Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vendi pritet t’i ketë rreth 1.6 milionë banorë me regjistrimin e ri të popullsisë apo rreth 150 mijë më pak se sa në regjistrimin e fundit të vitit 2011, raporton Anadolu.
Në konferencën e fundit për media, ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, vlerësoi se procesi i regjistrimit të popullsisë përfundoi me sukses. AI bëri të ditur se të dhënat e rafinuara do të publikohen në fillim të korrikut, ndonëse është planifikuar të publikohen tre muaj pas regjistrimit.
“Në dy javët e fundit nuk i kemi bërë të dhënat publike. Edhe sot nuk kemi mandat t’i bëjmë të dhënat publike, sepse e thamë, do t’i publikojmë në pjesën e parë të muajit korrik. Por Kosova pritet t’i ketë për afërsisht rreth 1.6 milionë banorë”, theksoi Kastrati.
Kastrati theksoi se të gjitha komunitetet pakicë në Kosovë iu përgjigjën masivisht regjistrimit, me përjashtim të serbëve në katër komunat në veri të vendit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se ka pasur ankesa nga serbët nga të gjitha komunat, si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit, se regjistruesit nuk kanë ardhur kurrë në dyert e tyre, Kastrati tha se në disa zona ku jeton komuniteti serb është ushtruar presion politik në regjistruesit.
“Prapë kemi rimarrë regjistrues, herën e dytë, në shumë zona serbe tre herë kemi marrë regjistrues, i kemi trajnuar dhe i kemi lëshuar në terren. Tek ditët e fundit apo javën e fundit, komuniteti serb me fokus, duke parë që është e nevojshme të regjistrohen, janë angazhuar. Ka pasur pesë javë ku nuk janë angazhuar në këtë proces, sepse ka pasur një lloj presioni politik brenda tyre. Por ky është projekti i regjistrimit të popullsisë, i është dhënë mundësia secilit komunitet dhe ASK-ja ka bërë më të mirën e mundshme”, theksoi Kastrati.
Ai shtoi se ata që nuk janë regjistruar tani do të kenë mundësi ta bëjnë këtë vetëm në regjistrimin e ardhshëm në vitin 2031.
Sa i përket mërgatës kosovare, rreth 600 mijë qytetarë nga diaspora janë regjistruar deri më tani në proces, por ata do të kenë mundësi të regjistrimit “online” deri më 31 gusht.
Regjistrimi i popullsisë në Kosovë filloi më 5 prill ndërsa për shkak të kërkesës në disa komuna për zgjatjen e afatit procesi u mbyll më 24 maj.