Kosova me ekip shtetëror për verifikimin e kuotës së punësimit të minoriteteve në institucione

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Qeveria e Kosovës gjatë këtij muaji ka marrë vendim për krijimin e një ekipi ndërinstitucional për grumbullimin e të dhënave për punësimin e komuniteteve në institucionet e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Kurti këtë e ka bërë të ditur në një takim me përfaqësues të komunitetit rom në Kosovë, të organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit.

Sipas tij, ekipi ndërinstitucional që synon rregullimin e kuotës së garantuar me ligj për punësimin e komuniteteve në institucionet vendore, përbëhet nga Zyra e Kryeministrit, kabineti qeveritar, ministritë dhe shoqëria civile.

“Ky ekip do të përbëhet me përfaqësim nga zyra e kryeministrit, kabineti, ministritë dhe shoqëria civile. Ata do të kenë përgjegjësi për promovimin e punësimit të komunitetit dhe ndër to për herë të parë të bëjnë grumbullimin dhe publikimin e të dhënave për punësimin e secilit komunitet. Duke i pasur këto të dhëna mund të ndërmarrim masat e nevojshme për realizimin e kuotës për punësim në institucione siç e parasheh ligji”, theksoi Kurti.

Kurti para përfaqësuesve romë, tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar që ta nxisë punësimin e komunitetit rom dhe po punojnë në atë drejtim.

Ai tha se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal bashkë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kanë marrë iniciativën për dhënien e 100 bursave për nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për studime në Fakultetin e Edukimit.

Kjo, sipas kryeministrit Kurti, është bërë me qëllim që në të ardhmen në klasat e shkollave kosovare të ketë mësues dhe mësuese nga komuniteti rom.

Një të arritur tjetër për minoritetet, kryeminstri tha se e kanë shënuar edhe me lansimin e platformës digjitale për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Nëpërmjet saj, institucionet do të kuptojnë drejtpërdrejtë shkeljet e të drejtave të komuniteteve, ngase kryeministri Kurit tha se barazia e qytetarëve është e garantuar në Republikën e Kosovës.