur problemin me veten, apo të hulumtojë nëpër shkrimet dhe fetvatë e ulemave që kanë folur për atë çështje.

Në rast se ndodh t’i mbyllen të gjitha këto dyer derisa t’i mbeten veç dy opsionet: të vazhdojë me gjynahun derisa ta shkatërrojë atë apo të konsultohet me dikë të afërt që e gjen tek ai zgjidhjen, me lejen e Allahut, e zgjedh opsionin e dytë. Rasti i tillë dhe të ngjashmit me të, futen nën ombrellën e rasteve specifike dhe nuk lejohet të shndërrohen në rregull të përgjithshëm dhe të vazhdueshëm. Allahu e di më së miri!

 

DR. MUHAMED ED DUVEJSH

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

PJESË NGA LIBRI “RRUGA E SHPËTIMIT NGA E KEQJA E GJYNAHUT”

(Libri është i përkthyer në shqip)

 

[1] Buhariu (6069), Muslimi (2990).

[2] Buhariu (6070).

[3] Hakimi (4/425).

[4] Buhariu (18), Muslimi (1709).