Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e rrjetit social “TikTok” në institucionet publike të Kosovës, raporton Anadolu.
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar të Kosovës, gjatë prezantimit të kësaj pike të rendit të ditës, kryeministri Albin Kurti tha se Ministria e Brendshme ka propozuar ndalimin e përdorimit të TikTok-ut në institucione “me qëllim të eliminimit të rreziqeve kibernetike”.
Zv/ministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, tha se të gjitha institucionet obligohen që të vendosin kufizimet e nevojshme teknike për ndalimin e funksionimeve të rrjetit social “TikTok” në ambientet zyrtare të punës dhe po ashtu të gjithë zyrtarët publik obligohen që në paisjet zyrtare të largojnë aplikacionin TikTok dhe skedarët instalues të tij.
“Me qëllim të rritjes së sigurisë kibernetike, Ministria e Punëve të Brendshme i rekomandon Qeverisë së Kosovës të ndalojë instalimin, përdorimin dhe funksionimin e aplikacionit të rrjetit social TikTok dhe të gjitha shërbimeve të tij në të gjitha rrjetet shoqërore të komunikimit elektronik dhe pajisjet zyrtare të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit që janë në pronësi dhe menaxhim të institucioneve publike”, theksoi Dobra.
Ai tha se kjo masë është në harmoni me Ligjin për Sigurinë Kibernetike, veprimet e ndërmarra nga shtetet aleate.
“Ka për synim të mbrojë institucionet shtetërore të Republikës së Kosvoës kundër kërcënimeve dhe veprimeve të sigurisë kibernetike të cilat mund të shfrytëzohen për sulme kibernetike ndaj infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosvoës”, shtoi Dobra.
TikTok-u, në pronësi të kompanisë kineze të teknologjisë, shkakton shqetësime për sigurinë kombëtare në disa vende.
Në SHBA, por edhe në disa vende të Bashkimit Evropian (BE), përdorimi i TikTok-ut është i ndaluar në pajisjet e përdorura për shërbim zyrtar.