Kosova ka bërë hapin e parë në ngritjen e industrisë së saj ushtarake, raporton Anadolu.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës e cila përkon me ditën e Ushtrisë së Kosovës dhe Ditën e Forcës, në të cilën ditë qytetarët kanë mundësi të shohin nga afër kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Qeveria ka treguar vazhdimisht se mbrojtja ka qenë një nga prioritetet kryesore.
Ai tha se në qeverisjen e tij numri i ushtarëve është dyfishuar, buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes është trefishuar, trajnimet jashtë vendit të oficerëve dhe ushtarakëve janë katërfishuar si dhe investimet në armatim janë shumëfishuar.
Kurti tha se vendimin të cilin e mori para mbledhjes së Qeverisë, përbën një hap të domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të ushtrisë.
“Do të themelojmë komisionin ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave e negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës”, theksoi Kurti.
Ai tha se një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo e Kosovës, ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore.
“Andaj, me sot hedhim hapat tonë të parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, shtoi Kurti.
Dita e Hapur u mundëson qytetarëve të vizitojnë kazermat e FSK-së në Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin, ku do të prezantohen dhe demonstrohen aftësitë dhe kapacitetet ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.