Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nga 1 janari 2025, Kosova, në mënyrë të njëanshme do ta lejojë lëvizjen e lirë në vend për poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnjë e Hercegovinës, transmeton Anadolu.
Kryeministri Kurti në Procesin e Berlinit, ku po marrin pjesë liderë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, konsideroi se qytetarët kosovarë dhe ata boshnjakë duhet të pajisen ende me viza për të lëvizur në vendet e njëri-tjetrit, përkundër marrëveshjeve të arritura në Procesin e Berlinit muaj më herët.
Kurti tha se entiteti i Republikës Sërpska po refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime ndërsa Kosova ka qenë e para në rajon që e ka ratifikuar këtë marrëveshje në parlament.
“Përderisa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ishte i pari në rajon që e ratifikoi në parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës”, tha Kurti.
Në vitin 2022 në kuadër të këtij procesi u nënshkruan pesë marrëveshje, tri nga të cilat nuk kanë gjetur zbatim ende, ku në mesin e tyre është edhe marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave midis Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Përveç përfaqësuesve nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina dhe 10 vendeve partnere perëndimore, në këto takime marrin pjesë edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata rajonale.