Dr. Shefqet Krasniqi
Gjatë javës që lëmë pas kisha nderin të jem për pak ditë në Mekën e shenjtë, për të cilën isha përmalluar aq shumë. E si të mos përmallohet njeriu për Qabenë e bekuar, vend të cilin Zoti e bëri të dashur për çdo musliman e muslimane. Kjo vizitë, në vendet e shenjta, me erdhi dhuratë nga i Madhi Zot pas atyre sprovave me të cilat u ballafaqova përgjatë disa muajve. Ndaj, si duket, i madhi Zot deshi të më freskojë me këtë vizitë e po ashtu të më japë durim e kurajë në lidhje me misionin e dinit duke me rikujtuar se ‘edhe nëse të gjithë ta kthejnë shpinën, Zoti nuk ta kthen shpinën, andaj forcoj lidhjet me Të’. Po, të dashurit e mi, Zoti nuk i lë në baltë njerëzit që e donë Atë dhe punojnë e jetojnë për Të. Ndërsa njerëzit në çdo rast e çdo çast mund t’ia kthejnë shpinën njëri tjetrit. Nganjëherë njerëzit dinë të shkojnë aq larg saqë mikun ta trajtojnë si armik, heroin si tradhtar, trimin si frikacak, bujarin si koprrac, e kështu me radhë.
Për befasinë e shumë kujt, kjo vizitë, dhuratë nga Zoti im, ishte se unë isha ftuar të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare, për të diskutuar e debatuar në lidhje me një fenomen që unë padrejtësisht dhe symbyllazi isha shënjestër e akuzave të vazhdueshme. Pra, ‘Terrorizmi: Rreziku dhe Pasojat e Tij”. Tingëllon mjaftë ironike kur dihet se atje me ftuan, të marrë pjesë në konferencë të nivelit botëror, për të dhënë mendimet, sugjerimet dhe idetë e mia kundër terrorizmit, përderisa në vendin tim me persekutuan duke më akuzuar se po nxisja terrorizëm e madje nën këto akuza edhe me burgosen. Konferenca ishte organizuar nën udhëheqjen e mbretit të Arabisë Saudite, Selman Bin Abdul Aziz Al Saud, ku ishin të ftuar personalitete me renome botërore duke përfshirë ish-presidentë të shteteve të ndryshme, ish-kryetarë të parlamenteve, ministra, analistë, dijetarë e myftinj si dhe afro 400 personalitete tjera me ndikim nga e gjithë bota. Nuk me besohej se edhe unë gjendesha aty. Vërtetë arrestimi dhe persekutimi im në vendin tim dhe nga njerëzit e mi më dukej një skizofreni në vete!
Vizitën time në Mekë dhe pjesëmarrjen në atë konferencë nuk e pata bërë publike, për çështje kohe jo për ndonjë arsye tjetër, megjithatë, meqë disa medie ka kohë që na bëjnë ‘kujdestari’ kjo nuk mbeti pa u vënë re. Konferenca zgjati katër ditë radhazi ku u lexuan dhjetëra punime e kumtesa, pastaj pasuan shumë komente e sugjerime ku edhe unë pata rastin të shprehem e të ofrojë sugjerimet e mia. Kësaj radhe kjo konferencë tërhoqi vëmendjen e shumë medieve botërore të cilat e konsideruan atë si shumë të rëndësishme. Si e tillë ajo nuk mbeti pa u përmendur edhe në mediet tona.
Në vijim po përmbledhim disa nga konkludimet më kryesore të kësaj konference. Studiues, debatues, analistë e personalitete të ndryshëm, pjesëmarrës në këtë konferencë, pas një mori diskutimesh erdhën në përfundim se:
– Islami, as direkt e as indirekt, nuk ka të bëjë me asnjë lloj dhune e terrori. Brenda mësimeve të fesë sonë ekzistojnë përplot fakte, evidenca e principe të cilat na obligojnë që të mbrohet dhe respektohet liria e jetesës, e drejta për të jetuar, përfshirë këtu çdo krijesë, në veçanti njeriun. Ndër këto fakte është edhe ajeti kuranor: “Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.” (Nahl, 90). Andaj përzierja apo aludimi i terrorizmit, dhe çfarëdo dhune tjetër, me Islamin është në radhë të parë anomali, e pastaj padrejtësi dhe gjykim i njëanshëm e joreal.
– Akoma nuk ekziston ndonjë definicion i qartë, unik e mbarëbotëror, në lidhje me terrorizmin, por secili e përshkruan atë siç i konvenon. Andaj është tepër me rëndësi të vendoset një definicion i pranuar nga të gjithë, në mënyrë që të dihet pikënisja, se mbi cilën bazë ndërkombëtare duhet të nisemi kur dëshirojmë ta trajtojmë një çështje se a ka të bëjë me terrorizmin apo me ndonjë fenomen tjetër.
