thumbs_b_c_7f7824a9430367724ea5aa0e67b53ec6

Kosova dhe Shqipëria me korsi të veçantë kalimi për banorët e zonave kufitare

Kosova dhe Shqipëria kanë hapur korsi të veçantë kufitare për banorët e zonave kufitare Kosovë-Shqipëri, transmeton Anadolu.

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, kjo gjë u bë e ditur nga takimi i ministrit kosovar, Xhelal Sveçla, me homologun shqiptar, Taulant Balla, në pikën kufitare në Vërmicë.

“Nga sot, me qëllim të realizimit në mënyrën më të mirë të mundshme të marrëveshjes për heqjen e kontrolleve kufitare për qytetarët e dy vendeve tona, do të aktivizohet korsia e veçantë e kalimit kufitar”, theksoi Sveçla.

Sveçla gjatë kësaj vizite tha se mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të ketë kontrolle për qytetarët, por po punohet për të pasur sisteme të avancuara teknologjike që luftojnë ilegalitetet ndërkufitare.

Gjatë këtij takimi, Sveçla tha se në shënim të përvjetorit të çlirimit të Kosovës janë shënuar edhe 20 vendkalime të veçanta për banorët e brezit kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, në të cilat do të mundësohet lëvizja e lirë mes banorëve të atyre zonave.