n00667138-b

Kishat i kërkojnë bashkësisë ndërkombëtare t’i japë fund tensioneve në Jeruzalem

Patriarkët dhe krerët e kishave të Jeruzalemit kanë kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë dhe t’i japë fund tensioneve në qytetin e shenjtë të krijuara kryesisht nga grupet radikale të krahut të djathtë, transmeton AA.

“Veprimet që minojnë sigurinë e adhuruesve dhe dinjitetin e palestinezëve që janë subjekt i dëbimit janë të papranueshme”, theksohet në njoftimin e përbashkët të lëshuar nga patriarkët dhe krerët e kishave të Jeruzalemit.

Duke iu referuar zhvillimeve që ndodhën në kompleksin Al-Aksa dhe në lagjen Sheikh Jarrah në Jeruzalemin Lindor, në njoftim theksohet se: “Këto zhvillime janë shqetësuese në lidhje me shkeljen e shenjtërisë së njerëzve të Jeruzalemit dhe Jeruzalemit si qyteti i Paqes”.

Në njoftimin më tej theksohet: “Tensionet në rritje, mbështetur kryesisht nga grupe radikale të krahut të djathtë, rrezikojnë realitetin tashmë të brishtë brenda dhe rreth Jeruzalemit. Karakteri i veçantë i Jeruzalemit, me status quo-në ekzistuese, i detyron të gjitha palët të ruajnë situatën tashmë të ndjeshme në qytetin e shenjtë”.

Duke i kërkuar bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzve me vullnet të mirë të ndërmarrin çdo veprim për të ndaluar këto “veprime provokuese”, në njoftim shprehen shqetësimet për zhvillimet e fundit.

“Jemi thellësisht të dëshpëruar dhe të shqetësuar për ngjarjet e dhunshme të fundit në Jeruzalemin Lindor”, thuhet në njoftim.

Tensionet kanë qenë të larta në lagjen Sheikh Jarrah të Jeruzalemit Lindor që nga java e kaluar kur kolonët izraelitë u futën pasi një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimin e familjeve palestineze.

Palestinezët që protestojnë për solidaritet me banorët e Sheikh Jarrah janë vënë në shënjestër të forcave izraelite.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, numri i atyre që ranë dëshmorë në sulmet e forcave izraelite në Rripin e Gazës u rrit në 24 dhe të plagosurit në 103.

Izraeli pushtoi Jeruzalemin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.