– Debatuesit diskutuan edhe për shkaqet e terrorizmit dhe erdhën në përfundim se ato janë të larmishme e të llojllojshme. Ndër më të rëndësishmet në nivelin global u përmend edhe mos-gjykimi dhe mostrajtimi i drejtë i çështjeve dhe kauzave që kanë të bëjnë me muslimanët dhe të drejtat e tyre në botën aktuale. Standardet e dyfishta ndërkombëtare, nga njëra anë, dhe mos përpjekja e sinqertë për të ndihmuar disa kombe të shtypura me përkatësi muslimane, nga ana tjetër, si dhe mos sinqeriteti për t’i ofruar mbështetje politike disa popujve të robëruar që të gëzojnë lirinë, sikurse popujt tjerë të botës, mund të çojë disa individë apo grupe të caktuara drejtë akteve të ndryshme terroriste.
– Ndër shkaqet që çojnë drejtë dhunës dhe akteve terroriste u përmend, natyrisht, edhe injoranca, mosnjohja e duhur e fesë islame dhe manipulimi nga qarqe të caktuara të individëve me orientim islam të cilët marrin përgjegjësi që nuk u takojnë dhe për të cilat nuk kanë as përgatitje e as aftësi.
– Kushtet e vështira ekonomike, jeta e rënd, diskriminimi i vazhdueshëm, nënçmimi, përulja dhe përbuzja mbi baza të fesë/besimit, papunësia dhe çështje tjera të këtij lloji kanë gjithashtu ndikimin e vet në përhapjen e këtij fenomeni.
– Një ndër shkaqet me ndikim të madh të përhapjes së dhunës dhe terrorizmit, sipas prezantuesve, është po ashtu edhe trajtimi i njëanshëm e qëllimkeq i medieve, në veçanti provokimet që po bëhen nga disa medie të cilat Islamin dhe muslimanët i kanë vënë në bankën e të akuzuarve për çdo të keqe në botë. Sa herë që një krim kryhet nga ndonjë musliman, pavarësisht edhe nëse është ateist apo jofetar, ato vendosin në kryetitull përkatësinë (emrin) e tij muslimane. Ndërsa kur akte të dhunës, dhunimit, terrorit, grabitjes, hakmarrjes dhe çdo të lige tjetër kryhen nga pjesëtarë të besimeve tjera përkatësia e tyre fetare nuk bëhet e ditur. Madje fyerjet, e dizajnuara me mjeshtri, që behën në emër të së ashtuquajturës ‘liri e shprehjes’, sikur që ndodhi herën e fundit me stereotipinë e Profetit Muhamed, po ngacmojnë gjendjen psikologjike dhe emocionale të njerëzve euforikë dhe, si rezultat i një trysnie psikologjike, po i çojnë ata njerëz drejt ndjenjës së hakmarrjes.
Në lidhje me mediet, në fakt, ishte edhe reagimi im ku potencova se: ‘… ndikimi i medieve në shoqëri është shumë i madh dhe se jo rrallë herë ato ndikojnë edhe në vendimet dhe qëndrimet e qeverive të shteteve të ndryshme në paragjykimin e popullatës së vet. Me këtë dua të them se nëse një individ me përkatësi muslimane e bënë një gjest jo të mirë, një akt të dhunës apo terrorit, ani pse atë mund ta ketë bërë krye në vete, pa asnjë ndikim tjetër, mediet menjëherë fillojnë t’i akuzojnë të gjithë muslimanët dhe t’i bëjë ata përgjegjës kinse të gjithë janë të atillë dhe se feja e tyre në thelb përmban dhe nxit dhunë e terror. Mediet po e fusin në “një thes” çdo musliman praktikues të fesë, në veçanti nëse ai ka mjekër, madje qoftë edhe femër kur ajo bartë shami. Pikërisht një trajtim i këtillë, lere që po mbjell urrejtje dhe paragjykime në mesin e popullit karshi muslimanëve por po dikon edhe qëndrimet e pushteteve që të jenë jo në favor të qytetarëve të vet. Andaj muslimanët në këtë periudhë historike janë më shumë se kurrë më parë viktimë e trajtimit jo të drejtë, të njëanshëm dhe joprofesional të medieve’.
Për fund, në këtë konferencë, padyshim u cekën edhe shumë konkludime tjera të cilat nuk kemi kohë dhe hapësirë t’i qasemi. Mendoj se kjo konferencë ishte e një niveli mjaft të lartë, shumë mirë e përgatitur si nga aspekti i mikpritjes po ashtu edhe debateve dhe trajtimit të çështjeve të ndryshme të parapara për këtë temë sa të ndjeshme po aq edhe me pasoja të mëdha. Shpresoj se edhe ne si vend do të arrijmë që një ditë problemet dhe fenomenet shoqërore t’i zgjedhim duke diskutuar e debatuar rreth tyre, duke ofruar sugjerime e metoda bashkëkohore të zgjidhjeve, e jo të paragjykojmë, të trajtojmë njëanshëm pjesëtarë të komunitetit tonë e t’i diskriminojmë vetëm se i shohin problemet me ndryshe se ne apo pse nuk na përkrahin në mendime. Zotin e madhërishëm e falënderoj për këtë mirësi dhe e lus që ta ruaj vendin dhe popullin tonë nga çdo e keqe, paragjykim apo hamendje. Amin. Deri në shkrimin e ardhshëm Selam Alejkum (Paqja qoftë me Ju).