KOHËT E KËRKIMFALJES (ISTIGFARIT)

Istigfar do të thotë të kërkosh falje prej Allahut dhe ta pohosh që ke bërë gjynah. Istigfari ligjërohet në disa situata dhe raste, ndër to:

  1. Me rastin e bërjes së gjynahut:

Istigfari këtu është më se i nevojshëm dhe që kërkohet më shumë. Në këtë rast, kur bën istigfar pas gjynahut, ti e paraqet pranimin e gjynahut, është shenjë që pas gjynahut je kthyer kah Allahu dhe kërkon prej Tij të t’i shlyejë gjurmët dhe të të pastrojë nga fëlliqësira e gjynahut. Kur Ademi n e shkeli urdhrin e Allahut, ai dhe gruaja e tij thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. (El-Earaf: 23)

Kur Musai (alejhi selam) e mbyti (pa qëllim) një burrë që nuk ishte urdhëruar ta mbyste atë, tha: “O Zoti im! Njëmend, Unë i kam bërë keq vetes, andaj më fal!” (El-Kasas: 16)

Junusi (alejhi selam) kur i zemëruar e braktisi popullin e tij, tha: “…“S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!”.” (El-Enbija: 87)

Allahu e thirri gjynahqarin që të bëjë istigfar dhe i premtoi falje dhe mëshirë. Allahu thotë: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (En-Nisa: 120)

Allahu e përmendi që kërkimfalja prej gjynahut është cilësi e atyre që për ta e ka përgatitur Xhenetin, ku gjerësia e tij është sa mes qiejve dhe tokës. Allahu thotë: “Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran: 135)

Pejgamberi (alejhi selam) i tha Aishes: “Oj Aishe, nëse bie në gjynah, kërko falje prej Allahut (bëj istigfar), sepse keqardhja dhe istigfari (kërkimfalja) janë pendim prej gjynahut.”[1]

Ebu Hurejra tregon se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Kur robi bën një gjynah, në zemrën e tij i bëhet një pikë e zezë, por, nëse e braktisë gjynahun e kërkon falje dhe pendohet, zemra nis t’i shkëlqejë. Nëse i kthehet gjynahut sërish, i shtohet e zeza në zemër derisa ta mposhtë atë dhe kjo është mbulesa e zemrës që Allahu e përmendi në Kuran: “Nuk është ashtu! Por, veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat.” (El-Mutafifin: 14)”[2]

Ebu Hurejra  tregon se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Kur robi bën gjynah dhe thotë: ‘O Zot, më fal se bëra gjynah!’ Allahu thotë: ‘Robi Im e di që ka Zot i Cili e fal gjynahun dhe e merr në llogari për të, prandaj e fali robin Tim.’ Pastaj, për aq kohë sa do Allahu robi nuk bën gjynah, e kur e vepron sërish, robi thotë: ‘O Zot, më fal, bëra një gjynah tjetër.’ Allahu thotë: ‘Robi Im e di që ka Zot i Cili e fal gjynahun dhe e merr në llogari për të, prandaj e fali robin Tim.’ Kur e bën sërish gjynahun, robi thotë: ‘O Zot, më fal, bëra një gjynah tjetër.’ Allahu thotë: ‘Robi Im e di që ka Zot i Cili e fal gjynahun dhe e merr në llogari për të, prandaj e fali robin Tim. Le të veprojë çfarë të dëshirojë (përderisa çdoherë që bën gjynah të ri, kërkon falje dhe pendohet nga gjynahu)’. ”[3]

  1. Me rastin e kryerjes së ibadetit:

Pejgamberi (alejhi selam) pasi dilte prej namazit, menjëherë thoshte: “Estagfirullah, estagfirullah, estagfirullah. Allahume Entes-Selam, ue minkes-selam, tebarekte ja dhel xhelali uel ikram (I kërkoj falje Allahut, i kërkoj falje Allahut, i kërkoj falje Allahut. O Allah! Ti je Paqedhënësi dhe vetëm prej Teje pres paqe. Ti je përgjithmonë i Begatshëm, o Zotëruesi i madhështisë dhe nderimit)[4].”[5]

Allahu i urdhëroi robërit e Tij që pas kryerjes së ritualeve të haxhit të bëjnë istigfar: “Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.)  (El-Bekare: 199)

Pas marrjes së abdesit ligjërohet të thuhet: “Subhaneke Allahume ue bihamdike esh-hedu en la ilahe il-la ente estegfiruke ue etubu ilejke (I Lartësuar, i pa të meta je Ti o Allahu im, Ty të takon falënderimi, dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Teje, kërkoj falje nga Ti dhe Ty të kthehem me pendim.”

