natyra-lule

KJO ËSHTË BUJARI DHE FISNIKËRI SHEMBULLORE

Udhëheqësi i i myslimanëve, Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, kërkoi nga banorët e Humusit që t’ia shënojnë të gjithë emrat e fukarave dhe të mjerëve dhe t’ua japë pjesën e tyre që u takon nga shtëpia e pasurisë së myslimanëve. Kur i erdhi lista e emrave, u habit se aty e gjeti emrin e përgjegjësit të qytetit, Seid ibën Amirit, Allahu qoftë i kënaqur nga ai!, në mesin e fukarave.

I pyeti se si është e mundur që emri i përgjegjësit që e ka caktuar vet ai të jetë në mesin e të varfërve? I thanë se ai rrogën e tij ua shpërndanë të varfërve dhe të mjerëve dhe thotë se çfarë i duhet pasuria kur ai do të japë llogari para Allahut për to.

Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të!, i pyeti se a kanë ndonjë ankesë prej tij?

U përgjigjën:

– E qortojmë për tri gjëra: Ai në mëngjes nuk del herët, po para nesh paraqitet në kohën e paradites, natën nuk e shohim asnjëherë dhe një ditë në javë humbet nuk mundemi ta gjejmë!

Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të!, kërkoi përgjigje për këto tri mangësi nga Seidi.

Seid ibën Amiri, Allahu qoftë i kënaqur nga ai!, u përgjigj:

– Nuk dal para tyre përveçse në kohën e paradites, sepse deri në atë kohë jam në shërbim të familjes dhe nevojave të tyre. Unë nuk kam shërbëtor, kurse gruan e kam të sëmurë. Fshehja ime natën nga ta vjen, sepse gjatë ditës jam në shërbim të qytetarëve dhe në kryerjen e nevojave të tyre, kurse nata më mbetet për adhurim. Kurse një ditë në javë zhdukem nga sytë e tyre, sepse e laj petkun tim dhe e pres të thahet. Nuk e kam përveçse këtë petk.

Udhëheqësi i myslimanëve, Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, qau nga rasti i tij dhe i dha të holla Seidit, mirëpo ai përsëri atë pasuri ua shpërndau fukarave.

Kjo është bujari dhe fisnikëri për shëmbëlltyrë!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU