Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovës, Enrico Barduani, ka takuar shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura serbe, Milan Mojsiloviq, në Beograd.
Në komunikatën e KFOR-it thuhet se ata diskutuan për sigurinë në rajon dhe aktivitetet e vazhdueshme mes KFOR-it e forcave serbe.
“Gjeneralmajori Barduani theksoi rëndësinë e komunikimit të rregullt me qëllim sigurimin e shkëmbimit në kohë të informacionit dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon. Ai gjithashtu ripohoi përkushtimin e KFOR-it për të kontribuuar në sigurinë e qëndrueshme për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Takimi ishte pjesë e takimeve të rregullta të komandantit të KFOR-it me palët, si në Kosovë ashtu edhe në të gjithë rajonin.