Qeveria e Kosovës në një reagim pas procesit të votimit në katër komunat veriore për apo kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë shqiptarë, ka thënë se me përfundimin e këtij procesi, Republika e Kosovës përmbushi obligimin e saj ndaj qytetarëve dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e lëshuar për media, Qeveria e Kosovës ka kërkuar që rrjedhimisht, “masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”.
“Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, thuhet në reagim.
Qeveria e Republikës së Kosovës shprehu keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votimin e së dielës dhe falënderoi ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore.
“Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë”, thuhet në deklaratë.
Në korrik të vitit 2023, pas tensioneve në veri me fillimin e punës së kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore me shumicë serbe, BE-ja konfirmoi masat ndëshkuese ndaj Kosovës si pasojë e mosndërmarrjes së veprimeve për deeskalimin e situatës nga pala kosovare.
Masat ndëshkuese ndaj Kosovës përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të tjera.