IMG_4333

Kosova bëhet anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Kuvendi i Kosovës ka marrë statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, transmeton Anadolu.

Në takimin e Asamblesë që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, shumica e vendeve kanë votuar për avancimin e Kosovës në këtë organizatë, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, tha se ky vendim është marrë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, pas disa vitesh bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës.

“Avancimi i statusit vjen pas disa viteve të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Nga qershori i vitit 2014, ne përfaqësoheshim si delegacion vëzhgues”, ka shkruar Hyseni i cili është edhe Kryesues i Delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Vendimin e së hënës e ka mirëpritur presidentja Vjosa Osmani, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka thënë se NATO-ja është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në botë të dëgjohet.

“Do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, ka shkruar presidentja Osmani.

Ditëve të fundit, delegacioni i Serbisë dhe aketër tjerë politikë nga Serbia bënë thirrje që Kosova të mos votohej si anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Asambleja Parlamentare e NATO-s shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s. Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta, por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse, por me avancimin e statusit do të mund të zgjerohet edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.