Pas faljes së namazi të natës, preferohet istigfari. Allahu i përshkroi me këtë cilësi robërit e Tij dhe thotë: “…kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.” (Ali Imran: 17)

Allahu e urdhëroi Pejgamberin (alejhi selam) që fundin e thirrjes së tij në fenë e Allahut dhe luftërat e tij në rrugë të Allahut t’i përfundojë me istigfar. Allahu thotë: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës) dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe, atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.” (En-Nasr: 1-3)

Ibn el-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Myslimani i vendosur dhe i mençur e shton më tepër istigfarin pas ibadetit, për shkak se ai në këtë mënyrë dëshmon për mangësitë e tij në ibadet dhe qëndrimin e tij para Allahut ashtu si e meriton Allahu i Madhërishëm. Po të mos kishte qenë ky urdhër, asnjëri nuk kishte për të punuar një vepër të tillë që e kënaq Zotin e tij.”[6]

  1. Me rastin e bërjes së dhikrit të rregullt:

Allahu për ne e ligjëroi të bëjmë istigfar në shumicën e dhikreve të rregullta; në shumicën e lutjeve të namazit ka istigfar, në lutjen e hapjes së namazit, në mes dy sexhdeve, në ruku, në sexhde etj.

Ebu Bekri  kërkoi prej Pejgamberit (alejhi selam) t’ia mësonte një lutje që të lutej me të në namaz. Lutja që ia mësoi ta thoshte ishte: “O Allahu im, unë i kam bërë shumë padrejtësi vetes dhe nuk i fal gjynahet askush përveç Teje, andaj më fal mua me faljen Tënde dhe më mëshiro, sepse Ti je Falësi dhe Mëshiruesi.”[7]

Besoj që vetë po e vëren se nuk ka vend ku ka lutje në namaz vetëm se me të vjen edhe istigfari.

Në dhikrin e mëngjesit dhe mbrëmjes ligjërohet që myslimani ta thotë zotërinë e istigfarit.[8] Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Kush e thotë këtë lutje në mëngjes me bindje të plotë në të dhe vdes po atë ditë, para se të vijë mbrëmja, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit. Kush e thotë në mbrëmje me bindje të plotë në të dhe vdes po atë natë, para se të vijë mëngjesi, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit.”[9]

  1. Këmbëngulja për të bërë istigfar në çdo kohë dhe vend:

Këmbëngulja për të bërë istigfar ishte traditë e rregullt e Pejgamberit (alejhi selam), edhe përskaj faktit që Allahu ia kishte falur gjynahet e mëhershme dhe ato të mëvonshmet.

El-Egarr el-Muzniji  tregon që Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Ndonjëherë ndodh që zemra ime të jetë e pakujdesshme ndaj dhikrit; me të vërtetë unë i kërkoj falje Allahut brenda ditës njëqind herë.”[10]

Ibn Omeri tregon se Pejgamberi (alejhi selam) përbrenda një ndeje, e numëronim që njëqind herë thoshte: “rabbi igfir li ue tub aleje ineke ente et-tevabu er-rahim (O Zoti im, më fal mua dhe pranoje pendimin tim, sepse Ti je Pendimpranuesi dhe Mëshiruesi.)”[11]

Në shumicën e lutjeve Pejgamberi (alejhi selam) kërkonte falje prej Allahut.

Aisha  tregon se Pejgamberi ,(alejhi selam) pasi i zbritën fjalët e Allahut: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)…” (En-Nasr: 1), në çdo namaz të tij thoshte: “Subhaneke rabena ve bihamdike Allahume igfir li (I Lartësuar, i pa të meta je Ti o Zoti ynë, Ty të takon falënderimi. O Allah më fal!)”[12]

Ebu Musa  tregon se Pejgamberi (alejhi selam) lutej me këtë lutje: “O Zot, m’i fal gjynahet e mia, padijen dhe teprimin tim në të gjitha çështjet e mia, e për të cilat Ti e di më mirë se unë. O Allahu im, m’i fal gjynahet e bëra me qëllim, me padije dhe në shaka, sepse të gjitha ato i kam bërë. O Allahu im, m’i fal gjynahet që i kam bërë më herët dhe të mëvonshmet, ato që i kam bërë fshehurazi dhe ato që i kam bërë haptazi; Ti je i Pari dhe Ti je i Fundit, si dhe Ti je i Gjithëfuqishëm mbi çdo gjë.”[13]

Ibn Abasi  tregon se Pejgamberi (alejhi selam) lutej me këto fjalë: “O Allahu im, Ty të nënshtrohem, Ty të besoj, Ty të mbështetem, Ty të bindem dhe për Ty armiqësoj. M’i fal gjynahet e mia, të mëhershmet dhe të vonshmet, që i kam bërë fshehurazi dhe që i kam bërë haptazi; Ti je i Pari dhe Ti je i Fundit, nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Teje.”[14]

O Zot! Çfarë gjynahu ka vepruar ky shpirtpastër? Çfarë gjynahu ka fshehur dhe ka publikuar? Dhe çfarë ka bërë më herët dhe më vonë?

