Kosova dhe Serbia kanë arritur deri tek një pajtim për zbatim të plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur në luftë, raporton Anadolu.
Ky pajtim u arrit midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
Pas përfundimit të takimit, Bislimi, njëherësh zv/kryeministër i Kosovës, tha se në takimin trepalësh ka pasur pajtim për zbatim të plotë të deklaratës për personat e zhdukur.
“Jemi marrë vesh që të pranohet versioni i dhjetorit i termave të referencës për komisionin e përbashkët, kur Serbia kishte paraqitur pengesa dhe si duket tani i ka tërhequr ato, prandaj mendoj se tani mund të ecim tutje ku gjatë muajit të ardhshëm do të mbahet mbledhja e parë e këtij komisioni të përbashkët”, tha ai.
Sipas Bislimit, ka premtime nga ana e Serbisë se nuk do të ketë tendenca për pengimin e punës së këtij komisioni të përbashkët, i cili do të fillojë të merret me këto çështje që nga janari.
Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE.
Palët në këtë deklaratëu zotuan për qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar, vënien në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe për punën e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga BE-ja.
Por, deri më tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë.
Në Kosovë ende nuk dihet fati i rreth 1.600 personave të zhdukur që nga periudha e luftës së fundit.
Tutje, zv/kryeministri Bislimi tha se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dënuar sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës dhe po ashtu ka treguar që BE-ja është e gatshme të ndihmojë në hetimin e plotë të këtij rasti.
Për herë të fundit, Bislimi dhe Petkoviq u takuan në muajin tetor, ku nuk u arrit ndonjë rezultat konkret drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.