Kosovarët janë përdoruesit më të fuqishëm të internetit në Ballkan, mësohet nga një vrojtim botëror për penetrimin e internetit dhe Facebook-ut.
Vrojtimi i Internet World Stat, mbi përdorimin e internetit thotë se 76.6 për qind e 1.8 milionë banorëve të Kosovës përdorën internetin në vitin 2013. Por Kosova është gjithashtu nga të paktat vende për të cilat mungojnë të dhënat mbi përdorimin e Facebook.
I dyti në Ballkan për përdorimin e internetit qe Kroacia, ku 70.9 për qind e popullatës shkoi online. Kjo do të thotë se 3.1 nga 4.4 milionë banorë qenë përdorues të rregullt. Gjithsesi, kroatët nuk duken shumë të interesuar për Facebook, për shkak se “vetëm” 1.6 milionë prej tyre e përdorin këtë rrjet të medias sociale.
Njerëzit në Bosnjë dhe Hercegovinë u renditën të tretët me 67.9 për qind penetrim të përdorimit të internetit. Kjo do të thotë se 2.6 milionë nga një popullatë prej 3.8 milionë njerëzish e përdorën. Numri i përdoruesve të Facebook qe 1.3 milionë gjë që përbën gjysmën e përdoruesve të internetit.
Maqedonia, ku 62.2 për qind e popullsisë përdor internetin, qe e katërta në listë. Rreth 1.3 milionë njerëz nga 2.1 milionë banorë qenë përdorues. Një pjesë e madhe e tyre, 962 mijë, përdornin gjithashtu Facebook.
Shqipëria është nga vendet e mesit në listë me 60.1 për qind penetrim interneti sipas të dhënave të këtij studimi. Kjo do të thotë se rreth 1.8 milionë nga 3 milionë banorë qe përdorues dhe shumica e përdoruesve, rreth 1.1 milionë kanë llogari në Facebook.
Niveli i përdorimit të internetit në Serbi qe 57 për qind ose 4.1 milionë banorë. Përdorimi i Facebook këtu është gjithashtu i lartë me 3.3 milionë llogari.
Në Malin e Zi norma e penetrimit të internetit është 56.8 për qind ose 365 mijë banorë nga një popullatë prej 650 mijë vetësh. Rreth 300 mijë prej tyre përdorën edhe Facebook.
Bullgaria, me popullatë prej 6.9 milionë banorë pati normë penetrimi në internet prej 53.2 për qind ose 3.6 milionë përdorues. Rreth 2.5 milionë prej tyre kishin edhe profile në Facebook.
E fundit në listë qe Rumania me normë penetrimi interneti 49.8 për qind. Rreth 10.8 milionë nga 22 milionë banorët e Rumanisë përdorën rrjetin dhe nga këto, 5.3 milionë kanë llogari në Facebook. (Kallxo.com / Telegrafi)