Pejgamberi (alejhi selam) i kishte të falura gjynahet e mëhershme dhe ato të mëvonshmet, nami dhe shkallët e tij ishin të larta, megjithatë kërkonte falje njëqind herë brenda ditës, madje në një ndejë. E vallë si është gjendja jonë, me gjithë ato gjynahe dhe vepra të përziera?!

Duhet ta kemi në konsideratë që istigfari në nivelin e lartpërmendur të na shoqërojë në çdo ndejë dhe vend, gjuha jonë të jetë e njomë me istigfar dhe pendim në çdo kohë, të kujdesemi t’i mësojmë lutjet e rregullta dhe të lutemi me to, që Allahu të na i falë gjynahet dhe mangësitë tona.

Istigfari i cili lë gjurmë në shpirt dhe e arrin qëllimin e tij është istigfari që bëhet me gjuhë dhe atë e shoqëron zemra; istigfari është shenjë e pendimit dhe braktisjes së gjynahut, shenjë e keqardhjes dhe e qortimit të vetes për gjynahun e bërë. I ka hije që zemrat tona të këmbëngulin para gjuhëve tona për në istigfar dhe keqardhje.

Istigfari është një vepër që Allahut i pëlqen.

Aliu tregon se Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Zotit tënd i pëlqen kur robi i Tij thotë: O Zot, m’i fal gjynahet e mia. (Allahu thotë) Robi e di që askush nuk i fal gjynahet përveç Meje.”[15]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Allahut i pëlqen kur robi thotë: Nuk i takon askujt me të drejtë të adhurohet përveç Teje, unë i kam bërë padrejtësi vetes, andaj m’i fal gjynahet e mia, sepse nuk i fal ato askush tjetër përveç Teje.’ (Allahu thotë) Robi Im e di që ka Zot i Cili fal dhe ndëshkon.”[16]

DR. MUHAMED ED DUVEJSH

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

PJESË NGA LIBRI “RRUGA E SHPËTIMIT NGA E KEQJA E GJYNAHUT”

(Libri është i përkthyer në shqip)

[1] Ahmedi (6/264).

[2] Ahmedi (2/297), Tirmidhiu (3334), Ibn Maxhe (4244).

[3] Buhariu (7507), Muslimi (2758) dhe Ahmedi (2/296).

[4] (Mburoja e myslimanit – dhikri pas selamit) (sh.p.)

[5] Muslimi (591).

[6] Medarixhus Salikin (1/195).

[7] Ahmedi (1/7) Buhariu (834), Muslimi (2705).

[8] “Zotëria i istigfarit është të thuash: ‘Allahume Ente Rabbi, la ilahe il-la Ente, halakteni ue ene abduke, ue ene ala ahdike ue vadike mestetatu, eudhu bike min sherri masanatu, ebu leke bi nimetike alejje, ue ebu’u bi dhenbi, fegfir li fe innehu la jegfirudh-dhunube il-la Ente.’ (O Allah, Ti je Zoti im! Nuk i takon adhurimi me të drejtë askujt përveç Teje. Ti më krijove dhe unë jam robi Yt! Unë do t’i qëndroj besnik marrëveshjes dhe premtimit që ta kam dhënë, sa të mundem! Kërkoj mbrojtje te Ti nga sherri i asaj që e kam vepruar! Unë jam mirënjohës ndaj begative të Tua që m’i ke dhënë dhe i pranoj gjynahet e mia, andaj më fal mua, sepse nuk i fal gjynahet askush përveç Teje.)” (sh.p.)

[9] Buhariu (6306).

[10] Muslimi (2702).

[11] Ebu Davudi (1516), Tirmidhiu (3434) dhe tha që hadithi është hasen sahih.

[12] Buhariu (4967), Muslimi (484).

[13] Buhariu (6398, Muslimi (2719).

[14] Buhariu (1120), Muslimi (769).

[15] Ebu Davudi (2602), Tirmidhiu (3446), dhe tha që hadithi është hasen sahih.

[16] Hakimi në el-Mustedrek.