thumbs_b_c_4359c96c3beacff5d54326a1c070c011

Kosova përfiton tre grante prej mbi 57 milionë eurosh nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor

Bordi Operacional i Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF), ka miratuar tri aplikime për fonde të Republikës së Kosovës, duke mundësuar përfitimin e granteve në vlerën totale prej 57,6 milionë eurosh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, këtu përfshihet granti për përgatitjen e projektit për banimin social në vlerë prej 2,08 milionë euro, që do të shfrytëzohet për përgatitjen e investimeve që kanë vlerën totale prej 47,5 milionë euro.

Gjithashtu, bëhet e ditur se këtu përfshihet edhe granti investues për parkun solar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në vlerën 33,07 milionë euro, si pjesë e investimeve që kanë vlerën totale prej 103,33 milionë euro.

Ndërsa, granti i tretë është ai investues për ngrohjen qendrore në Prishtinë në vlerë prej 22,47 milionë euro, si pjesë e investimeve që në total kanë vlerën 76,368 milionë euro.

“Projektet për të cilat janë përfituar grantet do të realizohen në kombinim me huat që do të merren nga bankat përkrahëse për këto projekte, sikurse Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës (CEB), Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI)”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor (WBIF) është një iniciativë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare dhe donatorëve dypalësh, që synon të rrisë bashkëpunimin dhe bashkërendimin për sa i përket investimeve që kanë për synim zhvillimin socio-ekonomik dhe kontribuimin në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.